Shkelzen Jetishi, bilbil dhe gardian i këngës së bukur shqiptare - Bota Sot
Shkelzen Jetishi, bilbil dhe gardian i këngës së bukur shqiptare

Muzikë

Shkelzen Jetishi, bilbil dhe gardian i këngës së bukur shqiptare

Ramazan Çeka Nga Ramazan Çeka Më 10 maj 2020 Në ora: 15:50
Shkelzen Jetishi

Në profesionin tim si poet dhe publicist veç mardhënieve të mira apo dhe mirëkuptimit njerëzor që kam pasur me këngëtarë të shumtë, jam munduar të pasqyroj me realitet edhe vlerat artistike e kulturore të këtyre këngëtarëve si profesionistë të përkushtuar ndaj artit dhe pasionit të bukur të të kënduarit, duke u ndalur vazhdimisht në vlerat e kontributit që secili jep në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore e shpirtërore kombëtare.

Në gjithë këto vite pune e bashkëpunimi, i prirur për të marrë dhe dhënë më të mirën time të mundshme, kam pasur fatin që shumë nga këto marrëdhënie ta kalojnë atë pragun elastik e të kthehen në afrimitet shoqëror e njerëzor, sa të marrin kuptim gati vllazëror.

E tillë është edhe marrdhënia ime me bilbilin e këngës së bukur shqiptare Shkelzen Jetishi, i cili zë një vend shumë të veçantë tek miqt e mi më të afërt për çka ndihem tepër krenar dhe i privilegjuar për këtë mundësi të artë njohjeje, si një ndër pasuritë më madhore të fituara, falë profesionit tim si tekstshkrues apo bashkëautor këngësh.

Image

Ndjehem i vlerësuar që tashmë marrëdhëniet tona janë konsoliduar dhe brumosur në shumë bashkëpunime këngësh të suksesshme që Shkelzen Jetishi i ka dhuruar publikut shqiptar anë e mbanë botës me atë zë teje të veçantë që buron nga shpirti i këtij artisti të madh.

Më ka rastisur t'i dëgjoj shpesh këto këngë jo vetëm në skenë, por edhe në sheshe, raste gëzimi, në ekran, apo edhe në udhëtime, tingujt e të cilave vinin nga volumi i lartë i altoparlantëve të makinave si preferenca nga grupmosha të ndryshme, ku e fundit ishte ajo e pak ditëve më parë tek po filmoja disa plane në natyrë diku në zonën e Shirokës, nga ku mora shkas edhe të bëj këtë shkrim, pasi në sfond ishte kënga "Ndal o jetë" një këngë mjaft e arrirë e Shkelzen Jetishit, e cila më dha një emocion tejet të veçantë, jo vetëm për faktin se ishte teksti im, por më tepër për atë kënaqësinë që provova, kur kupton se puna të pëlqehet dhe vlersohet nga njerëzit.

Kurioz ktheva kokën të shoh nga makina dhe pashë një çift mjaft simpatik, i cili në atë rahatinë e tyre rinore po dëgjonte këngën dhe sodiste pamjet përrallore pranverore përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës. Tek largohej makina, në mendimet e mia mbeti një pytje pa përgjigje, të cilën do doja ta ndaja edhe me lexuesit dhe miqt e mi.

E dini ju kush është këngëtari Shkelzen Jetishi?

Nën trysninë e këtij kurioziteti vendosa të bëhem navigator për të kuptuar sa informacion mund të gjindet ne google ku vendosa të klikoj. Të jem i sinqertë u ndjeva i befasuar sa pak info kishte për jeten dhe vlerat e këtij artisti kaq të madh shqiptar, i cili meriton vëmendje shumë më të madhe se sa e sa persona politikë e juridikë për të cilët ka lumë informacionesh.

Sigurisht të flasin për jeten e një këngëtari apo artisti mediat janë skeptike, pasi çdo gjë e peshojnë me vlerat e interesit ekonomik, duke pretenduar se po u servirin publicitet, por sërisht nuk arrij të kuptoj se si mund të jenë kaq indiferente ndaj artistëve të mëdhenj si Shkelzen Jetishi, të cilët po japin kontribut tejet të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Disi i habitur dhe pak i revoltuar vendosa t'i përgjigjem vetë kësaj pyetje.

Shkelzen Jetishi apo Xeni, siç njihet me emrin artistik, vjen nga një familje artëdashëse gjakovare me virtute të larta fisnore e kulturore, virtute të cilat i kanë trashëguar më së miri te ky pinjoll i familjes Jetishi. I aktivizuar që në moshë të re në fushen e artit në degën e kantos realizon shumë këngë të bukura si solist, ku bashkë me moshen që piqej, stërvit dhe ushtron hap pas hapi me pasion zërin, veshin dhe notat muzikore, duke fituar aq dhunti e mjeshtëri, sa të matet me muzikantët dhe këngëtarët më në zë të asaj kohe si Qamili Vogël, Mazllum Mezini, Esat Bicurri, Ismet Peja e shume e shume të tjerë në Gjakovë, e njohur ndryshe edhe si "Qyteti e Këngës" simotra me "Djepin e Kulturës" Shkodren.

Ky ambjent ka ndikuar pozitivisht edhe në karrieren e këngetarit, duke i dhënë atij mundësi të fitojë cilësi të veçanta si një talent i rrallë, sa në repertorin e tij të kushtëzohet interpretimi vetëm i këngëve të pastra qytetare shqiptare.

Ashtu si shumë artistë kosovarë të cilët janë formuar dhe kanë bërë karrierë në periudhen e para luftës, ku rrugëtimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë dhe i kushtëzuar nga presioni nacionalist serb i asimilimit kulturor, edhe karriera e Shkelzen Jetishit ka pasur peripecitë e veta për të arritur majat e suksesit, me të cilin bëri emër në fushen e artit muzikor. Këto vlera sado të dua t'i përmbledh, jam i bindur se nuk do mund t'i përfshij në një shkrim të vetëm, pasi do duhej hulumtim i gjatë dhe i thellë për t'i pasqyruar mirëfilltë, e për t'i përmendur të gjitha.

Megjthatë duhet theksuar fakti se falë këmbënguljes, pasionit dhe bashkëpunimit me artistë të mëdhenj të këngës dhe muzikës, këngëtari Shkelzen Jetishi ka ditur t'i ruajë dhe kultivojë vlerat kulturore e shpirtërore të trashëguara me aq kujdes në këtë qytet të artit e kulturës së kulluar shqiptare.

Këngëtari Shkelzen Jetishi në repertorin e tij numëron qindra këngë solo e bashkëpunime me këngëtarë të mëdhenj si; Ismet Peja, Barush Doda, Shyhrete Beluli, Zenel Doli, Afrim Muqiqi, Bujar Qamili, Kastriot Tusha, Merita Halili, Manjola Nallbani, Eli Fara, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi, si dhe shumë e shumë këngëtarë të tjerë, deri te djali i tij Korab Jetishi, pa anashkaluar dhjetra albume ku spikasin ato me tematika sociale, patriotike, balada e deri edhe këngë të gëzimeve të veçanta familjare, si dasma e datëlindje.

Gjithmonë bashkëpunues është terguar me poetët, autorë të teksteve të këngëve të tia si: Jorgo Papingji, Ilir Berani, Fatmir Muja, Ramazan Çeka, Ivzi Krasniqi, Shkëlqim Rraci, Aida Baraku etj, si dhe në realizimin e këngëve në studiot më prestigjoze me kompozitorët më të shquar si Vllaznim Buxhovi, Sabah Butyçi, Wirusi, Florent Boshnjaku, Ilir Shaqiri, Edi Balili, Edmiond Zhulali, Ruzhdi Sadiku, Xhevdet Gashi, Enis Presheva, Shkëlqim Rraci, Valter Beqo, Alban Furtuna, Armend Rexhepagiq, Ilir Balla, Luan Dagistani, Zaim Merkulaj e shumë të tjerë, duke realizuar me mjaft profesionalizëm edhe videoklipe me producentët më të suksesshëm dhe televizionet më të njohura në Kosovë e Shqipëri, ku do veçoja atë të 2017-tës "Këngët e reja t'i këndojmë, por të vjetrat mos t'i harrojmë" i cili mbart edhe një mesazh motivues e shumë domethënës për ruajtjen dhe trashëgimin e këngës së bukur qytetare, duke e bërë këtë artist gardian të këtyre këngëve dhe vlerave të tyre.

Këngëtari Shkelzen Jetishi i përkushtuar me gjithë shpirtin e kësaj trashëgimie për këngën dhe muzikën e bukur shqiptare me pasion po ia trashëgon këto vlera edhe djalit të tij të madh Korabit, i cili mesa duket premton po aq sukses sa babai i tij.

Këngëtari Shkelzen Jetishi falë pasurisë së repertorit dhe pjesëmarrjes në shumë evenimente është nderuar me vlerësime dhe çmime ndër të cilat spikatin ato të performancës më të mirë, por vlerësimin më të madh, ashtu siç ndodh me artistët e mëdhenj, ia ka dhënë populli, pra publiku që e don dhe e nderon aq shumë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare dhe anë e mbanë botës ku shqiptarët jetojnë e punojnë.

Pjesëmarrja dhe prezenca e tij në ahengje dhe gëzime familjare e ndez atmosferen si askush tjetër dhe kjo ka bërë që të jetë ndër këngëtarët më të kërkuar.

Edhe unë që shkruaj për këtë bilbil gjakovar, kam pasur fatin e madh ta kem në dasmen e djalit tim, ku ai përjetoi ashtu si gjithë të ftuarit atmosferen e një dasme shkodrane, ku merrte pjesë për herë të parë, e ku, me shumë respekt u shpreh: "Ndihem shumë i lumtur që këndoj në qytetin e këngëtarëve të mëdhenj Marie Kraja, Bik Ndoja, Luçie Miloti, Shyqyri Alushi, Bujar Qamili e shumë të tjerë".

Shkelzen Jetishi është këngëtari dhe artisti me të cilin krenohet e gjithë Kosova dhe krejt Shqiptaria. Ai gjithashtu është qytetar model dhe familjar i përkushtuar me virtute që e pasurojnë akoma më shumë portretin e tij si artist profesionist i këngës së bukur dhe të pastër qytetare shqiptare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat