Në 86-vjetorin e lindjes së Mbretit të Rrokut, Elvis Presley

Muzikë

Në 86-vjetorin e lindjes së Mbretit të Rrokut, Elvis Presley

Më: 9 janar 2021 Në ora: 20:29
Elvis Presley

Elvis Presley, ylli i parë botëror i muzikës rok, këtë javë do të festonte 86-vjetorin. Legjenda e skenës muzikore ka dashamirës në të gjithë botën dhe disa prej tyre kanë në plan ta kujtojnë Mbretin e Rok en Rollit me një aktivitet dixhital.

Graceland, kështu quhet vila ku jetonte artisti më popullor në botë, Elvis Presley. Ai u bë simbol i një revolucioni muzikor në Shtetet e Bashkuara dhe në botë në moshë fare të re. Këtë javë ai do të kishte festuar 86-vjetorin.

Jeta dhe vdekja e Elvisit janë të lidhura në mënyrë të pandashme me banesën e tij, Graceland, në Memfis të shtetit Tenesi, ku ai jetoi për më shumë se 20 vjet. Ishte përmbushja e ëndrrës së tij të fëmijërisë për të ndërtuar një shtëpi madhështore në Memfis.

Tani simpantizantët e tij organizojnë pelegrinazhe nga e gjithë bota për të kujtuar artistin që ka lënë këngë të paharrueshme si "Love Me Tender" dhe "Jailhouse Rock".

Në mjediset e saj shihet qartë ngrohtësia e shtëpisë. Tani Graceland do të organizojë një ceremoni për ditëlindjen e artistit, me një kek feste dhe duke shpallur Ditën e Elvis Presleyt në qytetin Memfis dhe Komunën Shelbi.

Dashamirësit që nuk mund të marrin pjesë mund ta ndjekin ceremoninë në faqen e Graceland-it në Faceboook.

Në fillim të pandemisë, Graceland u mbyll për disa javë, por u rihap disa muaj më parë.

Vizitat në këtë shtëpi/muze ende vazhdojnë, por me kufizime për shkak të koronavirusit si distancimi fizik e maskat e detyrueshme.

Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935, në Tupëlo të Misisipit. Ai ishte fëmijë i vetëm pasi vëllai binjak vdiq gjatë lindjes.

Në 1948, familja Presley u vendos në Memfis të shtetit Tenesi. Një vit pasi mbaroi shkollën e mesme në 1953, Elvisi filloi karrierën artistike me kompaninë diskografike Sun Records, një ikubator talentesh që ka mbështetur e zhvilluar disa nga emrat më të mëdhenj të rok en rollit të hershëm.

Në fund të 1955, ai kishte kontratë regjistrimesh me kompaninë RCA Victor. Në moshën 21 vjeçare ai kishte marrë famë ndërkombëtare. Pa u përpjekur për të përfituar nga statusi i tij si artist, ai kreu me nder shërbimin ushtarak.

Më 1 maj 1967, ai u martua me Priscilla Ann Beaulieu, të cilën e kishte takuar në Gjermani gjatë shërbimit ushtarak, kur Priscilla ishte 14 vjeçe. Vajza e çiftit, Lisa Marie lindi në 1968. Elvisi dhe Priscilla u ndanë në 1973.

Ai mbeti një forcë artistike legjendare gjatë gjithë jetës, por edhe pas vdekjes. Në shkallë globale, Elvis Presley ka shitur më shumë se 1 miliard regjistrike, më shumë se çdo artist tjetër. Gjatë karrierës së tij, ai luajti në 33 filma. Për krijimtarinë e tij Elvisi fitoi tre çmime Grammy dhe në moshën 36 vjeçare u nderua me Grammy për Veprën Artistike.

Mbreti i Rokut mbetet një nga figurat më të rëndësishme të shekullit të 20.

Në Manila të Filipineve, Klubi i Miqësisë Elvis Presley organizon shfaqje të ndryshme me këngëtarë që interpretojnë këngët e tij dhe imitojnë lëvizjet e famshme të artistit.

"Të gjithë e duan Elvis Presley-n. Anëtarët e klubit tonë kanë premtuar ta kujtojnë përjetë. Zakonisht mblidhemi tre herë në vit për aktivitete kujtimore, por këtë radhë është e pamundur. Prandaj do ta kujtojmë në zemrat tona dhe me një aktivitet përmes internetit. Të gjithë mund të marrin pjesë duke na ndjekur, mund të dëgjojnë këngëtarët e Klubit të Elvisit. Jam i bindur se njerëzit do të kënaqen,” thotë Douglas Masuda, president i Klubit të Miqësisë, Elvis Presley.

Elvis Presley u nda nga jeta më 16 gusht 1977 në Graceland. Ai ishte 42 vjeç. Por ata që e deshën dhe vazhdojnë ta duan, ai mbetet i pavdekshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat