Baki Ceka, një rapsod shqiptar me shpirt atdhetar

Muzikë

Baki Ceka, një rapsod shqiptar me shpirt atdhetar

Nga: Merxhan Jakupi Më: 5 prill 2021 Në ora: 11:24
Baki Ceka (djathtas), me Demir Krasniqin, Tahir Drenicën dhe Shaip Berishën

Baki Ceka, me origjinë nga Kosova, i lindur në një fshat të Kaçanikut, në periudhën e viteve 1950-1960 dhe fillimin e pastrimeve etnike, tepër të kobshme të Aleksandar Rankoviqit, është një rrëfim i veçantë lidhur me aferën e armëve. Shumë familje të fshatrave të Kaçanikut dhe përgjatë kufirit me Maqedoninë, u detyruan t'i braktisin vatrat e tyre dhe të shpërngulen për në Turqi, kryesisht të ndjekur nga terrori dhe reprezaljet që i ushtronte regjimi, në krye me Rankoviqin. Pos shpërnguljes për në Turqi, shumë familje ishin shpërngulur edhe në Maqedoni. Një ndër ato ishte edhe familja e Baki Cekës. Pas vdekjes së babait të Bakiut, dajat e tij, Danush dhe Qamil Lama, nuk kishin lënë që familja e Baki Cekës të shpërngulej në Turqi, sikundër edhe shumë familje të tjera. Ata i kishin ndihmuar për të blejtë një parcelë në Tetovë, ku kishte ndërtuar një shtëpi pranë dajave.

* * *

Baki Ceka, si i ri, kishte pasion muzikën dhe artin. Ai, së bashku me këngëtarët dhe rapsodët e famshëm, Tahir Drenica dhe Hashim Shala, në kuadër të RTP-së, në Beograd kanë incizuar pllaka gramafoni me këngë dhe valle, ku ai ka qenë instrumentist i daulles. Baki Ceka ishte njëri nga gjeneratat e para që shkoi me punë në perëndim, si shumica e shqiptarëve, për të zbutur vuajtjet dhe varfërinë, pasi që ai ishte i vetmi kryefamiljar që kujdesej për ekzistencën e familjes. Viteve të 60-ta, si i ri ka punuar në një minierë në Holandë, për të vazhduar pastaj në Gjermani dhe Zvicër.

Në shërbim për kauzën e atdheut

Që në rini ishte inspiruar me ato ideale të larta të atdhetarizmit, për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore dhe pushtuese e armiqve serbë. Bakiu kishte një shpirt revolucionar dhe instinkt në shërbim të atdheut. Për kauzën e atdheut, ai ishte i gatshëm të flijojë, sepse Baki Ceka e donte atdheun e vet, Kosovën, më shumë se shpirtin e vet. Kishte një karakter kritik, rezistues dhe shpirt kalorësiak. Ai edhe pse ishte shpërngulur që në rini në Maqedoni, ishte me shpirt dhe instinkt për Kosovën.

Gjeniu i tij dallohej kudo. Ai ishte i hapur, me një ndjenjë të hollë humori në biseda me miqtë dhe shokët. Ishte optimist dhe përplot me shpresa për të ardhmen. Idealet, rezistenca, vullneti dhe krenaria ishin të pashterura. Më kujtohet, në vitet 1970, nëpër dhoma të bisedës dëgjonim këngë kreshnike nga rapsodët Riza Bllaca, Dervish Shaqa e shumë të tjerë. Bakiu rrëfente në mënyrë profetike se do të vijë koha kur bijtë dhe bijat e Kosovës do t'i rrokin armët për të bërë një luftë dhe për të dëbuar armikun njëherë e përgjithmonë, duke e çliruar Kosovën. Këto ide dhe koncepte, Bakiu përherë i kishte të mbjellë në zemër dhe kokë. Ai thoshte se do të jetë tragjedi e madhe dhe apokalips për këtë populli, nëse do të durojë robërinë dhe mbetet pa shtet, pa ushtri dhe pa liri.

Bashkimi i trojeve shqiptare

Baki Ceka në periudhën kur punonte në shtetet perëndimore, ishte aktivist dhe militant. Ai ka marrë pjesë në demonstratat e shumta nëpër metropolet e Perëndimit, si në Gjenevë, Bernë dhe Cyrih. Karriera e tij për veprimtari në perëndim është mjaft e pasur. Si gjeneratë e parë, ai kishte një talent dhe mprehtësi. Gjuhën gjermane e fliste shumë rrjedhshëm. Baki Ceka, me nipin e tij, Idriz Berisha, janë marrë me veprimtari afariste dhe kanë pasur një firmë, ku pos që i punësonin bashkatdhetarët tanë, por edhe u ndihmonin dhe i strehonin përkohësisht derisa të gjenin punë.

Pas disa vitesh, Baki Ceka nga Gjermania shkoi në Zvicër. Eksperienca, ambiciet dhe karrierën që e kishte ngritur në Gjermani, praktikoi me sukses në gastronomi, duke hapur një restorant në Zvicër. Ai si militant dhe revolucionar që ishte kontribuoi dhe u ndihmoi e i mori në mbrojtje shumë të tjerë që ishin të përndjekur nga UDB-a dhe agjentët sekretë serbë në Zvicër. Ai pa kurrfarë interesash i ka strehuar dhe i ka mbajtur në banesë të vet shumë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, në periudhën e viteve të '70-ta. Unë shpesh kam takuar miq dhe bashkatdhetarë, të cilët kanë thënë: "Zoti e bekoftë Baki Cekën!" Ai ishte meritor që sot ne jemi në Zvicër dhe kemi shpëtuar nga papunësia e varfëria.

* * *

Baki Ceka, si një njeri i mbërthyer me patriotizëm, ndër ëndrrat më të mëdha të tij ka qenë bashkimi i trojeve shqiptare, në mënyrë që kombi shqiptar të mos mbetet i ndarë në tre-katër shtete, por të bashkohet në një shtet. Ai ishte i pasionuar ndaj rilindësve. Më kujtohet, në netët e gjata të dimrit, të ulur këmbëkryq, duke pirë çaj dhe duke shpërndarë cigare, në krye të vendit dhe të kuvendit ishte valltari virtuoz, Cen Berisha. Baki Ceka kishte sjellë nga Perëndimi disa vepra të zgjedhura, ndër të cilat ishte edhe "Lahuta e Malcisë" nga At Gjergj Fishta, si dhe vepra të tjera nga Martin Camaj, Ernest Koliqi etj., vepra për të cilat pushteti në vendlindje, në atë kohë, të shpallte armik, irredentist dhe kundërrevolucionar, për çka dënoheshe edhe me burg.

Te kafeneja e tij "Kosova" vinin veprimtarë

Baki Ceka edhe më parë ishte akuzuar për veprimtari armiqësore, për propagandë dhe agjitim, si shumë veprimtarë të tjerë, të cilët bënin rezistencë duke kërkuar që shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë të kenë të drejta të barabarta, siç ishin popujt sllavë në ish-Jugosllavi. Ai për një veprimtari të këtillë edhe ishte burgosur. Pas daljes nga burgu, nuk u gjunjëzua, por vazhdoi me veprimtarinë e tij atdhetare, me aspirata për t'u çliruar nga robëria. Prej kohe në kohë, atë e mbërthente pesimizmi dhe dëshpërimi, nga ajo tejzgjatje e trysnisë, robërisë dhe procesit të diferencimit. Ai vazhdimisht përsëriste se në Ballkan, asnjë çështje nuk zgjidhet pa derdhur gjak. Mezi priste që të vijë koha që edhe shqiptarët, me një luftë të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga armiku shekullor, njësoj si sllovenët, kroatët dhe boshnjakët. Kur nisi lufta tek ne, ai ishte i gatshëm, sepse pikërisht atë ditë e priste gjithë jetën.

Në periudhën e para luftës, në kafenenë e tij "Kosova", shpesh vinin veprimtarë dhe të përndjekur politikë. Kur ndodhi eksodi nga Kosova, Baki Ceka strehoi shumë familje nga Kosova, të cilat i ndihmoi edhe në pikëpamje materiale. Ai tërë jetën ia kushtoi kauzës për Kosovën e lirë. Ai arriti të përjetojë bombardimet e NATO-s, aleancës më të fuqishme në botë, kundër kasapit të Ballkanit, së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që njëherë e përgjithmonë të largohet regjimi kriminal me tanke, artileri dhe ushtri vrasëse, me çetnikë e paramilitarë, të cilët bënë krime dhe dhunime të papara e të përgjakshme, duke e braktisur Kosovën. Por, në ndërkohë, Baki Ceka ndërroi jetë dhe nuk arriti ta shohë agimin e lirisë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat