Ku pushojnë personazhet e famshëm

Ndryshe

Ku pushojnë personazhet e famshëm

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 15:15
Foto Ilustrim

Nuk është e thënë që pushimet tuaja, duhet patjetër të kenë si destinacion, për shembull, arkipelagun e Stokholmit me 25 mijë ishujt e tij, ishujt Azores në Portugali, parkun detar Roatán në Honduras apo gadishullin Istria në Kroaci. Por kjo nuk do të thotë assesi që pushimet janë vetëm: ditë të nxehta, netë të gjata, barbekju dhe akullore buzë detit, kredhje në ujin e e kripur apo të ëmbël të liqenit dhe pishinës. Pushimet e verës janë shumë më shumë se kaq. Qetësi totale, shkëputje nga zhurma dhe streset e së përditshmes, not, shijim i pjatave të reja, eksplorim vendesh e kulturash, sport, dëfrim, rikarikim energjish… e në fund sërish det! Lista është e gjatë, por e personalizuar. Herë herë dëshira na shpie diku dhe mundësia diku tjetër. Po kur bashkohen të dyja? Kjo është idealja… – “Kush ka pyetje? Po, na thuaj!” – “Cili është destinacioni ideal i pushimeve të verës për personazhet e njohur në botë dhe në vendin tonë?” – “Mos humbisni asnjë rrjesht më poshtë!”

 

St. Barts (foto 1 dhe A) – Rërë, diell dhe det. Mund t’i gjesh kudo por jo si në ishujt tropikal të Karaibeve dhe saktësisht në St. Barthélemy. Ky vend është i preferuari i fotografëve që realizojnë reklamat e Victoria’s Secret. Por panorama tropikale plotësohet edhe nga restorantet luksozë e butikët e pafund. Një destinacion i përvitshëm për çiftin Beyonce dhe Jay-Z. Po kështu i preferuar edhe për çiftin Gwen Stefani e Gavin Rossdale, Mariah Carey, Lindsay Lohan, Miranda Kerr e Orlando Bloom.

 

Barbados – Ishujt e Karaibeve njihen për plazhet e bukura dhe palmat, por Barbadosi se ç’ka diçka tjetër, akoma më tërheqëse. Sërfi, rumi dhe ritmet kalipso bëjnë që shumë personazhe të Hollywood-it të zgjedhin ishujt Barbados për pushimet e verës. Më shumë e tërhequr pas tyre është Rihanna, e cila krenare për vendin e saj të lindjes, i bën ftesë kolegëve për ca ditë pushimi në Barbados. Dhe ata padyshim janë shumë: Frank Sinatra, Oprah Winfrey, Britney Spears, Mick Jagger, Sting, Victoria & David Beckham dhe Cameron Diaz.

Monako– Një kombinim perfekt midis Francës dhe Mesdheut, Monako tërheq si me magnet të pasurit dhe të famshmit. Si shteti i dytë më i vogël në botë, përveç brigjeve fantastike mban lidhur pas vetes edhe të apasionurit e Formula 1 dhe kazinove me në krye Kim Kardashian e më pas çiftin Angelina Jolie e Brad Pitt dhe aktoren Jennifer Aniston.   

Cabo San Lucas– Ndoshta është dielli, ndoshta rëra ose ndoshta birra. Cila do qoftë arsyeja, emrat e njohur të Hollywood-it nuk ngopen asnjëherë nga Cabo San Lucas, bregdeti jugor më i famshëm i Meksikës. Plazhet e hareshme, zhytjet nën ujë dhe klubet e natës kanë bërë për vete sidomos çiftin Jessica Alba e Cash Warren.

Liqeni i Komos– Pushime me më shumë klas, pushime aristokratësh dhe më të sofistikuara? Zgjidhni liqenin e Komos në Itali ashtu sikurse kanë bërë Richard Gere, Oasis, Frank Sinatra dhe Matt Damon. Rrethuar nga male ende të mbuluar nga bora, vila dhe ndërtesa karakteristike që nga koha romake, bën që pushimet e verës të jenë ndryshe.

Majorka– Majorka njihet për plazhet e bardhë dhe të izoluar, jahtet luksozë dhe për kryeqendrën kozmopolitane, Palma. Sidomos për të shijuar perëndimin e diellit të pashoq në këtë ishull spanjoll, shpesh vizitohet nga modelja Naomi Campbell, çifti Catherine Zeta Jones e Michael Douglas apo dhe aktori Antonio Banderas. 

Maui– Aty gjen plazhe spektakolare, ujëvara, male, pyje dhe kratere vullkanike. Ishulli Maui është kryefjala e ishujve Hawaii dhe një destinacion i preferuar gjatë verës për njerëz që duan luksin dhe modernitetin. Disa nga personazhet e njohur që preferojnë të kalojnë patjetër disa ditë në Maui janë Eva Longoria, Zac Efron, Nicole Kidman, Barack Obama, Jack Johnson, Drew Barrymore e Lance Armstrong.  

Bermuda– “Ju mund të shkoni deri në parajsë. Unë për vete do qëndroj këtu, në Bermuda”. Kjo shprehje e famshme e Marc Twain-it është kthyer në moton e ditëve të nxehta për Mischa Barton, Bill e Hillary Clinton dhe Susan Sarandon e Tim Robbins. Bermuda, ishulli i vogël misterioz në Atlantikun e Veriut tërheq për brigjet më korale të kuq e padyshim për jahtet luksozë.

Barbana Dini: Midis Jonit dhe Adriatikut – Pushimet e verës, këngëtarja e hitit “Cover boy”, preferon t’i kalojë pranë detit. “Në Shqipëri pjesa më tërheqëse është bregdeti i Jonit. Më pëlqen ndërthurja e malit me detin, uji i pastër dhe jeta e natës.” Dhe ashtu sikur shumë shkodranë që kanë si destinacion të fundjavës ose pushimeve verore qytetin e Budvës, edhe Barbana e rendit këtë qytet në një ndër të pëlqyerit e saj. “Qyteti që laget nga deti Adriatik, më pëlqen për ndërthurjen midis tradicionales dhe modernes. Njëkohësisht edhe për shërbimin me kualitet të lartë dhe argëtimin, pasi është një qytet me shumë gjallëri.”

Artan Qerimi: “Welcome to Miami” – Ai jeton në Londër, por për hir të punës si blerës dhe asistent menaxher në kompanitë e modës MCM (Mode Creation Munich) dhe Escada, i duhet të udhëtojë shpesh. Ne nuk do të ndalemi te udhëtimet e punës por te udhëtimet e verës. Sapo pyet Artanin për vendin që i ka lënë më shumë mbresa, përgjigjet menjëherë: “Miami është vendi që më ka lënë pa fjalë!” Dhe duke e lidhur me punën e tij, shton: “Miami më pëlqen edhe për blerjet. Shopping-u është shumë i lirë në krahasim me vendet e tjera të Europës.” Tony (siç prezantohet në rrjetin social ‘facebook’), e dashuron këtë qytet edhe për pastërtinë, luksin e për bregdetin e mrekullueshëm, me rërën e bardhë dhe oqeanin blu. “Në veçanti më kanë pëlqyer 47 urat në oqean që lidhin një ishull me një tjetër. Shëtitjet nëpër kopshtet botanike dhe udhëtimi në lumin në të cilin ndodhen mbi 2000 krokodilë dhe gjarpërinj. Është vendi që unë do dëshiroja të shkoja më shpesh sepse të dhuron kënaqësi klima e nxehtë, ushqimi i mirë dhe jeta e e zhurmshme e natës.” – duke na kujtuar kështu Miami South Beach, më të preferuarin e turistëve dhe personazheve të njohur hollivudianë.

Gent Myftaraj: Relaks dhe njerëz të bukur – Për shumë vite, kitaristi dhe kompozitori i njohur ka jetuar në Selanik. Ky qytet e bën të ndihet vetvetja, ndaj Genti e viziton shpesh këtë vend. “Selaniku më bën të ndihem shumë mirë dhe për këtë arsye, pushimet e verës preferoj t’i kaloj në Xalkidhiki.” Nuk mjaftohet vetëm me disa ditë pushimi të kaluara në këtë vend bregdetar. Aty ai shkon dy apo tre herë gjatë vitit. “Arsyeja pse preferoj Xalkidhikin është sepse aty ndihem i relaksuar. Për më tepër të josh standardi grek në turizëm dhe se më pëlqen të pushoj në një vend ku më rrethojnë “beautiful people”.

Juela Meçani: Buzë liqenit, mundësisht në Shqipëri – Tanimë e ka kthyer në një mision: të vizitojë sa më shumë vende të Shqipërisë. Kjo është arsyeja, që sidomos ditët e nxehta, Juela Meçani preferon t’i kalojë në Shqipëri, e konkretisht në qytetin e Pogradecit. “Përgjithësisht kam udhëtuar në vende të ndryshme të Europës, për turizëm kulturor por gjatë ditëve të nxehta, preferoj liqenin dhe freskinë e Pogradecit. Vitin që shkoi kam pushuar në këtë qytet, por edhe në Ohër e Strugë.” Mikpritja, kuzhina dhe klima bëjnë që këshilltarja politike në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta edhe këtë vit, të shkojë sërish pranë liqenit – jo më të dremitur – për më shumë freski në ditët përvëluese.  

Kamela Islamaj: Riviera franceze? Perfekt! – Për këngëtaren Kamela Islamaj, ky është viti i dytë që pushimet e verës preferon t’i kalojë në Shqipëri, në jug të tij më saktësisht. Nuk pëlqen vendet e populluara, si Dhërmiu për shembull, por qetësia e Jalës, Livadhës apo Llamanit e ka joshur së shumti. Gjithsesi për 24 vjeçaren pushimet perfekte, do të ishin ato në Côte d’Azur! “Unë kam qenë disa herë dhe është një mrekulli. Vetëm se duhet ta pyesësh mirë xhepin, përpara se të shkosh atje.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat