Qyteti spanjoll që jeton në të shkuarën

Ndryshe

Qyteti spanjoll që jeton në të shkuarën

Më: 10 mars 2019 Në ora: 18:36
Foto ilustruese

Vetëm se nuk është 31 dhjetori. Është fundjava e parë e gushtit.

Në morinë e ideve prej më të çuditshmeve, shënimi i natës së Vitit të Ri në gusht duhet të qëndrojë diku në krye të listës. Ama sidoqoftë, Bérchulesi, i shtrirë lart në rajonin Alpujarras të Andalucias, e ka bërë pikërisht këtë për së paku 25 vjet.

Zanafilla e traditës

Ishin orët e fundit të 1993-s që e nisën krejt këtë rrëfim. Përgatitjet për ta mirëpritur 1994-n kishin marrë fund, ama akrepat e orës asnjëherë nuk lëvizën.

“Ishte ora 11 në atë kohë”, tha Ismael Padilla Gervilla, tani prefekt i Bérchulesit. “Mu para orës 20:00, të gjitha dritat në qytet u ndezën”. Ndërprerja e furnizimit me rrymë shkaku i motit të lig nënkuptoi se qyteti i vogël do ta kalonte ndërrimin e moteve pa festë dhe pothuajse në errësirë të plotë.

Problemi me rrymën u rregullua të nesërmen, ama Viti i Ri kishte nisur në mënyrën më të pikëllueshme të mundur. Më vonë gjatë atij muaji u mbajt një mbledhje. Zemërimi dhe pakënaqësia u shfaqën kundër kompanisë energjetike, e cila, në sytë e disave, ia kishte rrëmbyer qytetit Vitin e Ri. Në valën e kësaj pakënaqësie, një ide radikale në fund lindi.

Bérchules e caktoi festën e Vitit të Ri më 6 gusht 1994 – veprim ky që do ta ndryshonte njëherë e përgjithmonë funksionimin e qytetit. Prej atëherë, numri i atyre që marrin pjesë në festime është rritur.

Ama nëse ndryshimi i datës së Vitit të Ri tingëllon si një gjë bizare, atëherë duhet ta kini parasysh se 31 dhjetori jo gjithmonë ka qenë dita e fundit e vitit, transmeton “Koha Ditore”. Diku rreth vitit 46 pas Krishtit, Jul Cezari urdhëroi reformimin e kalendarit origjinal romak, i cili për të parën herë e paraqiti 1 janarin si ditën e fillimit të vitit.

Ama praktika u shfuqizua në mesjetë. Cezari dhe astronomi i tij e kishin kalkuluar gabimisht kohëzgjatjen e një viti diellor për plot 11 minuta, një gabim ky që ia shtoi 10 ditë një viti deri në mes të shekullit 15, kur shumë vende evropiane kishin zgjedhur ditët e rëndësisë fetare, si Krishtlindjen, për ta shënuar nisjen e një viti. Ama më 1582, kur Papa Gregori i XIII-të dhe astronomët e tij e përmirësuan kohëzgjatjen e vitit dhe e prezantuan kalendarin gregorian, 1 janari u përdor sërish si datë e nisjes së vitit dhe kjo gjë u zbatua në pothuajse të gjitha vendet katolike evropiane, përfshirë Spanjën.

Krishtlindje gushti

Gushti është tradicionalisht muaji i festave në Spanjë dhe për festat e mëdha si kjo e Vitit të Ri, qyteti ndryshon krejtësisht pamje.

“Siguria, parkingu, ushqimet, kamerierët....”, i numëron një nga një gjërat që duhet t’i kontrollojë Castillo Sanchez. Ani pse krejt organizimi ndodh në gusht, festimi ende përfshin ushqimet tradicionale të kuzhinës tipike për festën e dimrit.

Ushqimet e Krishtlindjes shtrohen dalëngadalë. Valltarët e sambas kalojnë përgjatë turmës. Kalaveshët e vegjël të rrushit u shiten për 1 euro të gjithë atyre që duan t’i përmbahen traditës, teksa një dyqan i vogël shet pa ndalim kapele të Babagjyshit të Vitit të Ri dhe boritë e tij.

“Është Krishtlindja, nata e Vitit të Ri dhe karnavali, ama jemi në verë”, thotë Castillo Sanchez, duke shpjeguar përplot entuziazëm. Teksa dielli përcëllues i verës dalëngadalë i dorëzohet hijes së reve, qytetarët mblidhen në dy sheshet kryesore të qytetit. Akrepat e orës në Kishën kryesore të qytetit i afrohen mesnatës. Një gjëmim i rrufeshëm buqit qiellin e natës me mbërritjen e Vitit të Ri. Kapakët e shisheve të shampanjës fluturojnë kudo, ndërsa bora artificiale fillon të bjerë.

Përqafimet, puthjet dhe urimet shkëmbehen në mënyrën tipike spanjolle. Dhe kështu festa vetëm sa fillon, me këngë e vallëzime që zgjasin deri në mëngjes.

“Është magjike”, tha Carmen Espinosa, një farmaciste nga Granada. “Ajri është i pastër dhe i dëlirë nga malet, teksa era e ushqimit të Krishtlindjes mbush krejt qytetin – mjedisi është aq festim. Edhe si një vizitor, ndiheni si në shtëpi”.

Bérchulesi e shënon sivjet 25-vjetorin e ndryshimit dhe qyteti po aplikon që ta ketë të pranuar datën alternative të Vitit të Ri nga qeveria andaluziane, si një festë me interes turistik.

“Mund të gjeni ahengje të mrekullueshme rrugore kudo në Spanjë. Ama vetëm në Bérchules mund të gjeni Vit të Ri në gusht. Për mua, kjo është një bukuri”,tha Castilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat