Dënohet për narkotikë, i akuzuari shpërthen me të shara

Mitrovica

Dënohet për narkotikë, i akuzuari shpërthen me të shara

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 09:18
Pamje ngta gjykimi

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve për narkotikë.

Në këtë rast Ratko Zhivkoviq, Marjana Llazareviq dhe Makfir Spahiu, akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë se duke vepruar në grup me të pandehurit Srgjan Llomigor, Ranisllav Ristiq dhe një person NN nga Shqipëria, pa autorizim janë furnizuar me substanca narkotike të cilat më pas i kanë shpërndarë, shitur, ndërmjetësuar dhe dërguar në tranzit.

Vepra ishte kryer në atë mënyrë që personave të ndryshëm të akuzuarit u kanë shitur substanca narkotike në tetor 2015, rreth orës 18:30 në Zubin Potok, të pandehurit Srgjan Llomigor, Ranisllav Ristiq dhe Ratko Zhivkoviq, janë takuar me të pandehurin Makfir Spahiu i cili me automjetin e tij të markës “Toyota”, ka transportuar 20 kg substancë narkotike dhe ia ka dorëzuar të pandehurit Ratko Zhivkoviq, sasinë e narkotikëve të llojit marihuanë prej 20 kg.

Tutje thuhet se i akuzuari Spahiu me automjetin e  tij të markës “Toyota” në të cilën ka qenë edhe i pandehuri Ratko Zhivkoviq së bashku me automjetin e markës “Golf 2” të drejtuar nga personi NN nga Shqipëria kanë transportuar substancën narkotike deri në Zubin Potok.

Kurse të pandehurit Srgjan Llomigor dhe Mirjana Llazareviq shkojnë në një vend në mes të Zubin Potokut dhe fshatit Zherovnicë të Zveçanit, takohen me të pandehurit Branisllav Ristiq dhe Ratko Zhivkoviq, e marrin pjesën e tyre të narkotikëve prej 10 kg dhe të njëjtën e transportojnë me automjetin e tyre të markës “Mercedes” dhe e fshehin në mal në anën e djathtë të rrugës lokale në fshatin Josheviq të Zveçanit, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa me 5 tetor 2015 Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar në mal një çantë të zezë të markës “Nike” në të cilën thuhet se kanë qenë nëntë paketime me substanca narkotike, e të cilat pas ekzaminimit laboratorik dhe rezultatit të ekspertimit, ka treguar se prezent ka qenë kanabisi (marihuana) e cila përmban tetrahidrokanabinol (THC).

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata e Mitrovicës shpalli aktgjykimin vetëm për të akuzuarit Ratko Zhivkoviq dhe Makfir Spahiu, pasi që për personat e tjerë të përmendur në përshkrim të aktakuzës procedura ishte veçuar në seancat e mëhershme.

Me rastin e shpalljes publike të aktgjykimit në prezencën e të pandehurve, i akuzuari Makfir Spahiu u dënua me 2 vjet burgim dhe 500 euro gjobë.

Në dënim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa dënimi do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmëris së këtij vendimi.

Kurse i akuzuari tjetër Ratko Zhivkoviq u lirua tërësisht nga aktakuza, raporton Kallxo.

Zhivkoviq po ashtu u lirua nga të gjitha shpenzimet procedurale.

Gjykatësi Avni Mehmeti po ashtu ka thënë se të pandehurit Ratko Zhivkoviq i ndërpritet edhe masa e paraburgimit.

Shpalljen fajtor për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve i akuzuari Makfir Spahiu e ka pritur me të shara në Gjykatë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat