Nano: Puthja në buzë e babait me vajzën, afeksion. Edhe babai shqiptar në Itali që puthi djalin tek …

Ndryshe

Nano: Puthja në buzë e babait me vajzën, afeksion. Edhe babai shqiptar në Itali që puthi djalin tek …

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 13:45
Mustafa Nano

“Ju ftoj ta shikoni këtë foto, nuk është një skenë pedofilie, është David Beckham, ish-futbollisti i Manchester United që po puthet me vajzën e vet, nuk është skenë inçesti, është një shprehje e afeksionit të babait, që në këtë rast është David Beckham, ndaj vajzës së tij 7-vjeçare“. Këtë mendim ndan drejtuesi i Provokacija-s gazetari Mustafa Nano.

“Ka bërë shumë jehonë kjo foto sepse foton e ka publikuar në një nga rrjetet sociale, dhe është një gjë që David Beckham e bën vazhdimisht, herë pas here kur ka ditëlindjen apo kur ka rrethana të tjera festive, gazmore, i publikon. Si herët e tjera, edhe këtë herë, ka pasur një feedback të fortë, ka pasur jehonë të madhe, publikimi i fotos nga David Beckham. Një pjesë e njerëzve, thuhet që janë shumica e njerëzve, e kanë kritikuar, qortuar, e kanë konsideruar si gjest të papërshtatshëm, qoftë gjestin e puthjes së babait me të bijën e vogël 7-vjeçare në buzë, qoftë edhe gjestin e publikimit të kësaj fotoje në rrjetet sociale. Por ka patur edhe njerëz që kanë thënë, atë që mendoj edhe unë në fakt dhe që shpresoj ta mendojnë edhe shumë të tjerë këtu në Shqipëri me ju që po e dëgjoni;që kjo është thjesht një shprehje afeksioni e babait ndaj të bijës, ndoshta edhe ndaj të birit”, tha Nano në monologun e tij.

Por gazetari Nano e di që shumë prej baballarëve, zgjedhin ta bëjnë ose të mos e bëjnë këtë gjest me fëmijët e tyre, por kjo sipas tij, është mënyra e tyre për të shprehur dashurinë apo afeksionin ndaj fëmijëve të tyre.

Image

 

“Nuk është se të gjithë baballarët e bëjnë këtë gjë apo se duhet ta bëjnë këtë gjë, përkundrazi janë pakicë por ata që e bëjnë duan të manifestojnë këtë shprehje afeksioni ndaj fëmijës së tyre, ka zgjedhur këtë mënyrë për ta manifestuar. ndër kritikët e mëdhenj që ju bë kësaj fotografie të publikuar ishte edhe një kolegu im në Britaninë e madhe, Pierce Morgan, i cili reagoi edhe në mënyrë brutale, por kishte edhe të tjerë që thanë se kjo mund të pranohet si fotografi por problemi është pak i rrezikshëm sepse nuk dihet se kur ndalohet kjo sjellje, me gjestin që bën, puthje buzë më buzë. Sipas meje, ky është merak i kotë sepse njeriu vjen një moment ndalon, ne gjithmonë edhe fëmijët tanë kur janë të vegjël i puthim në faqe por kur rriten nuk i puthim më në faqe. Ndoshta i puthim gjithë jetën mbase por vjen një moment që fëmija rritet, bëhet burrë dhe ne kemi kujdes, mbajmë një lloj distance me fëmijën tonë. Kështu që është një proces që ndodh në mënyrë të natyrshme. Mua më duket se prindërit si David Beckham nuk janë problem. Kur vjen puna te diskutimi mbi prindërit, më duket që problem janë prindër të tjerë. Janë prindër që ndoshta nuk i puthin fëmijët në buzë por që në të njëjtën kohë janë prindër që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre, janë prindër që fëmijët i braktisin dhe mund të bëjnë edhe gjëra të tjera më të rënda. Sipas meje, këta prindër janë problem. Sipas meje pikërisht këtu duhet të ndalemi me kritikat tona, ndaj këtyre prindërve, jo tek prindër të llojit David Beckhamit. Më duket një moral dhe reagim hipokrit e gjithë kjo që përfaqësohet nga kritikët e këtij gjesti, që sipas meje është normale. Unë vetë nuk bëj pjesë te ata baballarë që puthin fëmijët në buzë, qoftë edhe kur janë të vegjël, por kjo është një zgjedhje që kam bërë unë. Kështu jam unë, ka të tjerë që e bëjnë siç është David Beckham”.

Më pas Nano sjell në vëmendjen e publikut edhe një rast të një babai shqiptar, i cili kishte puthur djalin e tij të vogël në pjesët intime e që ishte proceduar penalisht për gjestin e tij. Për gazetarin këto janë përpjekje qesharake, madje groteske, për të parë inçest apo pedofili aty ku nuk ka.

“Mua më kujtohet që para disa vitesh në Itali, një baba shqiptar, me fëmijën e vet 1 apo 2 vjeçar që e kishte në krah, lakuriq, e mbante në krah dhe në një moment të caktuar e puth tek bibilushi. Dikush e sheh e fotografon dhe babain e procedojnë në mënyrë penale edhe në momentin që morën vesh se ai ishte fëmija i tij. Kam përshtypjen që kjo është një skenë groteske, ka ndodhur në Itali ndodh edhe në shumë vende të perëndimit. Mua më duket groteske, më duket se ky është, “ta shtrish namuzin në nivele qesharake”. Më duket përpjekje qesharake për të parë pedofili dhe incest aty ku nuk ka një gjë të tillë. Ka thjesht një shprehje të afeksionit të prindit ndaj fëmijëve të tyre”.

Pra në monologun e sotëm Mustafa Nano shprehu mendimin e tij se në këto gjeste, të prindërve me femijët e tyre, nuk ka asgjë përtej afeksionit për fëmijwn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat