Larg huazimeve, të kthehemi te kënga jonë e bukur popullore

Muzikë

Larg huazimeve, të kthehemi te kënga jonë e bukur popullore

Nga: Albert Z. Zholi Më: 28 maj 2021 Në ora: 17:35
Albert Z. Zholi

Situata Covid-19 i ka mbërthyer në krizë këngëtarët, edhe pse ata vazhdojnë të krijojnë dhe të përcjellin në internet këngët e tyre të reja. Por kjo nuk mjafton. Atyre u mungon aktiviteti i gjallë, takimet me fansat, atmosfera e mbrëmjeve me këngë, spektaklet, sheshet e mëdha, dasmat, aktivitetet e zhurmëshme. Duket se muzka shqiptare është në krizë. Por kriza duhet kërkuar gjetiu…Te huazimet, tallavatë, këngët pa tekste, tekste me dy fjalë, apo tekste pa poezi. Fillimet e demokracisë sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku s’u dihej fillimi dhe sot s’ka se si të dihet fundi. Filluan lloj- lloj rrymash të panjohura muzike (këngësh) që më parë nuk ekzistonin (dhe shumë mirë që dolën në dritë), por u shtua në progresion gjeomterik numri i këngëtarëve anonimë! Perfeksionimi i metodave të orkestrimit dhe përmirësimit të zërit në regjistrim, bënë që edhe gjithkush që kishte një dorë lekë, dhe pak zë që të dëgjohej deri tek shkallët e pallatit, të mirrte në dorë mikrofonin dhe të drejtohej në shtëpitë diskografike duke dhënë urdhër: “Dua të bëj një Album!” (klip). Tregu u mbush me kaseta, disqe apo dhe videoklipe nga më të paparat dhe më të padëgjuarat, saqë për një dhjetëvjeçar, Shqipëria u rendit ndër vendet e para në Evropë për numrin e këngëtarëve por edhe të disqeve në treg. Edhe dëgjuesi, njeriu, klienti i dëshiruar pas muzikës së mirëfilltë shqiptare, e humbi orientimin në këtë zallamahi të panumërt këngëtarësh dhe disqesh, sa dukej se ishe në tregun amerikan të muzikës dhe jo në Shqipërinë me banorë sa një lagje e New York-ut. Për mëse një dekadë këngët me muzikë shqiptare u strukën nga “frika” e tallavasë, apo muzikës së huaj të adoptuar me tekste shqip. Dëgjoje dhe dëgjon këngë me muzikë greke, rumune, italiane, por me teskte shqip! Por mbingopja e tregut, lufta e heshtur mes shtëpive diskografike për mbisundim duke luajtur në kurriz të muzikës shqiptare, duket se tejkaloi parashikimet e tyre por sidomos të dëgjuesit, pasi më nuk mund të luhej me kartën e viteve të para të demokracisë, ku etja për çdo gjë të huaj kishte pushtuar çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Koha bëri të vetën. Muzika shqiptare duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Dhe vërtet, pesë vitet e fundit, në shumë lokale, dasma, evente muzikore, koncerte etj…dëgjohet muzikë shqiptare dhe vetëm shqiptare. Veshët na u rehatuan, muzika jonë popullore sikur u kthye nga mërgimi, kthesa në muzikë në emër të muzikës autoktone, mori vendin që i takon…

Përparësi merr imituesi, jo këngëtari i vërtetë

Një fenomen po aq i shëmtuar sa dhe plagjiatura e huaj, një fenomen që po humb ndjesinë, kontaktin e drejtpërderejtë, seriozitetin, konkurencën e drejtpërdrejtë, që s’dallon profesionistin nga amatorin, që të lë pa mend nga gafat në skenë apo në emisione…Pra lindën fenomene të tjera si: superpozim, apo ‘playback’. Në disa spektakle mbizotërojnë këto lloj instrumente të regjistrimit apo të paraqitjes së këngës, ku këngëtari në skenë ngjan më shumë si një “klloun cirku”, se sa si një këngëtar. Kjo mënyrë konkurimi në spekakle të tilla, ka humbur vërtetësinë e zërit, ka humbur zërin e drejtpërdrejtë, ka humbur komunikimin real me publikun, ka humbur ndjesinë e vërtetë që të jep kënga, emocionin me ngjyrën e ëmbël të muzikës shqiptare. Pra kur dëgjon apo mer pjesë në evente të tilla ku këndohet me superpozim, apo ‘playback’, është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me qumësht pluhur të servirur për djathë safi Gjirokastre, apo domaten e serave, për domate të fushës. Këtu krahasimet mund të bëhen pafund. Pra këto lloj aktivitetesh të rëndësishme të muzikës shqiptare, përveçse përcjellin një komercionalizëm absolut, kurrsesi s’mund të thuash se sjellin një risi në këngën apo muzikën shqiptare. E vërteta është, se në këto manifeste të muzikës sonë të bukur nuk ka një këngëtar të skenës shqiptare (që merr pjesë), i/e cili/cila nuk ka pasur rastin të këndojë me superpozim dhe të mos përcjellë tek dëgjuesi të kundërtën e asaj çka përmban kënga, teksti, muzika në tërësi si magji e qetësimit shpirtëror. Shikon skena gjigande fosforeshente, me drita verbuese, me hapësira boshe, por vetëm orkestër nuk shikon. Pra çdo gjë duket një falsitet, e stisur, jo origjinale, jo organike si OMGJ. Shikon këngëtar/e që i vijnë rrotull skenës, bëjnë lëvizje akrobatike që do t’ia kishte zilinë çdo akrobat profesionist, kërcejnë si valltarë kualitativë, harxhojnë shumë energji, por një gjë nuk bëjnë: nuk këndojnë! Nuk nxjerin zë, atë zë për të cilin shkojnë në skenë. Më shumë duken në skenë si valltarë, akrobatë, pjesmarrës në sfilatë, si dancist, si top model/e, por kurrsesi si këngëtar. Zëri i drejtpërdrejtë është ai që të mbush, të emocionon, të ngjeth mishtë, të motivon, të sjell pranë skenës, duke lënë çdo punë. Pa këtë zë real, të drejtpërdrejtë jetësor, plot nuanaca që del nga thellësia e shpirtit, pa improvizim, pa falsitete ka nevojë dëgjuesi i sotëm i këngës së bukur shqiptare. Pra superpozimi e ka ktheyr këngën nga një magji, në një gënjeshtër. E ka kthyer në një arenë që mund të futet kushdo dhe të konkurojë. Kënga shqiptare nuk e meriton një çmim të tillë. Kënga është poezi, është histori, është qetësi shpirtërore, është energji për të parë më së miri të vërtetën. Me këto lloj aktivitetesh ajo po shterpëzon dhe humb elegancën e të qenit vetvetja.

Tekstet e këngëve

Dhe ajo që i çon më tej falsitetet e superpozimit, apo ‘playback’-ut është dhe teksti i këngëve. Eshtë bërë e modës që në evente të tilla të gjitha meritat i marrin këngëtarët. Ata paraqiten edhe si kompozitorë dhe si autorë tekstesh. Në një këngë, ai që vendoset e/ i fundit është këngëtari, por ai merr 90 përqind të suksesit. Në gjithë vitet e demokracisë, duhet thënë me keqardhje se, autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare. Ata lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i suksesit. Kur lind një këngë dy janë bashkshortët, kompozitori dhe autroi i tekstit. Këngëtari/ja është fëmija. Ata të dy e lindin këngëtarin, ata e zgjedhin dhe i dhurojnë krijesën. Në biseda me autor tekstesh si Jorgo Papingji, Koçi Petriti, Lirim Deda, etj..mëson se ai që hedh shinat e një kënge, mund të jetë kompozitori sikundër mund të jetë dhe poeti. Pra kur një poet krijon një poezi të bukur këkron një kompozitor për bashkpunim ose e kundërta. Kur ngjizet brenda tyre dhe merr formën e plotë kënga ftohet këngëtari. Në këngët e sotme shihen tekste pa lidhje. Tekste pa figura letare, pa mesazh. Teskti i një kënge është poezi. Dhe poezia është krijimtari e mirëfilltë letare ku fjala ngrihet në art. Poezia bëhet nga poet dhe jo nga kushdo që ka qef të bëj bejte apo vjersha vetëm që të kërcasë “Bam”, “Bom”. Shumica e teksteve në këngët e këtyre eventeve janë thirrje, mbledhje fjalish, mbledhje apo shumëzim i disa vargjeve të këngëve të ndryshme të mëparshme, (edhe nga vetë këngëtarë), amalgamë fjalësh, fjalish pa lidhje, ku vetëm letërsi nuk ka. Poezia ka brenda tri elementë si gjini letrare: Anën artistike, anën estetike dhe mesazhore (mesazhin). Në shumicën e këtyre teksteve nga autorë anonimë, kurrë nuk mund të gjesh më shumë se dy elementë të domsdoshëm të krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Tekstet e këngëve nuk të ngjallin emocion. Ato vetëm poezi nuk kanë përbrenda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat