Hack the Crisis Kosova me shumë zgjidhje digjitale për sfidat e COVID-19

Ndryshe

Hack the Crisis Kosova me shumë zgjidhje digjitale për sfidat e COVID-19

Më: 8 prill 2020 Në ora: 14:20
Foto Ilustrim

E frymëzuar nga nismat në Estoni, Suedi e Finlandës, gara “Hack the Crisis Kosova” e organizuar online nga Innovation Centre Kosovo (ICK) prej 2-5 Prill, mblodhi një komunitet prej 400 personave dhe ofroi 38 projekte inovative në kategori të ndryshme, të prekura nga pandemia. 

Gjendja e jashtëzakonshme kërkon mobilizim të jashtëzakonshëm, dhe ky ishte shkas që Innovation Centre Kosovo (ICK), për herë të parë organizoi garën “Hack the Crisis Kosova” tërësisht online, me ndihmën e komunitetit si dhe mbështetësve përfshirë Ambasadën e Suedisë e Norvegjisë, Komunën e Prishtinës, GIZ, Zyren e BE-së, UNDP, UNICEF dhe Gjirafa.

Gara në të cilën u angazhuan mëse 400 persona të profileve të ndryshme, u organizua prej 2-5 Prill, dhe në të morën pjesë 70 ekipe garuese nga Kosova dhe rajoni, të cilat dizajnuan produkte digjitale në gjashtë kategori të ndryshme, si: statusi shoqëror e psikologjik, edukimi, ekonomia dhe e ardhmja e bizneseve dhe qeverisja në kohën e pandemisë dhe pas.

Videon e ceremonisë hapëse të garës mund ta gjeni këtu. Në hapje të pranishëm online ishin kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck, përfaqësuesja e UNDP, Maria Suokko, Mergim Cahani, CEO i Gjirafa, si dhe Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së.

Pas tre ditëve të punës intenzive, ekipet e mbështetura nga 60 mentorë profesionistë, prezantuan online projektet e tyre, më 4 Prill. Videon nga prezantimet e projekteve mund ta gjeni këtu. Ditën e diel, më 5 Prill, juria e përbërë nga Arbnora Gojani Mazreku (UNDP), Mergim Cahani (Gjirafa) dhe Valon Asani (Dua.com), përzgjodhën fituesit e garës, si vijon:

Vendi i parë për ekipin “Team Avengers” me produktin “Dhuro” – një “crowdsourcing” platformë, e cila ka për qëllim të lidh njerëzit që kërkojnë ndihmë, me njerëzit të cilët mund të ndihmojnë. Qëllimi i këtij projekti është që ti afrojë njerëzit bamirës me nevojtarët, sidomos gjatë kohëve të vështira sic është situata e tanishme e krijuar nga pandemia.

Përdoruesit e platformës “Dhuro” kanë mundësinë të ndihmojnë ose të kërkojnë ndihmë me gjëra bazike si ushqim, veshëmbathje, medikamente, libra, etj. Kjo platformë është shumë e thjeshtë për tu përdorur nga të gjithë grupëmoshat dhe është e qasshme nga telefoni apo kompjuteri.

Vendi i dytë i takoi ekipit “PyPe” – produkt digjital i cili ju mundëson përdoruesve të kenë ndërveprim më njëri-tjetrin, pyetje dhe përgjigje për probleme e tema të ndryshme, si dhe shkëmbim të përvojave. Pype mund të gjenerojë të dhënat e ofruara nga përdoruesit, të cilat do ti filtrojë nëpërmjet teknologjisë “Machine Learning” bazuar në algoritmin “part-of-speech tagging” dhe klasifikimit të përmbajtjeve. Si rrjedhojë, PyPe do të bëjë më të lehtë dhe të saktë gjetjen e përgjigjeve në pyetje të caktuara rreth pandemisë apo temave tjera që lidhen me te.

Vendin e tretë e fitoi ekipi “Bike Delivery”, të cilët do të krijojnë një aplikacion për pranimin e porosive të ndryshme, dhe shpërndarjen e produkteve nëpërmjet biçikletave. “Bike Delivery” synon të përfshijë sa më shumë biznese të cilat për momentin nuk janë të hapura për klientë fizik, të ndara në kategori të ndryshme, varësisht nga veprimtaria.

Përveç tre vendeve të para, “Hack the Crisis Kosova” shpërbleu edhe dy ekipe tjera me çmimet “Idea më premtuese” si dhe çmimin e publikut.

Sistemi i menaxhmentit të Karantinës (idea më premtuese) është unik dhe shumë i nevojshëm në gjithë botën jo vetëm në Kosovë. Ky sistem i mundëson personat në karantinë të caktojnë takim me doktorët, të porosisin ushqim online, të komunikojnë me njeri-tjetrin pa pasë nevojë për kontakt etj. Ndër të tjera, produkti do të përdorë Inteligjencë Artificiale, e cila në bazë të të dhënave, do të parashikojë gjendjen shëndetësore të pacientëve potencial, ende pa u bërë testet mjekësore, me një saktësi të lartë. Web aplikacioni po zhvillohet nga ekipi i tePazari.com për Ministrinë e Shëndetësisë.

Ekipi “Isolated Heroes” të cilët fituan çmimin e publikut, pas votimit online në Facebook, janë të fokusuar në sfidën e ekonomisë, dhe kanë propozuar zgjidhje për sektorin e gastronomisë, duke pasur parasysh që këto biznese momentalisht kanë të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë së tyre si masë parandaluese për përhapjen e virusit, dhe kjo ka ndikuar në mosgjenerim të të hyrave për këto biznese. Ekipi synon që nëpërmjet “gift cards” të cilat blihen online, të gjenerojë të hyra për bizneset të cilat momentalisht janë të mbyllura, në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.

Videon e plotë nga ceremonia e ndarjes së çmimeve mund ta shikoni këtu.

Ekipet fituese të garës u shpërblyen me 10,000 Euro, bursa studimi nga kolegjet Riinvest dhe Universum, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim, Innovation Centre Kosovo do të ndihmojë në gjetjen e partnerëve dhe ndihmës shtesë për jetësimin e disa prej ideve të dala nga gara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat