Mësime në mal, nxënësja me stil të përkryer për klasat online

Ndryshe

Mësime në mal, nxënësja me stil të përkryer për klasat online

Më: 5 prill 2021 Në ora: 15:11
Fiammetta Melis

Çdo ditë 10-vjeçarja Fiammetta Melis ngjet malin në Caldes, në veri të Italisë, me çantën e saj rozë, për t’i ndjekur mësimet online.

Lidhet me internet nga telefoni i nënës së saj dhe ndjek mësimet shumë larg prej klasës, sikurse pjesa dërrmuese e nxënësve në Itali shkaku i pandemisë Covid-19.

Kështu Fiammetta mund t’i shijojë rrezet pranverore duke qëndruar jashtë.

Babai i saj i ruan 350 dhitë e tij në këtë vend malor. Pra, Fiammetta ka shoqëri goxha të mirë.

Nganjëherë gjatë orëve mësimore afrohen dhitë, mirëpo ajo nuk shpërqendrohet.

“Mund të përqendrohem në mësim, madje ndonjëherë kur kemi pushim mësuesve dhe shokëve të klasës ua tregoj dhitë. E lëvizi laptopin përreth në mënyrë që ta shohin vendin, sepse të gjithë ata ndodhen tani në qytet”.

Nëpër Itali janë mbyllur shkolla pjesërisht ose plotësisht që nga fillimi i pandemisë. Nxënësit e shkollave të mesme kanë mësuar nga shtëpitë që nga marsi i 2020-s, kurse ata të shkollave të mesme kanë mësuar duke iu përshtatur ndarjes sipas zonave të rrezikshmërisë.

Sipas masave të ashpërsuara të qeverisë, të gjitha shkollat në rajonet e zonës së kuqe duhet të mbyllen. Pjesë e zonës së kuqe është edhe vendi ku jeton Fiammetta, rajoni i Trentos.

“Shkollat mund të mbyllen për pak kohë, por jo si në vitin 2020. Qëndruan të mbyllura për shumë kohë dhe nxënësit janë prapa me mësime. Fatmirësisht kemi nisur të mësojmë, por kemi humbur shumë kohë shkaku i pandemisë”.

Nëna e saj, punëtore shëndetësore dhe sociale, ka qëndruar në shtëpi gjatë ditëve të para, por është dashur të kthehet prapë në punë. Kështu që familjes së saj i lindi një ide.

Më 18 mars ata u ngjitën së bashku në mal për të parë nëse interneti punonte. Që nga ajo ditë Fiammetta e ka shijuar çdo minutë të qëndrimit aty.

Mirëpo, jeta për të nuk është edhe e lehtë. Ajo duhet të zgjohet herët në mëngjes në orën 4:30, për t’i ndihmuar babait me kafshët. Në kohën kur klasorët e saj flenë, ajo merret me ushqyerjen e dhive.

Ndonëse Fiammetta nuk ka kurrfarë ankese, fëmijët e tjerë në Itali po kanë vështirësi me mësimin online. Sipas Mirko Bisestit, anëtar i Këshillit për Edukim në Rajonin e Trentos, shkolla duhet të rihapen.

“Këto ditë po jetojmë në një kohë dramatike pasi prindërit që nuk mund të punojnë nga shtëpia, duhet të mendojnë për ndonjë mundësi tjetër, siç është rasti i Fiammetta-s”.

Heidi Italian, Fiammeta, ka marrë goxha vëmendje. Autoritetet lokale ia kanë mundësuar asaj një laptop të ri dhe modem në mënyrë që t’i ketë kushtet më të mira të mundshme për t’i ndjekur mësimet online.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat