Nokia nën hetime, dërgoi të dhëna në Kinë

Mobile

Nokia nën hetime, dërgoi të dhëna në Kinë

Më: 24 mars 2019 Në ora: 22:04
Foto ilustruese

Nokia është nën hetime pasi njëri nga përdoruesit e telefonave të saj gjeti se pajisja e tij kishte dërguar të dhëna të ndjeshme në Kinë.

Henrik Austad tha se ishte duke përcjellë trafikun në Nokia 7 Plus kur ai zbuloi se pajisja po dërgonte të dhëna që nuk ishin të enkriptuara, përfshirë numrin e SIM kartelës, numrin serik të telefonit dhe lokacionin e tij.

Serveri tek i cili janë dërguar të dhënat është nën domenin "vnet.cn", në pronësi të kompanisë shtetërore kineze China Telecom, transmeton KosovaPress.

Avokati i Popullit të Finlandës për mbrojtjen e të dhënave, Reijo Aarnio, deklaroi se hetimet do të vërtetojnë nëse ka shkelje të informatave personale dhe nëse për këtë mund të jepet një arsyetim.

Një hetim i thellë fillestar dëshmoi se bartja e të dhënave me siguri ishte e dedikuar  për versionin kinez Nokia 7 Plus dhe jo për versionin global.

Kompania HMD Global konfirmoi për gazetën “Helsingin Sanomat”, se mbledhja e të dhënave kishte ndodhur për shkak të gabimit në kodimin nga “aktivizimi i pakos”, e cila rastësisht është përfshirë në firmware të disa prej telefonave.

Sipas kompanisë, vetëm një numër i pajisjeve Nokia 7 Plus  posedon këtë pako dhe se problemi do të zgjidhet përmes azhurnimit të softuerit.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar dhe ato mund të zgjasin disa javë, sipas mediave finlandeze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat