Një shef i mirë apo një kompani e mirë?

Ndryshe

Një shef i mirë apo një kompani e mirë?

Më: 2 mars 2021 Në ora: 07:10
Ilustrim

"Mos zgjidh punën! Zgjidh shefin! Shefi yt i parë është faktori më i madh në suksesin e karrierës tënde. Një lider që nuk të beson nuk do të të jap mundësi që të rritesh" - William Raduchel

A ia keni bërë vetes ndonjëherë këtë pyetje? Cila përgjigje ka fituar pasi ke argumentuar dhe kundër-argumentuar pafund? Një shef i mirë apo një vend pune e mirë? Në rastet kur jeni përballur qoftë me njërën qoftë me tjetrën, mbase e keni pasur më të lehtë për ta gjetur përfundimin, por çfarë në rastet kur keni pasur një përvojë për ta kujtuar?

Një studim i fundit tregon që 65 për qind e punonjësve më shumë preferojnë një shef më të mirë se sa një pagë më të madhe. Sipas këtyre punonjësve nuk ka asgjë më mirë se sa një shef i cili i përkrah, ata arrijnë t’i bëjnë përvojat e punës më të mira, marrë parasysh që punonjëst hargjojnë më shumë se gjysmën e ditës në punë, duan të kenë një ambient të shëndetshëm të punës, me një shef që i qëndron prapa kësaj.

Sipas kësaj, është koha kur kompanitë e kanë kuptuar që as paratë dhe as përfitimet e tjera nuk do të krijojnë një staf të mirë, në rast që kanë shef të keq. Pa asnjë dyshim, që shefi është faktor kyç në mbajtjen e stafit të lumtur dhe të motivuar për të punuar.

Punonjësit nuk largohen nga puna e keqe, largohen nga shefat e këqij.

Në shumicën e rasteve punonjësit kanë ndonjë çështje me kompaninë, por që ka të bëjë me diçka rreth shefit të tyre. Ajo çfarë fshihet në këtë thyerje marrëdhëniesh është mungesa e besimit, respektit dhe empatisë.

Në një botë ideale, puna e ëndrrave për ju do të ishte një kompani e shkëlqyeshme më një shef po kaq të shkëlqyeshëm, por gjasat që kjo të ndodh janë shumë të rralla.

Pavarësisht kësaj, Suzy Welch, bashkë-themeluese e “Jack Welch Management Institute”, thotë që një shef i mirë në një kompani jo të mirë është diçka e mirë për hapa të shkurtër. Ata mund t’ua bëjnë jetën me të mirë për një kohë, por kompanitë e këqija i konsumojnë shefat e mirë dhe i bëjnë që të ikin. Nisur nga kjo, Welch sugjeron që gjithmonë të zgjidhen kompanitë e mira, edhe nëse shefat aty janë të tmerrshëm. Gjasat që kompania ta largojë atë shef për një më të mirë janë shumë të mëdha.

“Pavarësisht se sa i vështirë mund të duket ky vendim, ju gjithmonë duhet ta lidhni vagonin tuaj me një kompani të shkëlqyer dhe jo me një individ të shkëlqyeshëm. Duke shpresuar që një ditë, do t'i keni të dyja në të njëjtën kohë”, përfundon ajo.

Ndërsa Amber Johnson, nga Online Education Services, këshillon që të gjendet dikush i cili investon në zhvillimin tuaj dhe ju ndihmon që të rriteni në karrierë, derisa po ashtu ju nxitë t’i përdorni aftësitë tuaja dhe ta tregoni gjithë potencialin që keni. Sipas Johnson, mbase kompania nuk do të jetë edhe aq e mirë, por kontributi juaj mund ta bëjë atë një vend më të mirë për të punuar. Udhëheqësit e mirë i rrisin kompanitë, thotë ajo për “In the black”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat