Bahtiri nga Boletini: Do të kërkojmë që të shfuqizohet vendimi për ndarje të Mitrovicës

Mitrovica

Bahtiri nga Boletini: Do të kërkojmë që të shfuqizohet vendimi për ndarje të Mitrovicës

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 15:13
Agim Bahtiri

Në Kullën e heroit Isa Boletini, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se së shpejti do të mbajnë një mbledhje të Kuvendit Komunal, për të kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të shfuqizohet vendimi për ndarjen e Mitrovicës dhe që Mitrovica të jetë një.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova është shtëpia e përbashkët dhe e sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Ndërkohë që ka potencuar se pavarësia dhe sovraniteti i saj janë të pacenueshme dhe që integriteti territorial është i paprekshëm.

Këto komente janë bërë gjatë shënimit Festës së 28 Nëntorit, që është mbajtur sot në Kullën e Isa Boletinit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të siç i ka quajtur ai të kriminelëve dhe ekstremistëve.

Bahtiri: Do t’i drejtohem Kuvendit dhe Qeverisë që Mitrovica të jetë një

“Ne sot jemi në një situatë jo aq të volitshme, për arsye se i kemi disa ngjarje që po na preokupojnë, por megjithatë pas këtij urimi të 28 Nëntorit kisha me i lut të gjithë qytetarët kudo që janë, po edhe të tjerëve të cilët banojnë në këto anë të pjesës së veriut që të jenë të qetë dhe të mos bien në provokimet e ekstremistëve dhe kriminelëve. Por, të jenë të qetë sepse na duhet stabiliteti dhe na duhet qetësia absolute për arsye se shteti i Kosovës do të funksionoj në çdo pjesë të territorit të Kosovës dhe kjo na nevojitet shumë që të kemi një stabilitet dhe një mirëqenie për të gjithë pavarësisht cilit nacionalitet. Unë dëshiroja që para juve të prezantoja se ne së shpejti do të mbajmë një mbledhje të Kuvendit Komunal duke iu drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës që vendimin e marrë për ndarjen e Mitrovicës të shfuqizohet dhe Mitrovica të jetë një”, tha Bahtiri.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, ndërsa është shprehur se fqinjësia e mirë është e pashmangshme për të gjithë në rajon.

Veseli: Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme

"Republika e Kosovës është shtëpia e përbashkët, e sigurt dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj, të gjitha kombet që jetojnë në Kosovë janë vlera të patjetërsueshme të shtetit dhe identitetit tonë si Kosovë. Ne besojmë në këto vlera, ne jetojmë me to, të drejtat e atyre që janë pakicë për ne janë dhe do të mbeten të pandalshme me të drejtat e atyre që janë shumicë. Kjo na nderon në sytë e botës dhe na bënë më të sigurt në vizionin tonë euroatlantik. Kosova është një dhe e pandashme, ashtu siç e deshën Isa Boletini dhe të gjithë dëshmorët e lirisë, ashtu siç e deshën Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme, integriteti territorial i saj është i paprekshëm, sot dhe përgjithmonë. Ndërsa, fqinjësia e mirë dhe e ardhmja e pashmangshme për të gjithë në rajonin tonë”, tha Veseli.

Veseli, duke uruar të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, ka thënë se e gjithë jeta e Isa Boletinit sublimon përpjekjet e vazhdueshme të kombit për liri dhe dinjitet.

Veseli: Isa Boletini ishte njeri i pushkës për liri dhe i fjalës

"Çdo 28 nëntor ne ngjitemi në këtë kodër historike, sepse këtu, në këto male të Shalës, këtu në konakun e Isa Boletinit, i ka rrënjët liria jonë kombëtare. Sot në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë nga Vlora në Boletin, nga Presheva në Ulqin, nga Shkupi në Shkodër na bashkon nderimi për të parët tanë, na bashkon nderimi për të gjithë ata burra e gra që edhe në ditët më të vështira mbajtën gjallë idenë e kombit dhe bënë gjithçka mundën për lirinë e tij. Në mesin e tyre, i pari i tyre ishte edhe burri i madh i këtij konaku Isa Boletini. E gjithë jeta e tij sublimon përpjekjen e vazhdueshme të kombit tonë për liri dhe dinjitet. Isa Boletini ishte njeri i pushkës për liri dhe i fjalës që bashkon njerëzit. Ishte shëmbëlltyrë e tolerancës dhe e bashkëjetesës ndëretnike. Për Isa Boletinin patriotizmi nuk nënkuptonte urrejtjen dhe mohimin e të tjerëve që janë ndryshe nga ne", theksoi kryeparlamentari Ves eli.

 Kurse, stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, ka thënë në Kullën e të parëve të tij ka nisur liria dhe pavarësia.

Boletini: këtu do të jetë Kosova, këtu do të jetë shqiptaria

“28 nëntori i mbush të gjitha zemrat  dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo është një pjesë e madhe e historisë ku gjendemi sot në Kullën e të parëve të mi, pra këtu u nis liria, këtu u nis pavarësia. Boletini e ka përmbushur fletat e historisë sonë kombëtare në krye me Isa Boletinin. Pra, sot do të jetë Boletini, Kulla e Isa Boletinit, varri i tij, këtu do të jetë Kosova, këtu do të jetë shqiptaria”, tha ai.

Sot për festën e 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Boletini nuk ishte vendi i vetëm ku u festua, pasi në të gjithë Kosovën pati aktivitete të shumta në nder të kësaj dite.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat