Zbulohet antibiotiku që vret edhe mikrobet rezistente ndaj çdo ilaçi

Mjekësi alternative

Zbulohet antibiotiku që vret edhe mikrobet rezistente ndaj çdo ilaçi

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 18:36
Foto ilustrim

Shkencëtarët kanë zbuluar një antibiotik të ri që mund të vrasë edhe supermikrobet më të vështirë që janë bërë rezistentë ndaj të gjithë ilaçeve të tjerë që njihen deri tani. Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) hulumtuan rreth 6,000 molekula përmes programit të inteligjencës artificiale, duke kërkuar ato që mund të vrisnin mikrobin Escherica Coli.

Nga të gjithë ata, programi përzgjodhi saktësisht atë molekulë që u shfaq më efektive kundër bakterit dhe që nuk i ngjante strukturalisht me asnjë prej 1700 komponimeve të njohura deri tani. Kur ekipi i MIT testoi përbërësin e sapo identifikuar në laborator, fuqia e tij ishte e jashtëzakonshme. Ilaçi vrau dhjetëra lloje të baktereve, duke përfshirë shtame që janë provuar rezistente ndaj të gjithë antibiotikëve të njohur.

Ky është një zbulim shumë premtues, sipas ekspertëve të shëndetit publik, pasi prej kohësh tashmë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rezistenca ndaj antibiotikëve është një kërcënim kryesor për mbijetesën njerëzore.

Antibiotikët – duke filluar me penicilinën – ishin ndër përparimet më të rëndësishme mjekësore për njerëzimin. Vetëm penicilina vlerësohet të ketë shpëtuar rreth 200 milionë jetë që nga zbulimi i saj në 1928. Kur bakteret ekspozohen ndaj antibiotikëve, një pjesë e baktereve vdesin, ndërsa një pjesë tjetër pëson mutacion, duke e bërë më pas bakterin rezistent ndaj antibiotikut të përdorur. Kur një infeksion është rezistent ndaj një antibiotiku, medikamentet që jepen bëhen të padobishme kundër tij. Kur një infeksion është rezistent ndaj të gjithë antibiotikëve, është thuajse e sigurt që pacienti do të vdesë.

Megjithëse antibiotikët kanë një rëndësi jetike për mbijetesën njerëzore në tërësi, ato nuk janë një investim fitimprurës për kompanitë farmaceutike; kështu që zbulimi dhe zhvillimi i tyre i ngadaltë është zvarritur. Por ilaçi i ri i laboratorit të MIT duket se është një yll i shndritshëm në një horizont të zymtë.

Përbërja e re, të cilin ata e kanë emëruar “halicin” sipas emrit të “Hal”, një prej personazheve të filmit të vitit 2001, “Odise në Hapësirë”, është treguar jashtëzakonisht e efektshme deri më tani dhe funksionon ndryshe nga shumica e antibiotikëve të tjerë. Sipas autorit kryesor të këtij studimit, Dr Jonathan Stokes, ata e testuan ilaçin eksperimental kundër disa lloje bakteresh, duke përfshirë Acinetobakterin, Pseudomonas dhe Mykobakterin e Turbekulozit. Ilaçi i vrau të gjithë bakteret e vështirë për t’u trajtuar, me përjashtim të Pseudomonas, një infeksion i ashpër në mushkëri që është veçanërisht fatal për të sëmurët me fibrozë cistike.

Edhe pse bakteri që studiuesit përdorën është rezistent ndaj të gjithë antibiotikëve të njohur, u pa që te minjtë ku u injektua ilaçi i ri, ata arritën të pastrohen plotësisht nga infeksioni brenda 24 orëve. Dhe për shkak se ilaçi shkatërron qelizat në membranën e baktereve, (membranë që u lejon atyre të ruajnë energjinë), shkencëtarët mendojnë se patogjenët do të kenë shumë më pak të ngjarë të zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat