Jashari: E sikletshme kur muzikantët e shkëlqyeshëm hyjnë në sallë të kuqe

Muzikë

Jashari: E sikletshme kur muzikantët e shkëlqyeshëm hyjnë në sallë të kuqe

Më: 28 prill 2019 Në ora: 14:49
Filharmonia e Kosovës dhe Chopin Piano Fest

(E plotësuar) - Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me drejtuesit e festivalit “Chopin Piano Fest”, sonte do të mbajnë natë finale të këtij festivali.

Në një konferencë për media përfaqësues të Filharmonisë së Kosovës kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me mungesën e një salle koncertale, ku sipas tyre është esenciale për zhvillimin e kulturës në vend.

Baki Jashari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës ka treguar detajet për koncertin që do të mbahet  të dielën në mbrëmje, duke treguar se në këtë festival do të marrin pjesë Shtefan Vlladar dhe Josif Gjipalli.

Jashari: Sonte mbahet nata finale e festivalit

“Është mbrëmja finale e festivalit dhe ne falënderojmë festivalin Chopen, i cili kësaj radhe ka sjellur dy muzikantë shumë të veçantë, bëhet fjalë për tenorin shqiptar me famë botërore Josif Gjipalli, i cili do të prezantohet me dy arie me orkestrën tonë  dhje me dirigjentin Shtefan Vlladar, i cili njëkohësisht paraqitet edhe në rolin e pianistit. I cili na ka lënë shumë përshtypje në punën e tij disa ditore me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, gjithsesi do të jetë një koncert shumë i veçantë”, tha ai.

Ai u shpreh i bindur që ky koncert do të lë përshtypje për gjithë publikun.

Ani pse i kënaqur me prezencën e dy muzikantëve me famë botërore, ai tha se është shumë e sikletshme se si pas kaq viteve, nuk ka sallë koncertuale, dhe koncerte të tilla po vazhdojnë të mbahen në sallën e kuqe. Pavarësisht që sipas tij tash e sa kohë një gjë e tillë ka qenë njëra nga premtimet e Ministrisë së Kulturës.

Jashari: Për neve është e sikletshme

"Për ne është me të vërtetë e sikletshme kur vijnë muzicientë të shkëlqyeshëm të kalibrit, dirigjenti dhe pianisti.. të vijnë në këtë sallë të kuqe këtu dhe mua më vjen turp kur hyjnë për herë të parë këtu brenda dhe shohin që kjo fare nuk është sallë koncertuale. Kjo është vetëm një hapësirë ku ne po mund të zhvillojmë aktivitetet. Akustika është e tmerrshme, kushtet si për orkestër ashtu edhe për publik janë shumë të këqija....Duhet të kemi prioritet në kulturë, pa u vendos kjo prioritet, unë mendoj që as Ministria e Kulturës me fondet që i ka nuk mund ta ndërtoj e vetme  këtë objekt. Sikur çështja e autostradeve ashtu duhet të hyjë në plan buxhetor dhe jo kështu me disa plane improvizuese”, tha ai.

Ndërkaq, dirigjenti Shtefan Vlladar nga Austria, i cili për herë të parë dirigjon me Filharmoninë e Kosovës, tha se është kënaqësi që sonte do të marrë pjesë në këtë festival.

Vlladar: Vitin e kaluar erdha këtu për të luajtur në piano

“Vitin e kaluar erdha këtu në Chopin Piano Fest për të luajtur në piano, luajtëm bashkë me bashkëshorten time pianoste në dy piano, dhe meqë na pëlqeu shumë përkundër se ishim për kohë të shkurtër, na pëlqeu shumë edhe mikpritja edhe njerëzit, festivali dhe biseduam që të jetë mundësia që të vijmë për herën tjetër edhe për të luajtur edhe për të dirigjuar me Filharmoninë e Kosovës. Ishte shumë kënaqësi që të pranoj ftesën e Filharmonisë edhe të vij të punoj me anëtarët e Filharmonisë, me muzicientët, në një mënyrë pak më ndryshe se që jam mësuar të punoj”, tha ai.

Vlladar u shpreh i bindur që ky koncert do të pritet shumë mirë sonte nga publiku shqiptar dhe jo vetëm. Sipas tij, muzika nuk duhet të prek vetëm zemrat e njerëzve por duhet edhe të krijoj një atmosferë të veçantë.  Vlladar tha se në Kosovë janë kushtet shumë të vështira, e po ashtu se vendi ku filharmonia mban prova dhe performon është e varfër. Sipas tij, shoqëria duhet ta kuptojë që kultura është e nevojshme aq sa uji dhe buka.

Lejla Pula, drejtoresha artistike e festivalit tha se që 10 vite kanë një bashkëpunim shumë të mirë me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës  dhe se moto e këtij koncerti gjatë këtij viti ka qenë ndërtimi i sallës koncertale.

Pula: Është nder dhe privilegj i veçantë

“Kjo traditë ka qenë gjithmonë e bukur dhe e kemi mbështetur gjithmonë artistët e rinj edhe e kemi pru një program jashtëzakonisht të bukur, jemi munduar, dy pianistë do t’i kemi në mbrëmje. Edhe me rastin e 10 vjetorit të festivalit tonë, jam shumë e lumtur që maestro Stefan Vladar, pianistë me famë botërore dhe dirigjent i shkëlqyer, i cili është shef i orkestrave të shumta, ka qenë në karrierën e tij në të gjithë Evropën edhe udhëton në tërë globin, është vërtetë për ne një nder dhe një kënaqësi  dhe privilegj i veçantë që ta kemi këtu në mesin tonë”, tha Pula.

Drejtoresha organizative e festivalit Chopen Piano Fest Prishtina, Besa  Luzha ka ftuar institucionet për përkrahje dhe mbështetje.

Luzha: Ftojmë institucionet për mbështetje

“Ftojmë edhe institucionet edhe shoqërinë në përgjithësi që të ketë më shumë mbështetje edhe më shumë fokus në përkrahjen edhe të talentëve të rinj, por edhe atyre që janë ekzistues, pra skenës së pavarur muzikore, ashtu edhe sikur institucioneve publike, sepse jemi një komunitet  i përbashkët , që mision e kemi t’i ofrojmë publikut vlera të mirëfillta artistike, për të cilat edhe institucionet e kanë përgjegjësi”, tha Luzha.

Ndryshe, sonte festivali “Chopin Piano Fest”, përmbyllë edicionin e dhjetë me radhë, ku para publikut shqiptar pritet të performojnë, dirigjenti i njohur austriak, Stefan Vladar, si dhe tenori shqiptar, Josif Gjipali. 

***

Filharmonia e Kosovës dhe Chopin Piano Fest të dielën përmes një konference për media kanë treguar për koncertin e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës me dirigjentin dhe pianistin Stefan Vladar dhe Josif Gjipali.

Baki Jashari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës ka treguar detajet për koncertin që do të mbahet në mbrëmje.

Jashari tha se është e sikletshme se si që kaq vite, nuk ka sallë koncertuale, dhe koncerte të tilla po vazhdojnë të mbahen në sallën e kuqe.

Ndërkaq, dirigjenti Shtefan Vlladar nga Austria tha se është i sigurt që do të jetë një koncert i bukur.

Lejla Pula, drejtoresha artistike e festivalit tha se moto e këtij koncerti gjatë këtij viti ka qenë ndërtimi i sallës koncertale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat