Hamit Batalli, një zë i ngrohtë dhe original i këngës luriane e dibrane

Muzikë

Hamit Batalli, një zë i ngrohtë dhe original i këngës luriane e dibrane

Nga: Gëzim Loka Më: 19 korrik 2020 Në ora: 21:57
Hamit Batalli

Lura të bën poet, piktor, këngëtar, artist edhe kur nuk je i tillë, ndërsa kur artin e ke në gen, ta pasuron e fisnikëron, ta përcjell sipas modeleve të natyrës së saj befasuese, që në çdo trajtë e dimension përcjell kumte dhe mesazhe  poetike.

Në Lurë lindi dhe u rrit, edukuar në odat luriane të Karareve të Dheut, dhe në Lurë i ktheu këngët e tij, shpirtin muzikor të mbushur me tinguj e melodi, gjithçka që natyra ia fali me bujari e fisnikëri. Hamit Batallja, këngëtari me zë të veçantë, e përcjell çdo ditë vendlindjen e tij, Lurën e një mijë e një bukurive të harlisura, Dibrën e pushkës dhe qëndresës, Mirditën e krenarisë legjitime mbarëshqiptare, trevat e veriut shqiptar, në një repertor këngësh, që pasurohen çdo ditë dhe e plotësojnë gjithnjë e më shumë portretin e tij artistik. 

Në krahinën mbresëlënëse ku kanë rrënjët dhe degët këngëtarë virtuozë si Arif Vladi, muzikologë e etnologë si Ilmi Kolgjegja, radhitet edhe Hamit Batallja, këngëtari lirik, me një zë të ngrohtë, që të bën për vete me thjeshtësinë dhe bukurinë e një shpirti muzikor, që ka derdhur e vazhdon të derdhë për Lurën dhe lurianët e tij thesaret e shpirtit artistik.

Hamiti dallohet për përkushtimin e tij në dhënien me sharm dhe elegancë të këngëve që i kushtohen trimërisë dhe qëndresës luriane, bukurive magjiplote, dashurisë baritore dhe romantikës emocionuese që mbart jeta në një trevë kaq idilike dhe romantike. 

Hamit Batalli Lindur me 10 gushte 1966, në Krej –Lurë. Ka marrë pjesë që i vogel në grupin artistik “Lura” deri me sot, ku ka kënduar me mjeshtri artistike, plot ndjenjë e pathos këngë popullore.  Pas viteve 90 ka kënduar në dasma dhe ka interpretuar si instrumentist, duke e kthyer këngën dhe muzikën jo vetëm një hobi e dhunti që burojnë nga talenti muzikor,  por dhe një mënyrë jetese të tij.

Midis këngëve mund të radhisim vetëm disa si: “Fluturoj zogu i verës” (kënduar nga Hamit Batalli dhe Arif Buci), “Moj e mira bash si zana” (kënduar nga Hamit Batalli dhe Vjollca Moriseni), “N’tan Evropën” (Hamit Batalli dhe Arif Buci), “N’Karadak luen tërmeti” (Arif Buci dhe Hamit Batalli), “Xhemile Gjogjegja” (Arif Buci dhe Hamit Batalli), “A e man men, oj cucë” (Trëndelina Buci dhe Hamit Batalli”, etj.

Gjithashtu ka kënduar këngët “Dasma Luriane, perla iliriane”, me tekst  nga Gjokë Beci, këngën  “Mos harroni se jemi Lurianë”, me tekst e muzikë të tij dhe kënduar nga ai vetë, pra Hamit Batalli në këtë këngë është edhe autor teksti, edhe kompozitor, edhe këngëtar. Gjithashtu në repertorin e tij radhiten kënga “Lura e lashtë sofër vllaznimi”, me tekst të Mevlud Bucit, kënduar nga Hamit Batalli, këngë kushtuar Dom Nikoll Kaçorrit në 100 vjetorin e tij. Është i martuar dhe ka dy vajza dhe një djalë te mrekullueshëm.

Në këngët e zgjedhura për intepretim, të krijuara apo pjesë e trashëgimisë muzikore dibrane e më gjërë, në zërin e Hamit Batallit mbartet psikologjia e lirizmit të trevës nga vjen, që dashurinë, erotikën, dasmën, harenë dhe gazin që të sjellin kënga dhe vallja, e ka në themelin e etnosit natyral, të trashëguar apo të krijuar në këto vite të çlirimit të madh të artit muzikor nga tabutë dhe kufizimet.

Në vazhdën e ikonave të muzikës popullore dibrane si Hazis Ndreu, Melita Shehu, Arif Vladi, Qerim Sula, Lirie Rasha, Saje Poleshi, Sherif Dervishi, gjer tek më të rinjtë si Lirim Hoxha,Hajredin Gjeta, etj, emri i Hamit Batallit përcjell një histori më vete performance dhe suksesi.

Këngët e tij janë burimore të mirëfillta të folkut, edhe në rastet kur përpunimi i tyre i nënshtrohet sprovave profesionale të kompozitorëve të njohur dhe të studiove muzikore.

Këngët më të arrita të interpretuara prej tij janë ato dibrane dhe Lura me bukuritë sharmante dhe dehëse, me historinë dhe përditshmërinë e trazuar, përbën temën kryesore të këture këngëve dhe të foksimit të tij si artist I skenës.

Është një këngëtar që prefereohet në dasma e gëzime, për shkak të sharmit që përcjell me interpretimin e tij të veçantë, me zërin e ngrohtë dhe koloritin e pasur intrepretativo-emocional.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat