Si të mbroni qentë dhe macet gjatë ditëve me vapë

Ndryshe

Si të mbroni qentë dhe macet gjatë ditëve me vapë

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Temperaturat e larta në verë janë problematike jo vetëm për ne, por edhe për miqtë tanë, kafshët shtëpiake

Fakti që nuk komunikojmë dot me to në mënyrë verbale, nuk do të thotë që ato nuk “vuajnë “, njësoj si ne pasojat e të nxehtit dhe temperaturat e larta të stinës.

Ndonjëherë, t’ju sigurosh kafshëve ushqim, strehim dhe kujdes veterinar, nuk mjafton. Ato kërkojnë edhe përkujdesje të përditshme.

Mirëpo, si mund t’u vijmë në ndihmë miqve tanë? Për këtë do të na duhet t’i njohim më shumë, jo thjesht t’i konsiderojmë si kafshë shoqërimi, të cilat na mbushin ditën, por si qenie të cilat meritojnë kujdesin tonë.

Duhet të njohim prejardhjen e tyre, llojin të cilit i përkasin, me qëllim që të dimë, se si t’i mbrojmë nga temperaturat e larta, si t’i ushqejmë dhe si të sillemi me to.

Çfarë duhet të kemi parasysh?

Kujdesi ynë ka të bëjë me të kuptuarin e sjelljes së kafshëve, për të kuptuar nevojat e tyre. Kështu, nëse qeni dihat, pra hap në mënyrë të vazhdueshme gojën dhe nxjerr gjuhën për të marrë frymë kjo tregon se ka problem dhe vështirësi të lidhura me frymëmarrjen. Ç’duhet të bëni?

Lironi zinxhirin ose jepini pak ujë, pasi mund të jetë dehidratuar. Nëse ky veprim i kafshës vazhdon për një kohë të gjatë, bëni mirë ta çoni në një klinikë veterinare.

Bëni kujdes që kafshën të mos e lini në ambiente të mbyllura, të paajrosura dhe në ambiente të cilat janë të ekspozuara shumë në diell dhe në temperatura të larta.

Kolibet e qenve, duhet t’i vendosim në hije natyrale, p. sh. hijen e pemëve, në një vend që të mos jetë shumë i ftohtë, por as të bien rrezet e diellit për një kohë të gjatë. Kjo do ta mundonte shumë qenin, duke i sjellë atij probleme shëndetësore. Evitoni shëtitjet në orët e pikut të vapës. E njëjta gjë duhet të ndodhe edhe me macet, kujdesi ndaj tyre duhet të jetë maksimal.

Dielli është faktori kryesor i shfaqjes së disa patologjive të veçanta tek macet dhe qentë, të cilat duhet t’i parandalojmë, ose t’i kurojmë ato, sipas rastit.

Problematikat specifike, sipas racës së qenve

Raca së cilës i përkasin qentë, përcakton në një farë mënyrë edhe reagimin që ata kanë ndaj kushteve klimaterike.

Qentë e racës Hollej, nëse lihet shumë i ekspozuar ne diell, mund të pësojë një dermatit solar të hundës, pra t’i bien qimet, në pjesën ku bashkohet turiri me hundën.

Rracat Rotveiler dhe Doberman, duke qenë se kanë në sipërfaqen e lëkurës së tyre, qime të trasha e të zeza, janë të predispozuar për të thithur më shumë rrezet e diellit, duke ju krijuar atyre vështirësi në frymë marrjen përmes lëkurës.

Racat e qenve me hundë të shtypur dhe me lëkurë të hollë e ndiejnë në mënyrë direkte të nxehtin e diellit, ndaj bëni kujdes t’i mbani ata në mjedise të freskëta, ku të mos ekspozohen ndaj dritës së fortë.

Problem me vapën dhe diellin e fortë, kanë edhe qentë me qime të gjatë e të dendur, si haski, pastorët, e të tjerë. Për këtë, këshillohet qethja e qenve para se të fillojë sezoni, një praktikë kjo e cila do të duhet të ndiqet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë. Nëse do i qethni qentë tuaj totalisht, atëherë këshillohet që për dy javë, të mos i ekspozoni kafshët në temperature të larta dhe diell të fortë. Gjithashtu, lagini kafshët vazhdimisht me ujë për t’i freskuar ato.

Kujdes të veçantë kërkohet edhe ndaj qenve të moshuar, pasi temperaturat e larta dhe qëndrimi i gjatë në diell mund të stimulojë tek ata diabetin, krahas patologjive të tjera.

Po kështu, bëni kujdes t’i ruani ata nga prania e parazitëve në lëkurën e tyre, por edhe të ambientit përreth. Për vetë lëkurën që kafshët kanë, bëhen mbledhës së parazitëve dhe insekteve të shumtë, gjë e cila sjell jo vetëm dëme për kafshën, por edhe për pronarin e saj.

Duhet që qeni dhe macja të kenë gjithmonë në dispozicion një tas me ujë i cili duhet të ndërrohet disa herë në ditë, ndërsa ai duhet të lihet në vende të arritshme për ta. Uji duhet të jetë i freskët, por asnjëherë i ngrirë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat