Shqiptarët e veriut kërkojnë siguri, ftojnë institucionet për masa urgjente

Mitrovica

Shqiptarët e veriut kërkojnë siguri, ftojnë institucionet për masa urgjente

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 15:28
Nazmi Ismajli dhe Gani Hysenaj

Përfaqësuesit e organizatës “Këshilli i Veriut”, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me situatën e sigurisë për banorët shqiptarë të asaj pjese.

Ata gjatë një konference për media sot afër urës së Ibrit, kanë përmendur situatën e sigurisë, gjendjen ekonomike dhe ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve të djegura gjatë luftës, si çështje kryesore me të cilat po ballafaqohen.

Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, tha se sulmet ndaj shqiptarëve janë shpeshtuar gjatë muajit të fundit, ndërsa apeloi tek institucionet që të veprojnë sa më shpejtë, sidomos sa i përket çështjes së sigurisë dhe lëvizjes së lirë.

Ismajli: Që një muaj janë shtuar sulmet kundër shqiptarëve

“Në veri kanë ndodhur shumë incidente. Që një muaj kanë filluar sulmet kundër shqiptarëve, ka pasur rrahje, djegie, dhe në veri nuk ka siguri. Çdokush që thotë se ka siguri atje, është e pavërtetë…Sot asnjë qytetar shqiptar nuk guxon me dalë në qendër të Mitrovicës te ‘Poleti’. Janë duke u penguar proceset e ndërtimit të shqiptarëve që kanë qenë të djegura gjatë luftës, kurse blloqet e banimeve serbe ndërtohen pa e pyetur askënd, pa leje, bien refugjatë prej Sllovenisë, Kroacisë, Bosnës, dhe të gjithë ata që kanë qenë në luftë kundër shqiptarëve në Kosovë, kurse shqiptarët që kanë jetuar që 30 vite aty nuk kanë të drejtë të kthehen në pronat e veta. Bëj apel në qeveri, tek çdo lider shqiptar në Kosovë, të marrin masa që shqiptarët në veri të kenë siguri, lëvizje të lirë, sepse ju takon”, ka thënë Ismajli.

 Gani Hysenaj, anëtar i Kryesisë së ‘Këshillit të Veriut’, përveç sigurisë ka përmendur edhe gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve në veri.

 Sipas tij, sulmet ndaj shqiptarëve vinë nga strukturat paralele serbe, duke mos përjashtuar edhe pronarët e disa bizneseve të cilët për shkak të konkurrencës po i frikësojnë shqiptarët me sulme, siç ishte rasti me dy furra para dy ditësh.

Hysenaj: Sulmet ndaj shqiptarëve vinë nga strukturat paralele serbe

“Gjendja ekonomike është shumë e vështirë, pastaj siguria është katastrofale. Ne përpara e kemi pasur një patrullë të policisë që ka qenë e përbërë nga dy policë, një shqiptar dhe një serb, por ajo patrullë më nuk ekziston. Kam kërkuar disa herë nga institucionet shtetërore që të bëhet kjo, por nuk është arritur assesi. Parmbrëmë kanë ndodhur disa incidente të rreshtura të cilat kanë shqetësuar banorët…Këto sulme vinë kryesisht prej strukturave paralele serbe, por ka indikacione që këto sulme vinë edhe nga pronarët serbë të furrave në veri, sepse po ndërlidhet me rastin e dëmtimit të furrave të shqiptarëve, edhe në ‘Lagjen e boshnjakëve’, por edhe tjetra në veri të Mitrovicës”, theksoi Hysenaj.

Ndryshe, organizata ‘Këshilli i Veriut’ përbëhet nga pesë përfaqësuesit e lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, përkatësisht ‘Lagja e Boshnjakëve’, ‘Lagja e Doktorëve’, ‘Kodra e Minatorëve’, Lagjja ‘7 Shtatori’ dhe ‘Qendra’.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat