“Zâ festival”, një urë komunikimi për Thethin e harruar

Muzikë

“Zâ festival”, një urë komunikimi për Thethin e harruar

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 12:52
Ilustrim

Katër zëra bëjnë një festival. Nisi si një ide e rastit e Vlashent Satës që mund të shndërrohet në një motor nxitës për zhvillimin e zonës.

Sata: Do të doja shumë që me anë të koncertit të mund të mblidhnim fonde për me pastru Thethin nga mbeturinat. Kur e mendova pak më gjatë, thashë ok sikur të ndërtojmë një festival sepse e pashë që vetëm një festival nuk mund të zgjidhte të gjithë problemet që mund të kishte Thethi, i izoluar për një kohë të gjatë. Mendova për një zhvillim afatgjatë.

Muzika është zëri kryesor i festivalit. Elina Duni, Vlashent Sata, Shpat Deda pavarësisht vendit ku jetojnë, këndojnë shqip dhe në Shqipëri i duan. Këngët, tekstet e tyre kanë energjinë e kësaj natyre. “Matanë malit” është një albumet e suksesshme të Elina Dunit, dhe “Hana” është albumi i parë i kantautorit Vlashent Sata këngët e të cilit transmetohen në mjaft radio nëpër botë. 

Sata: Patjetër që mu bashkua Elina që e don shumë atë vend. Edhe Shpati, edhe Arbeni që është i asaj zone por nga ana tjetër. Po e imagjinoja veten që po luaj dhe sikur të gjitha ato malet ishin bashkuar si zana që ulen dhe dëgjojnë dhe ky është imazhi që unë kam për atë vend. Pjesa magjike që për mua kishte shumë rëndësi është fjala dhe ajo sillet nga Arben Bajraktaraj, që do të tregojë përrallat, legjendat, gojëdhënat. Me atë skenografi që do të jetë atje do të oshtijë më fort zani.

Thethi gjithnjë ka tërhequr vëmendjen e turistëve, aq sa sot 60% e popullisë, gjatë muajve prill-tetor përbëhet nga turistët e huaj. Por nuk kanë ecur me këtë ritëm politikat për mbështetjen e vendasve dhe zhvillimin turistik të zonës.

Sata: Energjia e atij vendi dhe fakti që është Shqipëri, më ka mbushur akoma më tepër sepse e kam parë shumë më tepër të vlerësuar nga jashtë dhe më pak nga brenda.

“Zâ-Festival” dëshiron të funksionojë për çdo vit si një pikë takimi përmes artistëve ndërkombëtarë, si një formë ndërgjegjësimi për pasuritë natyrore dhe si një joshje për investitorët për të investuar seriozisht në Theth.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat