Nga ekonomia në gastronomi, rrugëtimi i sipërmarrëses Rudina Qosja

Ndryshe

Nga ekonomia në gastronomi, rrugëtimi i sipërmarrëses Rudina Qosja

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 15:07
Rudina Qosja

Rudina Qosja, punën e saj në gastronomi e nisi fillimisht në restorantin e bashkëshortit të saj, ku për shumë vite me radhë u mor me përgatitjen e ëmbëlsirave. Duke e parë suksesin në restorant, ajo vendosi të themelonte mikrobiznesin e saj. Sot, “Rudi’s Cake Factory” njihet për një koncept shumë të veçantë të ëmbëltores në Kosovë.

“Unë, nga studente e fakultetit ekonomik kalova në gastronomi, në krejt tjetër lëmi. Mirëpo, kjo ka qenë një punë të cilën e kam dashur shumë sepse gjithmonë e kam pasur pasion kuzhinën. Së pari, e fillova në Morena Bar, aty e kam menaxhuar restorantin, i cili ka qenë i bashkëshortit. Kur e pashë se ëmbëlsirat po pëlqeheshin shumë dhe njerëzit filluan me porosi individuale aty në lokal, atëherë vendosa të investoj, t’i kryej fillimisht disa trajnime jashtë shtetit dhe pastaj mora forcën e guximin ta hapë biznesin tim”, rrëfen Rudina.

Këtë biznes, ajo fillimisht e hapi vetëm si punëtori, kjo zgjati rreth tre - katër muaj dhe duke i parë kapacitet  e objektit, vendosen ta shfrytëzojnë edhe si restorant, që njerëzit të ndalen për një kafe dhe të provojnë copën e ëmbëlsirës. Kësisoj,  “Rudi’s Cake Factory”, siç quhet biznesi që udhëheq Rudina, u vendos të hapej edhe si pikë e shitjes.

Në një intervistë për AkademiPune, Rudina thotë se puna në fushën e gastronomisë, i jep shumë kënaqësi ngase është vazhdimisht në kontakt me njerëz të ndryshëm dhe mundohet që gjithmonë bashkë me stafin e saj t’ua plotësojnë kërkesat e tyre. “Unë veç kënaqësi ndjej me këtë punë”, thotë Rudina.

Pjesa më e mirë e ditës për të është përgatitja e recetave të reja. Vanesa është ëmbëlsira më e kërkuar në dyqanin e saj, përmban çokollatën me mjedër dhe është zbulim i vet Rudinës. Ajo thekson se qëllimi i hapjes së “Rudi’s Cake Factory”, ka qenë pikërisht prurja e një shije të re në Kosovë, që njerëzit të provojnë gjithmonë diçka më ndryshe.

“Pjesa më e mirë e ditës për mua është përgatitja e recetave të reja.  Zakonisht, në fillim i përgatis unë dhe pastaj i realizojmë bashkë me vajzat e tjera që punojnë me mua, kështu vazhdojmë gjithnjë me të njëjtat procedura. Dëshira ime është që gjithmonë të sjellim diçka të re, të provojmë diçka të re, shije të ndryshme, kjo pjesë më jep shumë kënaqësi në punën time. Ndërkaq, punën edhe më të mire e bën kolektivi -  ne jemi një staf i hareshëm, diskutojmë bashkë, qeshim, kënaqemi në përgjithësi. Kjo është një punë me përgjegjësi por shumë frytdhënëse kur bëhet me qejf dhe pasion”, u shpreh ajo.

Shumë prej grave në Kosovë sot, kanë arritur ta zbehin fjalën sfidë. Edhe Rudina Qosja, si grua në biznes, thotë se nuk i ka lënë sfidat ta ndalin në rrugëtimin e saj. Ajo thekson se të gjithë biznesin e ka themeluar me ndihmën e kredive dhe përkrahjes së familjes.

“Si grua në biznes nuk kam pasur vështirësi. E kam pasur përkrahjen e familjes gjithmonë, as nuk kam marrë grante, gjithçka e kam realizuar me kredi. Vetëm EBRD me ka ndihmuar në brendimin e firmës dhe më ka ndihmuar edhe financiarisht, një pjesë e kam pasuruar në, një pjesë ata. Pastaj kam vazhduar me kredi, kredi pas kredie që të jem këtu ku jam sot. Vështirë nuk është, duhet me e dashtë punën, të kesh vullnet dhe patjetër të punosh 24 orë”, vijoi ajo.

Në dyqan, Rudina thotë se ka më shumë punë në mesditë, ndërkaq në mëngjes furnizojnë lokalet. Kur flet për punën që e bën çdo ditë, Rudina flet më shumë pasion dhe për të pengesat duken të jenë gjithmonë të vogla dhe lehtë të tej kalueshme.

“Ka edhe pengesa, janë nganjëherë disa vogëlsira që neve na duken që zgjidhen lehtë mirëpo aty mbesim pastaj dhe shohim se janë pikërisht ato që duan më shumë vëmendje. Në punë p.sh., kemi pasur edhe raste kur nuk i kemi tejkaluar mirëpo parimi jonë është që  të gjejmë një zgjidhje dhe të dalim sa më mirë. Po e ndaj me ju një rast, p.sh. e kemi përgatitur tortën në mënyrën më të mirë dhe në një moment të caktuar ajo veç ka rënë, pastaj kur e kemi analizuar kemi parë që problemet i kemi pasur tek temperatura, xhelatina nuk është përzier mirë etj, pra gjithmonë e gjejmë shkaktarin e problemit në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta gjë. Mirëpo, kryesisht janë vështirësi që tejkalohen”, tha Rudina.

Si sipërmarrëse e suksesshme, Rudina ndjehet krenare që ka arritur të punësojë edhe njerëz të tjerë në biznesin e saj. Krenaria i shtohet akoma më shumë kur e kujton se e ka nisur vetëm me një kolege, ndërkaq sot janë gjithsej shtatë punëtorë.

“Për momentin jemi shtatë punëtorë. E nisëm si punëtori, punoja vetëm me një kolege, pastaj u bëmë tre, katër, e sot jemi shtatë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Në të ardhmen, patjetër që do të rritemi edhe më shumë. Ne kemi shumë pika të shitjes të cilat i furnizojmë, kemi shumë restorante, kemi porosi individuale, etj. Në Prishtinë, mendojmë ta hapim edhe një pikë tjetër, mirëpo gjithmonë duke pasur prioritet cilësinë e produkteve tona”, u shpreh ajo.

Rudina Qosja ka përfunduar disa trajnime në gastronomi, trajnime me pasticierë francezë në Greqi , dhe së fundmi në New York, trajnime me italianin e njohur Gianluca Fusto.

Një karrierë është e suksesshme atëherë kur puna bëhet me shumë qejf sepse vetëm atëherë jemi vetvetja. Edhe sipas Rudinës, suksesi në karrierë arrihet edhe nëse kemi veti të mira si njerëz por edhe nëse investojmë në punën që duam. Ajo thotë se personalisht ka qenë gjithmonë optimiste, e zellshme dhe këtë punë e ka bërë gjithnjë më shumë pasion. Të rinjtë që presin të kyçen në tregun e punës sot, ajo i këshillon të punojnë shumë, të mos ndalen dhe të investojnë në punën që duan sepse nëse nuk e duan një punë nuk do të arrijnë sukses.

“Punoni dhe mos u ndalni, investoni në punën që e doni sepse po nuk e deshët punën, pas 1 ose 2 vjetësh, do të lodheni sepse nuk ju jep kurrfarë kënaqësie një punë e tillë. Prandaj, gjeni punën të cilën e doni dhe kur e doni një punë, suksesi nuk mungon, tjerat vijnë pastaj. Veç me e dashtë punën, gjithçka tjetër bëhet”, përfundoi Rudina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat