Adem Dalipi, shqiptari që depërtoi nga “American Idol”: Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm - Bota Sot
Adem Dalipi, shqiptari që depërtoi nga “American Idol”: Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm

Muzikë

Adem Dalipi, shqiptari që depërtoi nga “American Idol”: Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm

Më: 23 mars 2020 Në ora: 14:00
Adem Dalipi

Prindërit e tij kanë lindur në Maqedoni, në një fshat të vogël të quajtur Kërçovë. Më pas janë transferuar në ShBA bashkë me prindërit. Atje shkuan në shkollë dhe u martuan në Ilinois. Më pas ka lindur djali i tyre, Adem Dalipi i cili sot është 17 vjeç e që po mahnitë me talentin e tij në muzikë.

I lindur dhe rritur në Amerikë, Ademi ka treguar për KultPlus se jo çdo gjë ishte e lehtë për familjen e tyre në këtë vend të madh.

“Unë kam lindur në Amerikë më 2003 (tani jam 17-vjeç) dhe jam rritur aty. Prindërit më merrnin bashkë me vëllain dhe ktheheshim verës në shtëpi për ta vizituar familjen dhe për të mësuar më shumë rreth fshatit dhe kulturës sonë. Në Amerikë pata shumë keqkuptime për shkak të emrit, por sidoqoftë sfondi im kulturor ishte i ndryshëm sepse ne angazhoheshim në komunitetin shqiptar që na rrethonte.”

AMERICAN IDOL – “Hollywood Week” – Coverage. (ABC/Eric McCandless) ADEM DALIPI

Por, talenti i tij për muzikë ra në sytë e profesorit qysh në klasë të tretë, kështu ai  paralajmëroi nënë e tij që djali kishte “vesh për muzikë”. Kjo i ndihmi Ademit për të nisur rrugëtimin e tij, fillimisht duke mësuar kitarë e më pas nis të këndojë dhe të mësojë instrumente të tjera.

“Kam shkruar muzikën time qysh kur isha 11-vjeç. Prindërit e mi nuk qenë marrë me muzikë, prandaj ishte pak e vështirë për mua. Ata filluan të shohin seriozitetin tim dhe kështu nisën të më mbështesin. Së bashku gjetëm mundësi për të krijuar lidhje me njerëzit në industri.”, ka treguar Ademi i cili aktualisht ka filluar të prodhoj dhe regjistroj muzikë në studio, ku i ka dy këngë që i ka shkruar vet. Ndërsa, këtë verë, do ta lansoj një EP që ka pasur mundësi ta incizoj profesionalisht në Los Anxhelos, Kaliforni. 

Një ndër mundësitë më të mira që i ka ardhur në duar, si një djalë i ri në këtë fushë, është edhe ftesa për audicion në “American Idol”. Ishte vera e vitit 2018, kur sapo kishte mbaruar disa incizime në Toronto të Kanadasë dhe një producent nga “American Idol” e ftoi në audicion. Atë kohë ishte vetëm 15-vjeç, dhe kishte fatin të merrte tiketën e artë nga një juri e përbërë nga këngëtarët e famshëm si: Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan.

“Pas kësaj unë kam shkuar edhe në “Javën e Hollivudit”. Kjo shfaqje më dha besim të madh që unë do të jem artist serioz në të ardhmen, dhe kjo do të më ndihmojë për lidhje të reja me industritë muzikore”.

Amerika ka një treg të gjerë të muzikës, artistë nga e gjithë bota vërshojnë drejt këtij vendi për të realizuar ëndrrat e tyre, por Ademi beson fuqishëm se do të sigurojë vendin e vet dhe audienca do ta mbështesë.

“Kam një sfond unik në muzikë, me ndikim të madh nga bluzi. Duke qenë se vet i shkruaj këngët e mia, besoj se audienca do të më mbështesë në rrugëtimin tim.”

Ndërsa, ka vetëm 3 javë që ka publikuar këngën e re të cilën e ka prodhuar vetë. Kënga titullohet “Wanting for you” dhe është shoqëruar edhe me një videoklip mjaft të këndshëm. Kënga është pritur shumë mirë dhe Ademi pohon që ka marrë mjaft kritika pozitive.

Duke qenë në fillet e karrierës, padyshim që ai ka shumë ëndrra që pritet t’i realizojë. Një ndër to është edhe bashkëpunimi me John Mayer.

“Një nga inspirimet e mia më të mëdha, do të ishte gjë e mrekullueshme të bashkëpunoja me të. Një tjetër artist që më vjen tani në mendje është Mac Ayres.”

Ndërsa, i pyetur për sukseset e vajzave shqiptare si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e Ava Max të cilat tashmë kanë prekur majat e muzikës botërore, Ademi thotë se ky është qëllimi dhe ëndrra e tij.

“ I respektoj të gjithë shqiptarët që kanë arritur, pasi është e vështirë të kesh sukses në këtë industri. Bebe Rexha dallohet sepse ka pasur shumë vështirësi me të cilat është përballur derisa ka arritur aty ku është.”

Muzikë shqip pohon që dëgjon pak, megjithatë ka dy artistë aktual që i dëgjon, ai është Ledri Vula dhe Gashi.

“Dëgjoj gjithashtu grupin “Elita 5”, babai im e shijon muzikën e tyre”, pohon Dalipi i cili shprehet i gatshëm për bashkëpunime me artistët shqiptarë.

Përderisa në Maqedoni ai shkon shpesh për vizitë bashkë me familje, Kosovën ende nuk ka pasur rast ta vizitojë. Por ai ka plan që këtë verë të vizitojë natyrën dhe bukuritë shqiptare dhe gjithashtu shpreh dëshirën që të perfomojë në Kosovë apo Shqipëri.

Rrugën e nisur e sheh të gjatë dhe të suksesshme, por për këtë ai është duke punuar shumë. Dalipi po planifikon që ta lëshoj EP-në shumë shpejt, por për shkak të Covid-19 gjithçka ka mbetur pezull.

Krejt për fund, artisti i ri ka një mesazh për të rinjtë shqiptarë: Gjeni diçka që me të vërtetë doni ta bëni dhe bëni gjithë përpjekjet tuaja që ta arrini atë. Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat