Inva Mula bashkon forcat me të birin për projektin më të veçantë të karrierës

Muzikë

Inva Mula bashkon forcat me të birin për projektin më të veçantë të karrierës

Më: 25 mars 2021 Në ora: 19:35
Inva Mula, Anthony

Inva Mula është një nga artistet që ka ngritur lart emrin e shqiptarëve. Sopranoja ka interpretuar në skenat më të mëdha botërore dhe tashmë që ka realizuar gjithçka në karrierën e saj artistike është në kërkim të gjërave të reja.

Në një intervistë të dhënë për “Revista Who”, Mula ka zbuluar se shumë shpejt do të vijë me një projekt të përbashkët me djalin e saj, Anthony. Sopranoja ka treguar se ka mbi një vit që po punojnë bashkë për një projekt ‘elektro-lirik’, të cilin e kanë përfunduar virtualisht për shkak të pandemisë.

“Kam shumë projekte, por ai që kam më shumë përzemër është bashkëpunimi me djalin tim, një projekt që nuk e kam bërë publik, por me ty dua ta bëj, sepse ti i mban si thesar gjërat. Me Anthony-n kemi një vit që po punojmë me projektin ‘Elektro-Lirik’, një projekt që është shumë i bukur, por u ndërpre prej pandemisë, pasi nuk mund të ishim bashkë. E kemi vazhduar virtualisht dhe tani po pres të vijë sërish që ta vazhdojmë. Sigurisht që do kohën e vet, por mendoj që edhe ky do jetë projekt i bukur, sepse bashkëpunimet me fëmijët qenkan të papara. Nuk ka gjë më të bukur se të arrij të bashkëpunoj me djalin tim, kjo është gjëja më e bukur që mund të më ndodhte në karrierën time. Çfarë unë kam bërë ka kaluar, është bërë, nuk kam më as nevojë të njihem. Të gjithë e dinë kush jam. Tani jam në kërkim të gjërave të reja, të atyre gjërave që më japin kënaqësi. Kjo është e bukura e të qenit artist. Duhet të jesh në kërkim. Unë kurrë nuk e kam përkufizuar veten në atë skenën time dhe vetëm me repertorin tim. Kam dalë edhe jashtë tyre dhe kam ndërmarrë rrisqe. Janë gjëra që më kanë dhënë kënaqësi personale. Kjo do të thotë të jesh i lirë. Liria e njeriut është aty kur ai fillon të bëjë gjëra edhe jashtë kornizave apo zonës së tij të komfortit.”, është shprehur Inva Mula.

Kujtojmë se Anthony Çako ka vite që merret me muzikë dhe ka dhënë prova se është një kompozitor dhe DJ mjaft i talentuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat