LDK-së në Vushtrri i bashkohet edhe një subjekt politik

Mitrovica

LDK-së në Vushtrri i bashkohet edhe një subjekt politik

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 21:08
Xhafer Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re në Vushtrri kanë arritur marrëveshje koalicioni për ta mbështetur Xhafer Tahirin e LDK-së në balotazhin e 19 nëntorit.

Lajmin e ka konfirmuar vet kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë. Sipas tij, kjo marrëveshje koalicioni është arritur në orët e pasditës së sotme.

“Sot kemi nënshkruar marrëveshje me AKR-në për qeverisjen e Komunës së Vushtrrisë në mandatin katër vjeçar. Qëllimi i jonë është që të krijohet një qeverisje e re, pasi që edhe qytetari është për ndryshimin, e kanë kërkuar edhe më 22 tetor dhe natyrisht që do ta kërkojnë edhe me 19 nëntor”, ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu ka deklaruar se pret mbështetjen edhe të subjekteve tjera politike në këtë komunë veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky për të cilin më shumë optimizëm pret arritje të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor.

“Kemi kontakte edhe me subjektet tjera politike nga të cilat presim mbështetje, por me Lëvizjen Vetëvendosje i kemi gjasat më të mëdha për arritjen e një marrëveshje për çka jam shumë optimist se do të ndodh”, u shpreh ai.

Në zgjedhjet e 19 nëntorit do të përballen Ferit Idrizi i PDK-së që ka marrë 33.29% të votave dhe Xhafer Tahiri i LDK-së që ka marrë 25.64%. Ndërsa, jashtë balotazhit ka mbetur Besim Muzaqi i VV-së me 25.10% apo vetëm 170 vota më pak se Tahiri i LDK-së. I katërti është renditur Nasuf Aliu i AKR-së që ka marrë 8% të votave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat