A po ju ngadalësohet iPhone i vjetër? Evropa ndërmerr disa veprime

Mobile

A po ju ngadalësohet iPhone i vjetër? Evropa ndërmerr disa veprime

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 21:25
Foto ilustrim

Europa ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj Apple, lidhur me praktikën e diskutueshme të kompanisë për ngadalësimin e iPhoneve të vjetër.

Euroconsumers, grupi që ngriti padinë, tha në një deklaratë se proceset gjyqësore mbulojnë deri në 2 milionë pajisje iPhone 6, 6 Plus, 6S dhe 6S Plus në Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Portugali.

Apple është përballur me reagime publike dhe veprime ligjore në të gjithë botën pasi pranoi në 2017-ën që përditësimet e softuerëve të dizajnuara për të parandaluar prishjen e baterive të iPhoneve të vjetër, gjithashtu i ngadalësuan pajisjet.

“Ne jemi duke u kërkuar të trajtohemi me të njëjtën drejtësi dhe respekt si konsumatorët amerikanë,” -tha shefi i politikës dhe zbatimit në Euroconsumers, Els Bruggeman, për CNN Business.

Grupi tha se përpjekjet për të zgjidhur çështjen me Apple jashtë gjykatës ishin të pasuksesshme. Ai po kërkon kompensim prej 60 € (72.30 $) mesatarisht për secilin konsumator. Nëse proceset gjyqësore kanë sukses, ato mund t’i kushtojnë Apple 180 milionë € (217 milionë dollarë) në total, bazuar në vlerësimet e Euroconsumers për numrin e pajisjeve të prekura.

“Konsumatorët shqetësohen gjithnjë e më shumë nga produktet që konsumohen shumë shpejt, modelet iPhone 6 janë një shembull shumë konkret i kësaj,” tha Bruggeman në një deklaratë.

Pas një proteste nga përdoruesit e pakënaqur të iPhone, Apple kërkoi falje dhe bëri që zëvendësimet e baterive të ishin më të lira. Megjithatë është akuzuar në proceset gjyqësore të mëparshme (dhe në rastin aktual të ngadalësimit të qëllimshëm të telefonave) që kjo është një praktikë që e bën për të inkurajuar përdoruesit të blejnë telefona të rinj, diçka që kompania e mohon.

Autoriteti antitrust i Italisë gjobiti Apple me 10 milionë € (12 milionë dollarë) në vitin 2018 pasi zbuloi se kishte mashtruar konsumatorët në instalimin e përditësuar të softuerit në iPhone të vjetër pa i paralajmëruar ata për efektin në performancën e pajisjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat