Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës ka zhvilluar sot një aksion për lirimin e hapësirave publike duke mos i lejuar shitësit që të ekspozojnë produktet e tyre nëpër trotuare dhe hapësira tjera publike.
Këtë veprim komuna në fjalë e arsyetoi me faktin që siç thotë ajo ekspozimi i këtyre produkteve po e pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Inspektorët komunalë, Kimete Berisha dhe Shkumbin Osmani, thanë se kjo gjë është bërë edhe me kërkesën e vetë qytetarëve.
“Ne do të vazhdojmë punën tonë, me qëllim që produktet të shiten atje ku e kanë vendin, në tregun e qytetit ku ka mjaftë vend për të gjithë”, thanë inspektorët në fjalë.
Shitësit siç thuhet në komunikatë i kanë respektuar urdhëresat e inspektorëve dhe se nuk ka pas nevojë për intervenim të policisë apo shqiptim të dënimeve.