“Visar Kuçi Trio” sjellin albumin e ri në zhanrin modern jazz

Muzikë

“Visar Kuçi Trio” sjellin albumin e ri në zhanrin modern jazz

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 12:48
Visar Kuçi Trio

Treshja “Visar Kuçi Trio” së shpejti do t’i gëzojnë artdashësit e tyre nëpërmjet publikimit të albumit të tyre të tretë.

Ky album premiera e së cilës do të jipet më 22 dhjetor ka emrin “Departures” dhe do të promovohet nëpërmjet një koncerti në Kino Armata në Prishtinë.

I përbërë nga tetë krijime artistike të kompozuara nga Visar Kuçi, brenda albumit që i takon zhanrit modern jazz është edhe kënga “Departures”, nga i cili edhe e ka marrë emrin albumin.

Ky album është dedikim për Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve më të mëdhenj të trios,ndërkaq emërtimin e kanë simbolik dhe aktual me gjendjen e krijuar në glob.

“Departures”, në gjuhën shqipe, në terminologjinë e fluturimeve, përkthehet si “Nisjet”, mirëpo ka edhe kuptime të tjera si: largim ose shmangie. “Departures” (Nisjet) gjatë këtij viti ishin pothuajse plotësisht të ndaluara për të gjithë, gjë që e bën krijimin muzikor të hapësirave të reja nga trio edhe më domethënës”, thuhet në njoftimin e trios.

Në anën tjetër, albumi është incizuar në Stamboll në “Hayyam Studio” në nëntor të vitit 2019, teksa gjendja e krijuar nga pandemia bëri që planifikimet e publikimit në qershor të shtyheshin për në dhjetor.

“Albumi i takon zhanrit “Modern Jazz” dhe është një përfaqësim i shumë stileve apo nën-zhanreve të muzikës jazz. Kryesisht ka karakter minimal me tema të shtrira që krijojnë hapësirë meditative për dëgjuesin”, thuhet tutje për albumin e ri të Trios.

Përderisa albumi do të publikohet në formë të CD-së, ai do të jetë prezent edhe në platformën muzikore Spotify.

Dizajni i mbështjellësit është punuar nga Nita Salihu – Hoxha dhe është përfaqësim i drejtpërdrejtë i konceptit muzikor që ka ky album, teksa audio miksimi dhe masterizimi është realizuar në Prishtinë, nga Tomor Kuçi.

“Visar Kuçi Trio” u formua ne vitin 2013 nga Visar Kuçi në kitarë,  Enver Muhamedi në kontrabas dhe Enes Bajramliqi në tupana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat