Ngrihen dyshime rreth autorësisë së këngës “This Is America”

Muzikë

Ngrihen dyshime rreth autorësisë së këngës “This Is America”

Më: 7 maj 2021 Në ora: 21:30
Childish Gambino

Këngëtari Childish Gambino është paditur për shkelje të të drejtave të autorit në lidhje me këngën e tij fituese të çmimit “Grammy”, “This Is America”.

Emelike Nwosuocha, reper me nofkën Kidd Wes, ka pohuar se kënga është kopje e origjinales së tij “Made In America”, që ishte publikuar dy vjet më herët sesa kënga e Childish Gambino.

“Tema e tekstit, përmbajtja dhe struktura” e dy koreve të këngëve “janë të ngjashme”, ka thënë ai në padinë e dorëzuar në një gjykatë të New Yorkut.

Childish Gambino, emri i vërtetë i të cilit është Donald Glover, ende nuk i është përgjigjur kësaj padie.

Në vitin 2019, “This Is America” u fut në historinë e muzikës kur u bë kënga e parë rap që fiton çmimin kryesor në “Grammy Awards”.

Ishte njëra prej këngëve më të shumëpërfolura, por edhe më të fuqishmet e atij viti. Përçonte mesazhin e pabarazisë racore, brutalitetit të policisë dhe armëmbajtjes në SHBA. Kënga u bë edhe më e njohur shkaku i klipit provokues të Gambinos.

Sidoqoftë, në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Nwosuocha ka thënë se ka ngjashmëri të mëdha të këngës së tij me atë të Gloverit.

Ai ka thënë se këngët kanë ngjashmëri në kadencën vokale, ritëm dhe fraza. Ai ka theksuar se koret e “Made In America” dhe “This Is America” janë të shkruar në të njëjtin metër.

Reperi gjithashtu ka angazhuar një muzikolog për t’i krahasuar të dyja këngët. Ai erdhi në përfundimin se kanë ngjashmëri, që s’mund të jenë të rastësishme”, thuhet në dokumentet e dorëzuara në gjykata.

Nwosuocha ka kërkuar proces gjyqësor dhe kompensim të dëmeve. Ani pse nuk ka përmendur ndonjë shumë të caktuar, ai ka thënë se Glover dhe bashkëpunëtorët e tij kanë fituar “qindra-miliona dollarë” nga hiti “This Is America”.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që Glover akuzohet për plagjiaturë të “This Is America”. Në vitin 2018, blogeri i hip-hopit “Akademiks” kishte raportuar për ngjashmëri mes këngës së Gambinos dhe “American Pharaoh”, të realizuar nga reperi njujorkez Jase Harley. Sidoqoftë, këngëtari Harley kishte thënë se nuk është i interesuar për procedurat gjyqësore.

Menaxheri i Childish Gambinos, Fam Udeorji, i kishte mohuar akuzat e plagjiaturës, duke thënë se kënga datonte nga viti 2015. Këtë e ka bazuar nga të dhënat kompjuterike në studion muzikore.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë edhe kënga “Made In America”, që është publikuar në shtatorin e vitit 2016, është më e re se kënga e Childish Gambinos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat