Boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më mirë

Ndryshe

Boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më mirë

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 13:06
Pamje nga botimi i librit të Shaban Muratit

Dr.Admir Lisica

Libri „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ i autorit Shaban Murati, diplomat shqiptar me eksperiencë pesëdhjetëvjeçare, ka lindur gjatë pesëmbëdhjetë viteve, nëpërmjet artikujve të Muratit, të cilat i ka publikuar vazhdimisht në mediat shqiptare dhe rajonale. Bëhet fjalë për pikëpamje të autorit në lidhje me problemet shoqërore-politike në rajon, me theks të veçantë në pozitën e Bosnjë-Hercegovinës dhe të popullit boshnjak. Mbi bazën e eksperiencës shumëdekadëshe diplomatike, që e ka fituar në Suedi, Finlandë, Islandë dhe Maqedoninë Veriore, autori analizon raportin e Europës ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila në pesëmbëdhjetë vitet e kaluara ka qenë shpesh temë e zyrtarëve të lartë europianë. Murati në këtë libër e vë theksin në mënyrë të veçantë në padrejtësinë, që i është bërë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe popullit të saj më të madh në numër, nëpërmjet krijimit të Republikës Srpska, e cila lindi si pasojë e genocidit, gjë të cilën autori në artikujt e tij e nënvizon. Një nga temat thelbësore të këtij libri ka të bëjë edhe me raportin mes dy popujve miq, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët në të shkuarën, për fat të keq nuk e kanë ndihmuar njëri tjetrin

„Dy popujt tanë, boshnjakët dhe shqiptarët, kanë shumë gjëra të përbashkëta, që i lidh nga e kaluara, dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë më mirë. Sarajeva dhe Tirana janë shumë të ngjashëm për nga njerëzit që jetojnë në to, xhamitë e tyre janë të ngjashme, e përbashkët është e kaluara e tyre osmane dhe shumë gjëra të tjera. Ky është një libër për mirëkuptimin e çështjes së Bosnjë-Hercegovinës nga një shqiptar. Gjatë pesëmbëshjetë viteve të kaluara, nga 2003 deri në 2018, në mënyrë të vazhdueshme kam publikuar analiza politike me theks çështjen boshnjake. Librin tim e publikoi qendra kërkimore „Alsar“ nga Tirana dhe më bëhet qejfi për këtë, sepse vetë fakti i përkthimit në gjuhën boshnjake dhe shqiptare flet për atë se kemi një dëshirë të dyanshme për afrimin e dy popujve tanë“, tha Murati në promovimin e librit të tij në Sarajevë.

Duke lexuar artikujt e Muratit mund të konkludohet se autori e njeh jashtëzakonisht mirë situatën politike në rajon, në mënyrë të veçantë në Bosnjë-Hercegovinë, gjë për të cilën disa herë kritikon pushtetin në Shqipëri, i cili në disa raste nuk ka treguar mirëkuptim për Bosnjë-Hercegovinën  dhe popullin boshnjak. Një prej artikujve të tij mban titullin „Linçimi serb i Izetbegoviçit dhe heshtja shqiptare“. Në këtë tekst Murati problematizon heshtjen e pushtetit dhe të mediave në Shqipëri, të cilat nuk u rreshtuan menjëherë përkrah antarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili në një intervistë për „Dojçe Vele-n“ shprehu bindjen se Bosnjë-Hercegovina një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Murati nënvizon se ky qëndrim i antarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës flet shumë, dhe se nëpërmjet tij mund të shihet përse zyrtarët e Kosovës duhet të kenë një qëndrim më miqësor ndaj boshnjakëve dhe shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Murati thekson se në kohën e kaluar shqiptarët dhe boshnjakët kanë qenë deri diku të distancuar me njëri-tjetrin.

„Kam shkruar për Bosnjën dhe boshnjakët në mënyrë të vazhdueshme, duke u përpjekur që opinionit publik shqiptar t’i dëshmoj se çfarë po ngjet në skenën politike të atjeshme. Kam folur për të ashtuquajturën pjesë separatiste të Bosnjë-Hercegovinë, që quhet Republika Srpska. Ajo që më duhet të nënvizoj është se unë jam ndoshta i vetmi, që është marrë në mënyrë të detajuar me këtë çështje, se ky është libri i parë që merret me çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe boshnjake, me theks të veçantë: të ashtuquajturën entitet Republika Srpska, Sanxhakun, Kosovën dhe natyrisht Bosnjë-Hercegovinën. Dhe për këtë nënvizoj se ka shumë rëndësi që është publikuar ky libër“.

Një prej promotorëve, Anes Xhunuzoviç, nënvizoi se në librin „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ autori ka theksuar se çdo shpërthim konflikti ndëretnik në Bosnjë-Hercegovinë do të kishte pasoja direkte edhe në shtetet fqinjë, por edhe në mbarë rajonin. Ka vlerësuar se për këtë, procesi i konsolidimit dhe forcimit të funksionimit të shtetit, duhet të ketë mbështetje të të gjithë shteteve në Ballkan.

POZICIONIMI PËR TË VËRTETËN NË BOSNJË-HERCEGOVINË

Interesant ishte edhe fjala e një promotori tjetër, Edhem Biçakçiçit, i cili nënvizoi mirënjohjen për organizatorin, „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“, e cila është përpjekur të realizojë promovimin e kësaj vepre, e cila është publikuar në gjuhën shqipe dhe boshnjake. Biçakçiçi shfrytëzoi rastin që të falenderojë autorin e librit Shaban Muratin për pozicionimin e tij direkt në lidhje me të vërtetën në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është e dukshme në faqet e këtij libri.

„Vepra analizon marrëdhëniet në rajon nga perspektiva e një diplomati, i cili mbi bazën e eksperiencës së pasur, i flet opinionit publik në vendin e tij mbi ngjarjet në vendin mik Bosnjë-Hercegovinë. Boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët në shtetin e  përbashkët osman kanë garuar se kush e kush do t’i japë më shumë ministra cilësorë të oborrit (të Sulltanit. Shën. im), pashallarë, artistë, mësues, gjë që flet për ngjashmërinë mes nesh. Ne jemi dy popuj miq, që i lidh historia dhe përkatësia fetare e përbashkët. Ajo që është interesante sot, Bosnjë-Hercegovina është një vend me më shumë se 50% popullsi muslimane, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje shkon deri në 70%. Autori, në 30 tekste, analizon tema jashtëzakonisht thelbësore edhe për këtë unë e falenderoj. Ajo që konsideroj urgjente është se në në të ardhmen duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për lidhjet mes të rinjve, të cilët në të ardhmen do të forcojnë lidhjet mes vendeve tona. Kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës shumica e qytetarëve  tanë dëshiron njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por procedura e marrjes së vendimit në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës kërkon konsensusin. Kjo për momentin është e parealizueshme, por besoj se së shpejti do të krijohen kushtet. Megjithatë, mendoj se mund të përparojmë marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës në kuptimin e njohjes së dokumenteve, siguracioneve, gjë e cila do të na siguronte lidhje më të mira mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ne e konsiderojmë Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që janë  Austria dhe Gjermania, janë Kosova dhe Shqipëria“, nënvizoi Biçakçiçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat