Arti i plaçkitur nga nazistët, përplasjet për violinën e Guarnerit

Muzikë

Arti i plaçkitur nga nazistët, përplasjet për violinën e Guarnerit

Më: 28 janar 2021 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Një violinë e punuar nga prodhuesi i famshëm i violinave, Joseph Guarneri qëndron në qendër të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme midis një fondacioni dhe trashëgimtarëve, nëse ajo duhet të hyjë në kategorinë e “pasurive të plaçkitura grabitur nga nazistët” apo është shitur me vetëdëshirë para vitit 1945.

Instrumenti i vlefshëm ishte punuar në shekullin XVIII, në Kremona të Italisë, një bastion i mjeshtërve të famshëm të violinave. Violinat e punuara nga Guarneri janë po aq të famshme sa instrumentet me tela të çmuara të punuara nga Antonio Stradivari.

Pronari i kësaj violine të veçantë ishte tregtari i instrumenteve muzikore, Felix Hildesheimer, i cili e kishte blerë atë në vitin 1938 nga dyqani i instrumenteve “Hamma & Co.” në Stuttgart. Menjëherë pas kësaj, për shkak të prejardhjes së tij hebraike, Hildesheimer u detyrua të shiste shtëpinë e tij dhe dyqanin e muzikës në Speyer nën ligjet naziste dhe dekretin famëkeq “Reich Flight Tax”, e quajtur gjithashtu “taksa e arratisjes”.

Përpjekjet e tij për të marrë një vizë për të ikur në Australi, dështuan. Më 1 gusht të vitit 1939, Hildesheimer bëri vetëvrasje. E veja e tij u internua nga nazistët në kampin e burgut Gurs në Francën jugore, por në fund arriti të shpëtonte duke kaluar përmes Marsejës. Edhe dy vajzat e tij emigruan në Amerikë.

Në vitin 1974, violinistja Sophie Hagemann (1918 – 2010) nga Nurembergu e bleu violinën e Guarnerit, të punuar në vitin 1706. Me grupin e saj muzikor, “Duo Modern”, ajo ia kushtoi koncertet e saj së ashtuquajturës “muzikë e degjeneruar”, që u ndalua gjatë regjimit nazist. Ajo ishte martuar me kompozitorin Franz Hofmann, i cili u vra në front në vitin 1945.

Pas vdekjes së saj në vitin 2010, instrumenti i çmuar u bë pronë e fondacionit “Franz Hofmann dhe Sophie Hagemann”, që synim ka promovimin e muzikantëve të rinj. Sipas fondacionit, instrumenti është në gjendje të keqe dhe duhet t’i nënshtrohet restaurimit.

Pas një vëzhgimi më të afërt, u zbulua se origjina e instrumentit historik nuk ishte e plotë: kishte vetëm informacione dhe prova në lidhje me ndryshimin e pronësisë në vitin 1938 dhe në lidhje me blerjen më 1974. Hetimet e mëtejshme zbuluan se Felix Hildesheimer ishte pronari i fundit. Bordi i fondacionit “Franz Hofmann dhe Sophie Hagemann” vendosi që “në mënyrë proaktive të qartësojë” një dëmshpërblim të mundshëm, siç është shkruar në ueb-faqen e tyre.

Përpjekja nga fondacioni për të kontaktuar me pasardhësit e familjes Hildesheimer dështuan në fillim. Pastaj, gazetari amerikan Toby Axelrod dëgjoi për rastin dhe arriti të vendoste kontakte midis fondacionit në Gjermani dhe njërës prej vajzave të Hildesheimerit.

Në vitin 2015 u thirr Komisioni Këshillëdhënës për Kthimin e Pasurisë Kulturore të Sekuestruar si rezultat i persekutimit nazist, posaçërisht pronës hebraike (më parë, Komisioni i Limbachit) për të sqaruar çështjen. Rekomandimi i ekspertëve dhe studiuesve më 16 dhjetor të vitit 2016, deklaroi “…që violina […] t’i takojë fondacionit dhe që fondacioni t’u paguajë trashëgimtarëve një shumë prej 100 mijë eurosh si kompensim”.

Atëherë u tha se të dy palët e pranuan këtë si një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë. Që atëherë, bordi i fondacionit thotë se është përpjekur të grumbullojë shumën e kompensimit nga fondet e palëve të treta. Sidoqoftë, ende nuk është bërë asnjë pagesë për trashëgimtarët në SHBA, të cilët tani janë nipër e mbesa të Felix Hildesheimerit, siç raportoi edhe “The New York Times” gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, ka gjoja një hulumtim të ri nga i cili mund të nxirret përfundimi se tregtari i muzikës Felix Hildesheimer e shiti violinën si “artikull normal të tregtisë” dhe jo si rezultat i “arratisjes”. Violina nuk shfaqet në listën e sendeve të shpronësuara me forcë që familja kishte hartuar pas luftës, sipas argumentimit të fondacionit.

Komisioni Këshillëdhënës nuk ishte dakord: “Gjësendet e lëna pas u konfiskuan nga Gestapoja dhe u shitën në ankand”. Prandaj, instrumenti duhet të klasifikohet qartë si “pronë e plaçkitur nga nazistët”, sipas vlerësimit përfundimtar të komisionit, i cili, megjithatë, mund të bëjë vetëm rekomandime. Sende të vlefshme dhe orenditë që u përkisnin familjeve hebraike ishin shitur nga nazistët në të ashtuquajturat “ankande hebraike” – me gjasë ishte përfshirë edhe violina e Guarnerit. Pas luftës, instrumenti u rishfaq në treg.

Pasi që violina e punuar nga Guarneri të restaurohet, Fondacioni ka thënë se dëshiron që ajo të jetë e qasshme për të rinjtë, për muzikantet e talentuar të Universitetit të Muzikës në Nuremberg, si një “instrument mirëkuptimi”. Kjo sidoqoftë do të jetë e mundshme vetëm pasi që të zgjidhen çështjet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat