Lamaze: Teknika e vendeve të Lindjes për një lindje të lehtë

Mjekësi alternative

Lamaze: Teknika e vendeve të Lindjes për një lindje të lehtë

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:24
Foto ilustrim

Lamaze është një filozofi e vendeve të Lindjes dhe një teknikë frymëmarrjeje, që përdoret gjatë dhimbjeve të lindjes. Sipas filozofisë Lamaze, lindja është një proces natyror, i zakonshëm dhe i shëndetshëm. Gratë mund të marrin fuqi dhe guxim përmes edukimit dhe mbështetjes që u ofrohet, për t’u përballur të sigurta me procesin e lindjes. Kurset Lamaze përqendrohen te teknikat e relaksimit, por ato ju inkurajojnë gjithashtu që ta programoni reagimin e trupit përmes trajnimit dhe praktikës. Për shembull, ju mësoni të bëni ushtrime për ta kontrolluar frymëmarrjen dhe këto janë një mënyrë më konstruktive për t’u përballur me dhimbjet, sesa mbajtja e frymës apo tendosja e muskujve. Instruktorët e kësaj teknike u mësojnë nënave të ardhshme që të marrin frymë thellë, për ta shoqëruar një kontraktim nga fillimi deri në fund. Merrni frymë me hundë, duke përfytyruar se po thithni ajër të freskët dhe të pastër. Nxirreni frymën ngadalë nga goja, duke përfytyruar sikur bashkë me të, nxirrni jashtë edhe tensionin. Me frymëmarrjen e thellë, të gjithë personat e pranishëm në sallën e lindjes, kuptojnë se po nis apo po përfundon një kontraktim. Gjithashtu, ky është një sinjal, që trupi juaj mund të bëjë pak pushim. Në procesin e lindjes përdoren nivele të ndryshme të frymëmarrjes Lamaze, përshkrimi i të cilave jepet më poshtë. Kur ta aplikoni këtë teknikë, ne ju rekomandojmë të filloni me teknikën e parë të frymëmarrjes dhe ta përdorni për aq kohë sa ajo ka efekt. Më pas, mund të kaloni në nivelin tjetër.

Niveli i parë Lamazes: frymëmarrje me ritëm të ngadaltë. Kjo lloj frymëmarrjeje përdoret kur jeni të qeta apo në gjumë. Merrni frymë ngadalë dhe thellë me hundë dhe nxirreni me gojë me gjysmën e shpejtësisë së frymëmarrjes suaj normale. Nëse dëshironi, teksa merrni frymë, mund të përsërisni me vete shprehjen: “Unë jam (merrni frymë) e qetë (nxirreni frymën)”, ose “Brenda një-dy-tre (merrni frymë), jashtë njëdy-tre (nxirreni frymën)”. Ose mund të merrni frymë me një ritëm të caktuar, teksa ecni apo tundeni.

Niveli i dytë i Lamazes: frymëmarrje me ritëm të modifikuar. Merrni frymë më shpejt sesa ritmi juaj normal, por në mënyrë sa më sipërfaqësore të jetë e mundur, me qëllim që të parandaloni

hiperventilimin (frymëmarrje tepër e shpejtë): “Brenda një-dy (merrni frymë), jashtë një-dy (nxirreni frymën), brenda një-dy (merrni frymë), jashtë një-dy (nxirreni frymën).” Mbajeni trupin, veçanërisht nofullën, sa më lirshëm të jetë e mundur. Përqendrohuni te ritmi, i cili mund të jetë më i shpejtë kur kontraktimi arrin kulmin dhe më pas, më i ngadaltë teksa venitet.

Niveli i tretë i Lamazes: frymëmarrje me ritëm të modeluar. Përdoreni këtë lloj frymëmarrjeje kur të jeni rreth fundit të dhimbjeve, ose në kulmin e një kontraktimi të fortë. Ritmi është pak më i shpejtë krahasuar me frymëmarrjen normale apo frymëmarrjen me ritëm të modifikuar. Kështu, përdorni një ritëm pak a shumë të tillë si “ha-haha-ho” ose “hë-hë-hë-ho”, i cili ju bën të përqendroheni te frymëmarrja dhe jo te dhimbjet. Përsëriteni këtë ushtrim. Fillojeni ngadalë, rriteni shpejtësinë kur çdo kontraktim arrin kulmin dhe uleni shpejtësinë kur kontraktimi të lehtësohet. Mos harroni që kur ta rrisni shpejtësinë, frymëmarrja duhet të jetë më e cekët, në mënyrë që të mos kaloni në hiperventilim. Në rast se keni therje duarsh dhe këmbësh, uleni shpejtësinë. Ka shumë mundësi që trupi të nxjerrë jashtë një sasi të madhe dyoksid karboni, gjë që çon edhe në shfaqjen e këtyre simptomave. Në rast se ndiheni më mirë kur rënkoni apo bërtisni, mos u druani. Mbajini sytë hapur, të fiksuar diku, kurse muskujt lërini sa më të lirshëm.

Merrni frymë për të mos shtyrë. Në rast se keni një dëshirë të fortë për të shtyrë, por qafa e mitrës nuk është hapur plotësisht për këtë gjë, bëni frymëmarrje

të shpejta, njëlloj sikur po fikni qirinjtë mbi tortën e ditëlindjes, derisa t’ju ikë dëshira për të shtyrë.

Merrni frymë për të shtyrë. Kur qafa e mitrës të jetë hapur plotësisht dhe mjeku ju thotë të shtyni, merrni disa herë frymë thellë dhe shtyni, sa herë që ta ndieni të nevojshme. Shtyni për rreth dhjetë sekonda dhe më pas nxirreni frymën. Më pas, merrni frymë dhe shtyni sërish. Në këtë fazë, kontraktimet do të zgjasin për një minutë ose më shumë, ndaj është e rëndësishme që të merrni frymë në intervale të rregullta dhe të mos e mbani frymën brenda. Falë preferencave personale dhe natyrës së kontraktimeve, do të jeni në gjendje të vendosni se kur mund t’i përdorni ushtrimet e frymëmarrjes gjatë procesit të lindjes. Mund të zgjidhni teknikat e frymëmarrjes ose mund të shpikni një teknikë tuajën. Ndonëse keni planifikuar që gjatë lindjes të bëni qetësues, është e rëndësishme që të mësoni teknikat e frymëmarrjes dhe të relaksimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat