Nuredin Gashi, rapsodi që këndon me zemër në dorë për shqiptarinë

Muzikë

Nuredin Gashi, rapsodi që këndon me zemër në dorë për shqiptarinë

Nga: Gëzim Loka Më: 13 mars 2020 Në ora: 20:07
Nuredin Gashi

Sa herë dëgjojmë jonet e këngës së tallazitur ndjenjash të thekshme atdhetare të Kosovës loke, tokës sonë të premtuar, krahas korifejve të saj si Dervish Shaqja, Nexhmije Pagarusha etj, na vijnë në vesh dhe në mendje si jehonë tingujt e trazuar të këngës së Nuredin Gashit, një tjetër bard i zërit dhe hijeshisë së veçantë të asaj toke dardane, që e lindi, e rriti dhe e nisi në rrugëtimin e vështirë të muzikës. Ky bir i Dernicës martrire, mik i legjendës së rezistencës antiserbe Adem Jashari, kontribues në Luftën Çlirimtare të Kosovës, me këngë dhe me ndihma financiare, që nga Suedia ku tash sa kohë jeton familjarisht, me bashkëshorten dhe pesë fëmijët, dy djem e tre vajza, e ka nisur rrugëtimin me këngën dhe çiftelinë e tij që në moshën 15 vjeç, kur siç rrëfen, bleu çiftelinë e parë dhe shumë shpejt e përvetësoi atë, për të vijuar më tej, në moshën 18 vjeçare si rapsod edhe në odat kosovare, në dasmat e asaj kohe, ku sharmi i këngës atdhetare, përcjellë me zërin e tij të fortë, sillte gjëmimet e luftërave dhe shpirtin e rezistencës aktive të bijve të shqipes dardane për liri dhe dinjitet shoqëror.

Të lindësh dhe të rritesh atje, në atë tokë që frymon liri dhe dashuri, mes lëndinave që fëshfërijnë dhe krojeve ujëftohtë që akullojnë, duke ndjekur meloditë sharmante dhe gjithë freski të ahishteve që fëshfërijnë, në Drenicën e bukurive dehëse dhe magjive që nuk kanë të sosur, është një favor që jo gjithkush mund ta ketë.

Në këtë natyrë që shpaloset e virgjër dhe madhështore, njeriu lind vetvetiu poet, piktor, këngëtar, bisedon me erën dhe lulen, dialogon me fëshfërimat e drurëve. Nuk është rastësi që në këtë mjedis idiliko-romantik, kanë lindur dhe janë formuar poetë, shkrimtarë, piktorë, njerëz të artit, që kanë bërë emër, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën e Shqiptarinë. Për fat të keq, ky mjedis idiliko-historik, ku lindi dhe u rrit e u formua këngëtari, ishte një mjedis që mbante era shkrumb nga plagët e luftës, nga dhuna dhe përndjekja serbosllave, e vjetër dhe e re, të cilës nuk do t’i shpëtonte dot as Nuredin Gashi, ky flakdan arti dhe lirie.

Image

Nuredini ishte anëtar i shoqërisë kulturore-artistike “Shote Galica” Drenas, i përndjekur gjithmonë nga regjimi serb, i dhunuar e i maltretuar për këngët patriotike, që në atë kohë nuk guxonte çdo kush t’i këndonte haptazi, kurse ai po, ia krihte telat si krifë çiftelisë dhe iu thërriste me zërin e tij prej bardi lisave e lëndinave të Drenicës, të gjallëve e të rënëve, stinëve dhe kohëve të shqiptarisë.

I lindur në vitin 1961, në një fshat të Drenicës, i qujtur Shtuticë, Komuna e Drenasit, kënga dhe muzika, tingujt e magjisë muzikore e shoqëruan që në fëmijëri, ku i dhënë pas muzikës dhe folklorit, e mori këngën kosovare me vete, kudo që vajti në rrugëtimin e tij të jetës.

Image

E thërrasin nën armë, ushtar i asaj kohe të ish Jugosllavisë, ku shkoje i gjallë, por mund të ktheheshe i vdekur, i mbijetoi edhe asaj ushtrie me disa plagë në trup, që i mbetën kujtim dhe sot i ka ende në trup. Kthehet në shtëpi dhe filloi prap me veprimtarinë e tij si rapsod dhe atdhetar, duke e përdorur talentin dhe këngën si një mundësi për të bërë sa më shumë lobim për Kosovën e tij, për ta shporrur një herë e përgjithmonë armikun nga trojet iliro-dardane. Kontaktet me Adem Jasharin dhe Hamzën, të cilët i kishte shokë armësh dhe ideali, i ruan në kujtesë si një kohë ikonë, ku gjithçka në jetën e tyre e tyre merrte frymë e gjallonte për hir të ëndrrës së shumëpritur për lirinë e Kosovës. Ai ishte ushtar i Bacës Adem, por pas një sëmundje që i kaplon të birin, detyrohet ta çoj në spitalin e Pejës, ku plasi sherri, pasi mjekët e instruktuar nga policia sekrete serbe kishin marrë urdhër t’i vrisnin djalin e vogël për shkak të emrit që mbante LIRIDON. Ishte viti 1992, kur nën terror e survejim, i përndjekur këmba këmbës nga hijet e vetë ferrit militar e paramilitar, e mori djalin fshehurazi nga spitali dhe iku për shërim në Suedi, ku punon e jeton familjarisht edhe sot. Falë Zotit i biri u shërua dhe ai e vazhdoi veprimtarinë atdhetare dhe në Suedi, madje me intensitet më të lartë, për të të kontribuar për atdheun e tij...

Lufta në Kosovë, e udhëhequr nga UÇK dhe boshti i Aleancës Euroatlantike me SHBA-në në krye, e përfshiu dhe Nuredin Gashin në valët e saj, ku ndihmon materialisht e fizikisht me të gjitha mundësitë e tij, duke dërguar madje dhe forca ushtarake e mjete finaciare, pa pushuar asnjë çast me pasion e përkushtim vetëmohues, deri në çlirimin e plotë të Kosovës....

Si rapsod, me këngën e tij të fuqishme, të gjallë dhe energjike, ka lënë gjurmë të mëdha në mërgtaën dhe diasporën mbarëshqiptare, me artin e tij folklorik e muzikor të papërsëritshëm...Nga këgët e tij të para për Azem Bejten, Shote Galicën, Ahmet Delinë, Hasan Prishtinën, Shaban Polluzhën, Tahir Mehën, te

kënga që ai dhe publiku artdashës e konsiderojnë kryevepër e Nuredin Gashit, një sagë epike rapsodike për legjendën e kombit shqiptar ADEM JASHARIN, përfshirë në albumin e tij që titullohet “Rapsodët në Suedi-Nuredin Gashi, këngë për Adem Jasharin”, 35 minuta e gjatë, ku përfshihet historia komplet e Bacës emblematik të trojeve të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, që u vetësakrifikua bashkë me njerëzit e tij të rrënjëve e të gjakut në altarin e shenjtë të lirisë.

Qeverisjet e dështuara në Kosovë dhe Shqipëri, e kanë çuar rapsodin drejt një vështrimi krtitik të realitetit, duke denoncuar në këngët e tij korrupsionin, nepotizmin, hajninë qeveritare e opozitare, në një përpjekje, siç thotë vetë për ta vetëdijësuar popullin tim në rrugën e duhur”.

Të mirënjohura për publikun artdashës janë këngët e tij për Shqipërinë e dashur, këngë për Skëderbeun dhe këngë për Enver Hoxhën, e cila ka marrë shumë klikime e pëlqime nga njerëzit, shqiptarët në të gjithë botën, të cilët u zhgënjyen me qeverisjet e kësaj kohe të keqe, dhe me të drejtë kanë nostalgji për epokën e Enverit, ku ekzisteonte drejtësia dhe siguria për shumicën e popullit. Sipas autorit dhe interpretuesit të kësaj kënge, Enveri vuri gurët e themelit të shtetit modern shqiptar dhe meriton një respekt e nderim të veçantë, sepse po mos të ishte ai burrë shteti, Shqipëria nuk do të ekzistonte në hartën e sijudhesës balljanike, por do të ishte shqyer nga çakenjtë tanë historikë.

Ky përkushtim dhe kjo qëndresë me këngë e çifteli, krahas përkrahësve të shumtë dhe simpatizantëve e fansave në Shqipëri, Koosvë, Maqedonine e Veriut, Mal të Zi e në gjithë hapësirën botërore ku jetojnë shqiptarët, i kanë sjellë dhe telashe e përndjekje, ku në Suedi ka përjetuar dy tentative për vrasje, të ndërmarra dy herë nga argatët e Serbisë, ku për fat të mirë, as herën e parë e as herën e dytë nuk e zunë dot plumbat e tradhtarëve.

Nuredin Gashi karakterizohet nga një zotërim që i bën objektit muzikor, këngës, melodisë, tekstit, duke i shkrirë në një, në ansamblin e një këngëtari të përgatitur shpirtërisht e profesionalisht për të kënduar, me një zë që edhe pse epik, ka ngrohtësi dhe lirizëm, me jone që thyhen dhe pasqyrojnë një spektër të gjërë të qasjeve të tij ndaj këngës, një zë i papërsëritshëm, që nuk ngjet me asnjërin nga këngëtarët e tjerë të Shqipërisë dhe Kosovës, me një tonalitet të pasur folkorik, që e tejkalon cakun trevor dhe përfshinë gjithë dimensionet e shqiptarisë. Ai, siç shprehet dhe vetë, “ndihet krenar që kam pasur mundësi që ta pasurojë historinë e popullit tim me këngë rapsodike dhe vepra të mëdha nëtë mirën e vendit. Në Drenicë linda e u rrita në luftë kundër shkajut, luftova si me pushkë ashtu dhe me këngë dhe kënga u bë për një armë akoma më e fortë se pushka, pasi ajo vret më shumë armiq e tradhëtarë dhe lartëson e fisnikëron më shumë zemra që kanë brenda tyre dashurinë për kombin dhe lirinë”.

Që kur këndoi për herë të parë e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, por në këngët për Kosovën ka shkëlqyer me sharmin e një zëri unik, zëri kushtrimtar. Ai iu këndoi dje dhe iu këndon sot, me të njëjtën forcë shpirti, talent dhe gjallëri, viseve të Kosovës, luftës epokale për liri e dinjitet shoqëror, figurave, heronjve, veteranëve të mbushur me plagë e dhimbje, këngë që me kalimin e viteve jo vetëm nuk ia ka shterur kumti e mesazhi, por janë bërë më të freskëta e më aktuale se kurrë.

Këngëtari kosovar, me këngën e tij, me aftësinë jo vetëm për të kënduar por dhe për të ndjekur ritmet kulturologjike të botës shqiptare, e kalon Drenicën, e kalon Kosovën, e kalon Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Çamërinë, emigracionin dhe diasporën shqiptare në Suedi, në Evropë e gjetkë dhe mbetet një këngëtar simbol lirie e bashkimi ndër veti të të gjithë shqiptarëve, kudo që punojnë e jetojnë, në trojet e tyre etnike, apo jashtë, në dhe të huaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat