Dritat misterioze në Hënë, shkencëtarët nisin vëzhgimet nga afër

Ndryshe

Dritat misterioze në Hënë, shkencëtarët nisin vëzhgimet nga afër

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 20:09
Ilustrim

Një hetim i sapo nisur mund të zbardhë misterin që ka befasuar shkencëtarët qe nga vitet e pesëdhjeta.

Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë vërejtur drita të shkurtra që shfaqen në sipërfaqen e Hënës disa herë në javë. Por, askush nuk e di saktësisht se çfarë po i shkakton ato.

Tani, duke përdorur një teleskop hënor të projektuar posaçërisht në Spanjë, një ekip do të vëzhgojë aktivitetin e Hënës çdo natë me shpresën për të kapur këto fenomene të çuditshme dhe përfundimisht të përcaktojë burimin.

Shkencëtarët i kanë quajtur këto ngjarje të çuditshme "fenomene të përkohshme hënore", transmeton KosovaPress.

Përpjekja e re udhëhiqet nga hulumtuesit nga Universiteti Julius-Maximilians Würzburg në Gjermani, i cili ndërtoi teleskopin e ri dhe e vuri në veprim në prill 2019.

Teleskopi qëndron në një observator privat afërsisht 100 kilometra në veri të Seviles, ku moti është optimal për vrojtim.

Ekzistojnë disa shpjegime të mundshme që kanë qarkulluar gjatë viteve, nga ndikimet e meteorëve në ndërveprimet mes erës diellore dhe pluhurit të hënës, thonë studiuesit.

“Aktivitetet sizmike u vërejtën gjithashtu në Hënë", thotë Hakan Kayal, profesor i Teknologjisë Hapësinore në Julius-Maximilians.

“Kur lëviz sipërfaqja, gazrat që reflektojnë rrezet e Diellit mund të ikin nga brendësia e Hënës. Kjo do të shpjegonte fenomene të ndritshme, disa prej të cilave zgjasin për orë të tëra”, shton ai.

“Të ashtuquajturat fenomenet hënore të përkohshme kanë qenë të njohura që nga vitet 1950, por ato nuk janë vërejtur mjaftueshëm,” tha Kayal.

Kur teleskopi i ri regjistron një fenomen të shkëlqyeshëm me të dy kamerat e saj në të njëjtën kohë, do të ruajë xhirimet dhe do të dërgojë një email tek ekipi.

Teknikat e inteligjencës artificiale përfundimisht do të shtohen për të ndihmuar në dallimin midis llojeve të ndryshme të ngjarjeve në Hënë, përfshirë dhe alarmet false.

Studiuesit thonë se kuptimi i këtij lloji të aktivitetit në sipërfaqen e Hënës do të jetë kritik në përpjekjet për të vendosur koloni.

"Kushdo që dëshiron të ndërtojë një bazë hënore në një moment duhet natyrisht të njihet me kushtet lokale," tha Kayal.

Hulumtuesit përfundimisht do të krahasojnë rezultatet e tyre me ato të mbledhura nga Agjencia Evropiane e Hapësirës për të konfirmuar vëzhgimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat