Malësori, artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun shqiptar, por edhe të respektojë atë

Muzikë

Malësori, artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun shqiptar, por edhe të respektojë atë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 18 korrik 2019 Në ora: 08:29
Malësori

Arti dhe kultura  janë ato që  ruajnë dhe mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar kudo që  kemi lindur, kudo që  shkojmë apo kudo jetojmë. Por , dashuria për  një art, apo për një shërbim të tillë , aftësohet përmes vullnetit dhe talentit që posedon njeriu. Edhe  këngëtari i mirënjohur  nga Trieshi ( Malësi e Madhe) Malësori  e kishte një ndjenjë  të lidhur me dashurinë për këngën , e cila i  lindi që në moshën e fëmijërisë, të cilën e vazhdon edhe sot  me pasion e sukses. Dhe për të ndjekur këtë rrugë artistike   ai  nuk e kishte aspak të lehtë, madje shumë të vështirë. Sepse lindi  në një mjedis jo shqiptar, në Podgoricë, ku edhe përfundoi shkollimin  fillor dhe të mesëm, në gjuhën jo amtare serbo-kroate.  Edhe pse  gjatë kësaj faze të shkollimit nuk mësoi  asgjë për kulturën dhe historinë e  shqiptarëve  në shpirtin e tij  të pastër si engjëll,  e ndjente dashurinë për popullin e vet. Kërkimin të tij për vetveten, për rrënjët, e gjeti tek dajat, të fisit Gjonaj,  në fshatin Rudinë , rrëzë malit  të Qytezës, ku  edhe fillon dashuria e tij  e parë për muzikën,  për veglat muzikore , për këngën shqipe dhe për  vallet tona popullore, duke u përfshirë në SHKA “ Besa” , e cila ka qenë, është dhe shpresoj se  do të mbetet institucioni më i lartë kulturor i Trieshit.  Pikërisht ky ansambël folklorik,  rëndësia e të cilit qëndron  në ruajtjen, kultivimin, zhvillimin dhe afirmimin e vlerave të njëmendta të kulturës kombëtare ,  ishte  ajo lule e bukur  ku Malësori  ( atëherë quhej Zvonko)  nuhati dhe e mori nektarin e parë të muzikës shqipe , duke e mbushur atë me dashuri  ndaj  kulturës muzikore, dhe vlerave  kulturore , të cilat burojnë nga thesari popullor.  “ Besa” i ofroi atij mundësinë që  të shfaq talentin e tij  në fillim si instrumentist, me çifteli e sharki, e më pas edhe si këngëtar. Këto vlera artistike  që ruajnë identitetin kulturor të Trieshit dhe të trojeve tjera shqiptare  e  mbushën atë gjithmonë me frymëzim dhe e shtynë  në kërkime të reja drejt rrugëtimit muzikor. Në moshën e tij të pjekurisë , ky  adhurues i kulturës shqiptare, bëri revolucionin e tij të parë. Ndërroi emrin e  tij të pagëzimit, mbase, pasi  u brumos me tharmin shqiptar,  ishte i vetëdijshëm se nuk i përshtatet  as përkatësisë  së tij kombëtare, as formimit të tij njerëzor e shpirtëror. Nga dashuria dhe nostalgjia që kishte për Malësinë e munguar për shumë vite zgjodhi emrin e sotëm shumë të bukur, me të cilin tashmë është bërë mjaft  i njohur, por edhe i dashur për shumë artdashës  në hapësirën mbarë shqiptare.

Me shembullin e Malësorit  krenohet e gjithë Malësia dhe më gjerë. Për faktin se ka shumë pak të rinj shqiptarë si ky   në Malin e Zi që e fitoi luftën e vështirë, gati të pamundur ndaj asimilimit të plotë.  Dhe atë   falë  mbi të gjitha  dashurisë së  jashtëzakonisht të madhe  që kishte për të ruajtur gjuhën, gjakun,  kombin, kulturën, traditën dhe flamurin  shqiptar.  Populli ynë nuk  thotë  kot: “ Gjaku nuk bahet ujë”.

 Një këngëtar që iu bie disa veglave muzikore, siç ka pasur shansin Malësori , ka shumë më tepër mundësi që të ketë sukses në interpretimin e këngës, që nuk është aspak i lehtë, por kërkon shumë punë, përkushtim dhe vullnet. Në këtë rrugëtim muzikor ai zgjodhi Prishtinën, ku jeton  tash 18 vite. Me vete nga Trieshi mori dashurinë për  këngën dhe një pjesë  të traditës shqiptare , të cilat dita-ditës iu thelluan  në shpirt dhe u bënë pjesë ( moto)  e jetës së tij. 

Kujtojmë se Malësori ka një veprimtari të gjatë  dhe të suksesshme artistike në skenën muzikore. Gjatë karrierës së tij të gjatë muzikore,  duke bashkëpunuar me artistët më në zë  shqiptarë, krijoi  dhjetëra këngë popullore ( balada fillimisht)   me motive të ndryshme, dashurie, sociale, kombëtare ....  Është autor i disa albumeve e videoklipeve.  Veçmas u bë i shumë i njohur  tek shqiptarët me këngën “ Kthehu” në vitin 2003,  një hit i vërtetë  i kohës që vazhdon të jetojë gjithmonë në zemrat e shqiptarëve  që janë larguar nga vendlindja.  Këndoi qindra këngë  të Malësisë dhe të trevave të veriut shqiptar, të  Malit të Zi,  Kosovës , Maqedonisë, por edhe të krahinave  tjera etnike shqiptare, sikurse   edhe në diasporë, në dasma e gëzime të tjera familjare. Kontribut të çmuar ka dhënë edhe në disa koncerte të mëdha kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heronjve shqiptar si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, e luftëtarë të tjerë të njohur të UÇK-së .  Malësori pati guximin që, ndjenjat e    krenarisë sonë kombëtare,  të gëzimit e hidhërimit të popullit shqiptar , që janë pjesë të jetës, pa të cilat jeta nuk do të kishte kuptim , dhe  emocionet e tij shpirtërore t’i ligjëroi (shpreh)  përmes këngës, e cila është ajo që i trajton dhe i shëron plagët e saj.  Kudo është mirëpritur dhe duartrokitur për zërin e tij të ëmbël , karakteristik, të veçantë dhe sjelljen e tij shembullore si artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun, por edhe të respektojë atë.

Kujtojmë se Malësori ka një veprimtari të gjatë  dhe të suksesshme artistike në skenën muzikore. Ka bashkëpunuar me këngëtarët më në zë shqiptarë dhe ka shfaqur qindra koncerte   në Mal të Zi, Kosovë e   vende të tjera . Kudo është mirëpritur dhe duartrokitur për zërin e tij të ëmbël , karakteristik, të veçantë dhe sjelljen e tij shembullore si artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun, por edhe të respektojë atë.

Vlen të përmendim se Malësori këto ditë  publikoi edhe  këngën e tij të re “ Llafe – llafe”, e cila pritet të jetë një freskim i këndshëm  për adhuruesit e tij në këtë stinë përvëluese  të verës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat