Intervista/ Flet këngëtari i mirënjohur i Polifonisë, Tartar Avduli: Kënga më e bukur për babain e Kombit, Ismail Qemalin

Muzikë

Intervista/ Flet këngëtari i mirënjohur i Polifonisë, Tartar Avduli: Kënga më e bukur për babain e Kombit, Ismail Qemalin

Nga: Albert Z. Zholi Më: 25 korrik 2019 Në ora: 18:07
Tartar Avduli

-Në festivalin e Gjirokastrës 1988 morëm çmim me këngën për Enver Hoxhën “Malet  rrotull hedhin lule”

-Në vitin 1989 na ftuan në Francë, u habita nga mirëqenia desha të arratisesha por...

- Në Francë mua më kishin në kontroll se isha më i ri 24 vjeç

- Kur kaluam nga Igumenica në Brindizi dhe pastaj në Francë habitesha sa pas bote ishim

Tartari është një këngëtar i qeshur, i dashur dhe shumë atdhetar. Edhe pse ka rreh 25 vjet jashtë atdheut dashuria për dheun e të parëve dhe këngët labe vjen duke iu rritur. Kur vjen i ndjen mungesat e shumta në atdhe; si mirësjellja, shërbimi në lokale, debatet politike vend e pa vend, çmimet e shtrenjta, por sërish nuk mund të rrijë pa ardhur në atdhe. Por ajo që e lidh më shumë me Vlorën është kënga labe, kjo këngë që atë e bën të rinohet edhe që i jep forcë. Kudo që është patjetër do këndojë apo do afrojë rreth vetes këngëtarë që t’ia marri vençe.

-Qysh në rini jeni pjesë e pandarë e këngës labe, kush ju zbuloi si talent?

Unë kam qenë angazhuar qysh në shkollën 8-vjeçare. Në klasën e 8-të ne si klasë formuam një grup të këngës, pasi donim të ndiqnim zakonet e fshatit që historikisht kishte grupe të rinjsh, e të vjetrish. Pasdite shkonim dhe Shtëpinë e Kulturës së fshatit  dhe shikonim dhe dëgjonim grupin e fshatit që përgatitej për  shfaqje të ndryshme apo Festivale.  Në atë kohë përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës ka qenë  Istref Muço një njeri i pasionuar pas këngës dhe që përpiqej që grupi i Tragjasit të nxirrte këngëtarë të mirë. Pra në këto kushte fillova unë të këndoj, dhe pse ende nuk kisha shfaqur hapur talentin tim. Pastaj vazhdoja të këndoj me  shokët  edhe kur  shkova në shkollë të Mesme industrial. Pra nuk shkëputesha nga kënga, më ishte bërë pjesë e jetës. Edhe kur isha vetëm në shtëpi këndoja. Ishte vitit 1977.

-Po me grupin e të rriturve të fshatit kur fillove të aktivizoheshe?

Në atë kohë fshati kishte një grup të mirë. Marrës i grupit ishte dyqanxhiu i fshatit. Dyqanxhiu edhe kur kishte zbor edhe festa të rëndësishme nuk mundej ta mbyllte dyqanin, pasi furnizohej fshati me bukë dhe me ushqime. Madje në zbor nuk e merrnin fare. Në atë kohë një nga festat më të mëdha ku këndohej labçe ishte Festa e Luftës së Drashovicës.  Në një nga këto festa  marrësi nuk erdhi kështu u detyruan të më aktivizojnë mua. Pra, ishte hera e parë që u aktivizova me grupin e të rriturve. Të gjithë më pëlqyen.

-Gjatë kësaj kohe çfarë aktivitetesh zhvilloheshin?

Atë kohë zhvilloheshin shumë aktivitete dhe çdo fshat kishte Vatër Kulture. Në vitin  1983 unë konkurrova në Festivalin e zonës që po përgatitej për në Festivalin e Gjirokastrës. Për fat të keq  nuk arrita të shkoj në këtë Festival dhe pse më pëlqyen dhe fitova, pasi në 12 shtator u martova  dhe në 1 tetor 1983 ika ushtar. Festivali zhvillohej në 16 tetor në Gjirokastër dhe unë nuk mora pjesë.  Bëra plot 27 muaj ushtri në aviacion, por dhe aty  unë u angazhova me Ansamblin e Aviacionit ku mora pjesë edhe në një Festival Kombëtar të Ushtrisë.

-Po pas ushtrie si vazhdoi rruga juaj me këngën dhe grupin e fshatit?

Sa mbarova mua më afruan me grupin e të rriturve. Bënim prova thuajse çdo ditë. Gjatë kësaj kohe filluam përgatitjet për Festivalin e Gjirokastrës së vitit 1988.  Unë në këtë kohë isha 24-vjeç. Në atë kohë kryesor në grupin e fshatit ishte Aranit Dautin dhe ne do shkonim në Festival me një këngë për Enver Hoxhën.  Titulli i këngës ishte “Malet  rrotull hedhin lule”

Malet  rrotull hedhin lule

ja po shihni, dilni shihni se po vjen.

Komandant Enver Hoxha po shkëlqen”.

Pra dy rreshtat e parë i merrte Araniti pastaj dy të dytat i vazhdoja unë. Pra me dy marrës me zëra të ndryshëm.  Si grup morëm çmim të parë dhe unë u bëra Laurant i festivalit. Kishte çmime të ndryshme në atë kohë.

-La mbresa ky Festival tek ju?

Sigurisht shumë pasi u bëra i njohur. Pas këtij Festivali kërkohesha kudo. Në Vitin 1989 një specialist i folklorit francez Zhanrro, nëse s’gaboj,  fton Asamble “Labëria” në Francë. Ftesa erdhi  për muajin korrik. Udhëheqës artistik i Ansamblit ishte Haxhi Dalipi një njohës i mirë i Polifonisë. Për të shkuar në Francë ne u grumbulluam një muaj në Vlorë dhe bënim prova shumë të intensifikuara. Ditë dhe natë. Ishim të gjithë të mobilizuar.  Tek ky Ansambël u mblodhën 30 këngëtarët më të mirë të Labërisë.  Midis tyre ishin treshja e Dukatit, Nazif Çela, Paro Ziflaj, Golik Jaupi, Katina e Himarës. Ermioni e Pilurit me grupin, Vranishti me Arapin Xha Etemin (Rahmet pastë ka ndërruar jetë!), Tragjasi me tre midis tyre dhe unë ishte Lefter Çipa, Feti Brahimi, Muhamet  Tartari. Festivali do zhvillohej në Danat në Francë.  Në Francë shkuam me traget  pasi kaluam me autobus Greqinë, Igumenicë, Bari i Italisë pastaj në Francë. Në atë kohë ne nuk kishim tragete për lëvizjen e njerëzve.

Çfarë aktiviteti u zhvillua?

-Ishte një festival polifonie me pjesëmarrje grupesh nga 27 vende të botës. Qëndruam nga data 1 deri në 31 korrik pra plot një muaj. Ne morëm vlerësim maksimal.  Kudo që jepnim shfaqje na duartrokisnin. Na prisnim me brohoritma.

-Pra shkove në Francë në kohën që Shqipëria ishte e mbyllur. Si t’u duk Franca? Si ishin dyqanet dhe çfarë ndjeje kur i krahasoje me dyqanet tona?

Ah! Qysh kur dolëm nga Shqipëria për në Igumenicë dallohej ndryshimi. Kudo që ndalonim shikonim dyqanet plot me mallra. Makina të shtrenjta. Shikonim tragete të mëdhenj. Në traget ushqimi ishte ekstra. Pastaj kur zbritëm në Francë befasia ishte e madhe. Nuk u besoja syve. Bollëk si në përralla. Ne në atë kohë hanim bukë me sheqer. Aty nuk ngopesha me bukë të bardhë, na dukej si bakllava. Fruta nga të gjitha llojet. Ushqim i bollshëm. Pije nga më të ndryshmet kur ne ë atë kohë, nëse bëje një dasmë s’gjeje dot birra,  pa le më pastaj verë.

-Nuk u tundove të qëndroje?

Në mëndje me shkoi, po ku ma mbante. Aq më tepër që ne sy survejoheshim kishim celulën e partisë me vete. Pastaj mendoja nusen fëmijët. Frika ishte e pranishme kudo. Por me ato që më panë sytë thashë me vete, sa pas që jemi. Ne ishim në ditën e kiametit. Unë isha më i riu në grup. Isha thuajse në qendër të vëmendjes. Isha kudo i shoqëruar. Unë isha sa këngëtar edhe valltar, Pra, në ansambël kisha dy role; këngëtar dhe valltar. Punonjësi i sigurimit mua më kishte në qendër të vëmendjes. Natën e parë në Danat fjetëm në hotel. E ku kisha parë unë hotel të tillë me 4 Yje?! O zot. Çfarë mrekullie. Shikoja dhomën dhe habitesha. Çfarë luksi, çfarë ushqimi, Si nata me ditën më dukej krahasimi.

-Kur u kthyet çfarë bëtë?

Ishte rregull që pas suksesit në Vlorë do jepnim një koncert, Ashtu u bë. Vlonjatët na pritën shumë mirë.  Më pas dhamë si Ansambël “Labëria” shfaqje në disa qytete jugore të vendit.

-Kur iku në emigracion Tartari?

Ika në vitin 1991. Pas 6 muajsh emigracion më ndërron jetë babai. Pra në fillim të 1992-shit. U detyrova të kthehem, dhe pse isha pa letra. Por sërish ika në ato mënyra që dihen. Në vitin 1993 riorganizohet Ansambli “Labëria” nga një biznesmen i cili e donte këngën labe. U mblodhëm të gjithë marrësit dhe secili bëri nga 5 këngë të reja për Ansamblin. Pasi mbarova këngët largohem sërish në Itali. Por 5 këngët mbetën këngët ndër më të bukurat e mia.  Në vitin 1994 më merr në telefon Haxhi Dalipi dhe më thotë se firma “Vefa” do sponsorizojë Ansamblin “Labëria”  ku do jenë një numër këngëtarësh stabël me pagesë. Po tashmë Ansambli do të quhej “Labëria ime”. Pra për 3 vjet 1994 deri ën vitin 1997 ne ishim me pagesë në Asamble ku bëmë shumë aktivitet dhe dhamë shumë koncerte.

-Po me Ansamblin “Labëria ime”.    A shkuat në ndonjë festival jashtë vendit?

Po në vitin 1996 shkuam në një Festival ndërkombëtar në Spanjë ku morëm Çmim Nderi. Kështu vazhduam deri në vitin 1997 . Pra nga firma “Vefa” ne paguheshim 500 dollarë në muaj. Në ato vite ne dhamë shumë shfaqje  në gjithë jugun. Drejtor Artistik ishte Haxhi Dalipi dhe në ansambël ishim rreth 22 këngëtarë dhe valltarë  labë.

 

-Deri në 1997 sa këngë kishit në repertorin tuaj?

Deri atë kohë unë arrita 30 këngë të miat. Pra të kënduara vetëm nga unë. Nuk ishin pak. Të 30 këngët sot janë Yuo Tube.

  • A kanë ndryshim këngët e tua apo janë me një vijë melodie vetëm ndryshon teksti?
  • Jo këngët e mia ndryshojnë si në të kënduar dhe në tekst. Janë këngë me variante të ndryshme.  Madje 10 nga këngët kanë një ndryshim të madh në marrjen, timbrin, ndalesat, uljen apo ngritjen e zërit. Pra kanë variante melodike shumë të ndryshme, që i japin muzikalitet këngës. Unë kam pasur një fat shumë të mirë se në Tragjas ka pasur këngëtarë të mirë dhe me zë të veçantë. Tragjasi ka marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1978 me këngën e famshme “Argjiro vetulla shkruar” këngë epike dhe ka vazhduar gjithmonë me këngë epike deri  në vitin 1989 që u thye me atë refrenin për Enverin “dilni shihni” dhe këto variante melodike të Tragjasit nuk u shfrytëzuan apo nuk u përdorën nga grupe të tjerë.  Çdo fshat ka karakteristikat e veta dhe melodinë e vet por epika e grupit të Tragjasit ishte pema që i jepte më shumë fuqi këngës.  Pra këngët lirike nga ato epike kanë të veçantat, por kënga epike e Tragjasit kishte shumë forcë, energji, ndërthurje që të detyronte ta dëgjoje por nuk ishte shfrytëzuar në të gjitha variantet melodike. Pra unë këtë kapa që kishte hapësira të mëdha për variante melodike. Kështu unë gjurmova dhe kapa shumë variante melodike duke takuar dhe biseduar me të gjithë pleqtë e fshatit. Secili dinte këngë të ndryshme nga të tjerët dhe me variant melodik ndryshe. Kjo më bëri për vete. P.sh., pyesja si këndohej në fejesa, martesa, festa, lindje, apo dhe vaje. Kështu mësova shumë gjëra ku kishte këngë me dy vargje pro shumë të fuqishme. Këto i kapa të gjitha.  Par në këngët e mia që bëra më pas nuk cenova apo nuk ndërhyra në variantet melodike të fshatrave përreth por qëndrova besnik i melodive të ndryshme brenda fshatit. Të moshuarit 70-80 vjeçar dinin këngë të ndryshme me variant melodik ndryshe.

-Me kë keni punuar më shumë në këto këngë me tekstet?

Me Hamdi Pulon që nga viti 1981 deri në 1996. Pra testet i bënte Hamdiu, pastaj vazhdova me Feti Brahimin një tekst për babain tim e kam me Muhamet Tartarin.

 

-Në Itali a keni mundur të organizosh ndonjë grup?

Jam përpjekur por më kot, Aty ku punoj dhe jetoj ka fare fare pak nga treva e Labërisë dhe ata pak që janë nuk ja thonë për këngë. Pra sado është dëshira por ka pamundësi. Duhet të kesh njerëz nga komuniteti lab të bësh diçka të tillë.

-Cila është kënga juaj e fundit?

-Kënga e fundit është për babanë dhe nënën time në studion e Artur Dhamos. 

 

Keni ndonjë plan të ri për këngë të reja?

Së ari 30 këngët e mia do ti bëj video klipe, Kjo është ajo që kam në plan së pari.

 

Po kënga juaj më e bukur?

Për mua është kënga e Ismail Qemalit me tekst të Hamdi Pulos, këngë e cila në You Tube ka marrë 400 mijë klikime. Kjo këngë është kënduar në Tiranë në vitin 1993 në  Pallatin e Kulturës. Ja disa vargje:

Plaku me mjekër të bardhë

bën të ngjitet në pallat

rojet kalonte me radhë

burri i shtetit  diplomat

…Kjo është kënga më e bukur epike për gjigantin e kombit tonë. Por edhe këngët e tjera janë të bukura.

A vazhdon grupi Tragjasit?

- Mblidhet rrallë dhe mbahet me shumë vështirësi. Njerëzit janë larguar, kanë halle, problem, kanë blegtori, bujqësi dhe janë shumë të angazhuar. Ta mbash grupin sot është një sakrificë e madhe.   Por kryesorja nuk ka sponsor. Shumë pak e ndihmojnë polifoninë sot. Nuk e di si do ecet por është shumë shumë e vështirë. Duhet të kujdesemi të gjithë për Polifoninë. Nga ana tjetër dalin dhe ca emra jo iso-Polifonia që e shtrembëron historinë. Isua është e fundit. Polifonia këndohej dhe pa iso më parë.

-Sa herë që vjen nga Italia si e shikoni Shqipërinë a po ndryshon  dhe çfarë i mungon, sipas jush, vendit tonë?

Nuk them se po ndryshon. Më vjen keq, por jemi shumë pas. Së pari, këtu mungojnë dy fjalët më të bukura njerëzore “Më fal!” dhe “Të lutem1” Kanë të drejtë se me atë fjalor që përdorin deputetët, ish-ministrat, ministrat dhe administrata të vjen për të vjellë. Pra, edhe harbut edhe fodull. Tjetra, është se ja jemi në sezon plazhi dhe Orikumi bosh. Bosh, sepse çmimet janë të kripura, nuk bëhet reklamë fare në televizione për sezonin turistik. Por jepen vetëm dhe vetëm emisione me debate politike. Vetëm politikë dëgjon që nga fëmija dhe deri te më i madhi. PS-PD-LSI.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat