Lleshaj e Randall, dyshja e muzikës indie pop që po korr suksese

Muzikë

Lleshaj e Randall, dyshja e muzikës indie pop që po korr suksese

Më: 27 maj 2019 Në ora: 08:53
Shpresa Lleshaj, suedezja me origjinë nga Kosova dhe amerikani Cole Randall

Shpresa Lleshaj, suedezja me origjinë nga Kosova dhe amerikani Cole Randall, njihen nga publiku si Flora Cash, dyshja e muzikës indie pop.

Lleshaj dhe Randall janë partnerë në jetë e në art. Ata jetojnë në Stokholm ku kompozojnë e bashkëpunojnë në muzikë dhe interpretojnë në të gjithë botën nën emrin Flora Cash.

Është turneu i tretë i Flora Cashit në Shtetet e Bashkuara dhe siç e thotë shprehja: e treta, e vërteta. Gjërat duken shumë ndryshe në këtë turne për Lleshajn dhe Randallin.

“Dinë më shumë prej këngëve tona”, është shprehur Lleshaj.

“Këndojnë bashkë me ne… Më përpara shihnin me habi ‘Kush janë këta të dy?’ Tani na njohin. Na bën të ndjehemi pjesë e një komuniteti, si një familje”, ka thënë Randall.

“Sidomos kur njerëzit nga salla bashkojnë zërat për të kënduar këngën e tyre të suksesshme ‘You’re Somebody Else’”, shtoi ai.

Kjo është kënga më e njohur e Flora Cashit që tani e dëgjon në valët e radios amerikane pas disa javësh në renditjen e klasifikimeve Billboard për muzikën Adult Rock. Kënga përcjell furtunën e brendshme të individit që ka humbur veten nga ankthi, mungesa e besimit te vetja, presioni i jashtëm. Një mesazh që ka gjetur jehonë te audienca.

“Mendoj se njerëzit janë të etur për sinqeritet. Ata gjejnë veten tek kjo këngë. Ata e interpretojnë në forma nga më të ndryshme. Prandaj kishte sukses, se ka një mesazh personal për shumë njerëz”, tregoi Randall.

Duket se Lleshaj dhe Randall kanë gjetur kordën e duhur si në skenë dhe në jetën personale. Ata e gjetën njëri-tjetrin në internet përmes muzikës, një histori dashurie nga dy skajet e oqeanit Atlantik që vazhdon të ruajë freskinë edhe në orët e gjata të rrugës në turne dhe nën dritat e skenës në interpretim.

“Ne jemi shokë të mirë. Kënaqemi me njëri-tjetrin. Gjithmonë e them: nuk e imagjinoj dot si do ta bëja këtë jetë pa ty. Me ty ndjehem se jam në shtëpi”, thotë Lleshaj.

Origjina e Lleshajt nga Kosova nuk është ende një fakt i përmendur për audiencën amerikane.

Një grup shqiptaro-amerikanësh kanë ardhur nga zona e Washingtonit për ta përcjellë interpretimin me krenari të hapur për origjinën e Lleshajt. Ka qenë një vit suksesi për interpretueset me origjinë shqiptare në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Shpresa Lleshaj është një emër i ri që i shtohet kësaj liste.

“Është koha jonë. Më në fund po del në pah kjo energji krijuese që ka qenë gjithmonë e pranishme. Është rezultat i mënyrës si jemi rritur”, thotë Lleshaj.

Randall beson se një pjesë e mirë e suksesit ka të bëjë edhe me mbështetjen entuziaste që marrin nga admiruesit shqiptarë në mbarë globin.

“Është diçka vërtetë e bukur kur sheh këtë frymë të shqiptarëve që janë shumë të lidhur, që mbështesin njëri-tjetrin. Më duket shumë e bukur”, tha Randall.

Jeta e artistit nuk është e lehtë, pohojnë Randall dhe Lleshaj. Me suksesin që kanë pasur, turneu i tyre shton vazhdimisht ndalesa të tjera me koncerte të reja gjatë itinerarit. Këto janë vështirësitë e suksesit që tani çifti arrin t’i përballojë pak më lehtë pasi ka mbështetjen e firmës diskografike Sony/RCA Records. Shumë ndryshe nga ditët kur trokisnin në dyert e mbyllura të studiove, ende një emër i panjohur me këngë të padëgjuara.

Me gjithë këmbënguljen, “Zëri i Amerikës” nuk arriti të mësojë sekretin pas emrit Flora Cash me të cilin çifti prezantohet para publikut. Por me çdo interpretim para spektatorëve e me çdo regjistrim të ri nga Flora Cash nuk ka diskutim që ky emër enigmatik është tani gjithnjë e më i dëgjuar për skenën muzikore amerikane.

Për të mësuar më shumë për turneun e grupit dhe për të dëgjuar këngët e tyre të reja vizitoni faqen e tyre elektronike Floracash.com./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat