Flamuri i shpresës kundër pandemisë: Simboli që u reziston viteve dhe përvetësimeve

Ndryshe

Flamuri i shpresës kundër pandemisë: Simboli që u reziston viteve dhe përvetësimeve

Më: 26 prill 2020 Në ora: 15:16
Foto Ilustrim

Harku i shpresës është bërë flamur. Përsëri. Ylberi është mësuar të jetë simbol për shumë gjëra, pa mohuar askënd. Ka shtuar gamën e veprimit, jep mesazh për të luftuar frikën, për të ngjallur shpresë.

Asnjëherë nuk resht, pavarësisht përdorimit të shpeshtë. Tani flamuri varet në ballkone, duke tundur si një simbol krenar optimizmi dhe është i vlefshëm për të gjithë.

Mund të duket si një zgjedhje romantike, naive: shtresa ngjyrash të ndezura dhe, mbase, frazat e zgjedhura për ta shoqëruar nuk janë aq të forta sa ngjyrat: “Andrà tutto bene” (Gjithçka do të shkojë mire”, “Resistiremos” (Ne do të rezistojmë)…

Ylberi është kundër mesazheve përjashtuese, sepse ai ka një shtrirje globale. Nuk njeh shtresë, nuk njeh racë, nuk njeh seks.

Kjo i ka mjaftuar fantazisë snobiste të Damien Hirstit që me duart e fëmijëve të zhytur në ngjyra ka mundësuar një poster ylber plot ngjyra të ndritshme.

Ylberi i artistit është produkti i fundit i urgjencës, që mund të shkarkohet nga interneti. Hirst ka provuar gjithmonë të kapërcejë vdekjen dhe akoma e bën. Kopjet e shkarkuara do të shiten në ankand dhe të ardhurat do të shkojnë për sistemin shëndetësor britanik. Një nga artistët më të famshëm në botë që përdor një nga simbolet më pak origjinale. Sharmin e ylberit.

Simboli i paqes që nga viti 1961, rruga që të çon në botën e perëndive, porta e Nirvanës, pagan dhe fetar. E përbashkëta e të gjithë këtyre: ylberi nuk njeh gjëra të vogla edhe pse ushqehet gjithmonë me histori të reja. Krejt natyrshëm përdoret si simbol: është i përsosur, është i bukur, është i gjallë dhe nuk pengohet nga asnjë bestytëni. Në teori merr kuptime të ndryshme në varësi të ngjyrave: shtatë për paqen, tetë për paradat e Krenarisë, por gjithçka shkrihet ashtu siç këndoi Judy Garland: “Somewhere Over the Rainbow”, ku problemet shtrydhen në pika limoni, në një botë ku “asnjë vend nuk është aq i bukur sa shtëpia ime”.

Është pikërisht aty ku qëndron sot ylberi, i ankoruar në një kangjella, i fiksuar në një derë, i lidhur në një portë, për të treguar një banesë të njohur: selinë e karantinës. Megjithatë, ai tregon edhe rrugën për të dalë. Ai gjithmonë e ka bërë këtë, që nga arka e Noes.

“Harku mbi re” shkëlqen në Bibël si shenja e rilindjes pas stuhisë. Grekët e lashtë ndoqën rrugën drejt tij për të rënë në gjurmët e hyjneshës Iris, dhe që atëherë ai është bërë simboli i një ure lidhëse midis njeriut dhe të mbinatyrshmes, siç njihet edhe në kulturat nordike. Për aborigjenët australianë ai lëviz si gjarpër, që duhet të ndiqet kujdes, në përrallat irlandeze, në fund të shiritave me ngjyrë ka tenxhere ari, thesari që rrjedh prej tij. Ylberi është marramendës, i pakapshëm, tregon një pasuri që nuk mund të preket, është një rrugë, jo një fund.

E kuqe për jetën, e verdhë për diellin, jeshile për natyrën, blu e lehtë për frymëzim, blu e errët për harmoninë, vjollcë për shpirtin dhe portokalli për shëndetin. Ngjyra më aktuale. Portokalli është e zeza e re, që shkon me gjithçka, si thuhet me ironi në një nga seritë televizive që në të vërtetë i referoheshin uniformave të të burgosurve amerikanë, por portokallia e ylberit në të vërtetë shkon me gjithçka, është thelbësore. Pa të, është e vështirë të merren parasysh ngjyrat e tjera. Kushdo që ka parë të paktën një ylber të vërtetë, ka ndjerë besimin e mrekullive konkrete.

Ai lëkundet si në këngën e Bob Marley, ‘Rainbow Country’ me lirinë e ritmit rege. Përhap mençuri nga poezitë e William Wordsworth: “Zemra ime ngazëllon para ylberit që po lind: sikur lind një botë; njohje e vetvetes; zbulimin e vetes së vjetër”.

Për budistët është shpirt i pastër, për majatë ishte kurora e Ix Chel-it, nëna jaguar. Nuk ka origjinë ose përkatësi. Ai u reziston viteve dhe përvetësimeve abuzive. Pa rrënjë dhe me shumë shpirt, është një ndriçues ideal në një kohë pandemie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat