Vazoja kineze e gjetur në një shtëpi të mbushur me kafshë shtëpiake shitet për 9 milionë dollarë

Ndryshe

Vazoja kineze e gjetur në një shtëpi të mbushur me kafshë shtëpiake shitet për 9 milionë dollarë

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 12:17
Vazoja kineze

Një vazo kineze, e harruar për një kohë të gjatë, e shitur dikur në ankand për vetëm 56 dollarë, është shitur në një ankand për rreth 9 milionë dollarë të shtunën, pasi u zbulua në shtëpinë e një gruaje të moshuar.

Siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, e përshkruar nga Sotheby si një “kryevepër e humbur”, artifakti i rrallë i shekullit të 18-të kaloi 50 vitet e fundit në një shtëpi të largët në Evropën qendrore të rrethuar nga macet dhe qentë, sipas ankandit.

Vazoja jashtëzakonisht e pazakontë – u bë posaçërisht për Perandorin Qianlong, i cili sundoi Kinën për më shumë se 60 vjet.

“Është një mrekulli që kjo vazo jashtëzakonisht e brishtë mbijetoi gjysmë shekulli në një shtëpi të rrethuar nga kafshët shtëpiake të panumërta”, ka thënë kryetari për Azi i Sotheby, Nicolas Chow, në një deklaratë për shtyp para shitjes.

Sotheby’s ia krediton zbulimin këshilltarit të artit me qendër në Amsterdam, Johan Bosch van Rosenthal, i cili gjeti vazon.

Gjithsesi, Sotheby’s nuk e ka specifikuar në cilin vend evropian ndodhet shtëpia, ndërsa thuhet se pronari, i cili është në vitet e 80-ta, besohet se e ka trashëguar vazon.

Të dhënat e Sotheby treguan gjithashtu se vazoja kishte kaluar nëpër shtëpinë e ankandit në Londër në 1954, duke u shitur vetëm 44 funte (56 dollarë), me vlerë rreth 1.500 dollarë në paratë e sotme, shkruan CNN.

Hulumtimi i ankandit zbuloi se ajo u shit përsëri më vonë atë vit për 80 funte (101 dollarë).

Artikulli i rrallë është në mesin e një numri të objekteve të tjera kineze të rizbuluara për të tërhequr shuma të mëdha në ankand në dekadën e kaluar.

Ndryshe, në vitin 2010, një vazo tjetër nga mbretërimi i Perandorit Qianlong u shit për 68 milionë dollarë – që në atë kohë besohej të ishte një rekord botëror për një vepër arti kineze pasi u gjet në një shtëpi në Londër.

Ndërsa në vitin 2018, një vazo e shekullit të 18-të, e gjetur në një kuti këpucësh në papafingo të një familjeje franceze, është shitur për 19 milionë dollarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat