Samsung: Do ta udhëheqim tregun e smartfonëve edhe në 10 vitet e ardhshme

Mobile

Samsung: Do ta udhëheqim tregun e smartfonëve edhe në 10 vitet e ardhshme

Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:11
DJ Koh

Lufta për titullin e prodhuesit më të madh të telefonave është duke u zhvilluar, ndërsa Huawei në muajt e fundit ka bërë përparim të madh në zvogëlimin e udhëheqjes të cilën aktualisht e ka Samsungu në këtë treg. Prodhuesi kinez e ka theksuar vazhdimisht përkushtimin që ta largojë nga maja rivalin nga Koreja e Jugut, ndërsa tani për herë të parë e dëgjojmë edhe përgjigjen e Samsungut. DJ Koh, drejtori ekzekutiv i Samsungut, tha se në dekadën e ardhshme, kompania do të jetë lider dhe prodhuesi më i madh i telefonave në botë, raporton GSMArena.

Kur u pyet për mundësinë e humbjes së pozitës së parë, Koh tha se Samsungu si një prodhues kryesor është gjithmonë i përqendruar në inovacione dhe përmirësimin e produkteve të veta, gjë që do të vazhdojë të jetë fokusi i kompanisë edhe në dekadën e ardhshme.

Edhe pse Samsungu është përballur me rënie në shitjet globale, kompania ka vetëbesim në qasjen e vet me telefonat fleksibil, ndërsa drejtori ekzekutiv beson se kjo kategori do ta ofrojë përvojën më të mirë mobile. Ai gjithashtu vuri në dukje se Samsungu është duke punuar në azhurnimin e ekranit Galaxy Fold për t'ia dhënë telefonit një eksperiencë të pakompromis të përdoruesit, pa probleme të dukshme.

Samsungu është i gatshëm ta zgjerojë linjën e vet të telefonave të palosshëm në një bazë më të madhe të përdoruesve, por detajet rreth çmimeve dhe afatet e sakta kohore nuk janë publikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat