Dita Ndërkombëtare e Tokës, mesazhi që planeti na dërgoi të gjithëve gjatë këtij viti

Ndryshe

Dita Ndërkombëtare e Tokës, mesazhi që planeti na dërgoi të gjithëve gjatë këtij viti

Më: 22 prill 2021 Në ora: 18:41
Ilustrim

Toka mori frymë, kishte nevojë për frymë. Këtë e kuptuam vetëm kur e gjithë bota u izolua. U desh ky vit i trishtë në të gjithë botën që të kuptonim sa shumë është i rëndësishëm planeti për ne dhe sa shumë duhet të kujdesemi që ai të jetë i shëndetshëm. Sot, më 22 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, i gjithë globi duhet të reflektojë.

Ka pasur shumë ndryshime që nga Dita e parë e Tokës në vitin 1970, por edhe nga ajo e një viti më parë. Shkencëtarët kanë thënë se tani Toka ka 46 për qind më pak pemë sesa ekzistonin para se njerëzit të nisnin për herë të parë t’i prisnin, para mijëra e mijëra vitesh. Ata kanë zbuluar që shpyllëzimi është rritur me ritme të shfrenuara vitet e fundit, që ka ndikuar në humbjen e 15.3 miliardë pemëve çdo vit, ndërsa rreth 5 miliardë rriten përsëri. Ka pasur disa mbrojtje pyjesh të suksesshme së fundmi, që është lajm i mirë. Megjithatë, ka ende shumë punë për t’u bërë.

Çdo vit, tema e Ditës së Tokës ndryshon. Në vitin 1990, në qendër të vëmendjes ishte mobilizimi global i çështjeve mjedisore me një fokus të fortë riciklimin. Në vitin 2000 tema për Ditën e Tokës ishte fokusi mbi ngrohjen globale dhe energjinë e pastër. 2010 shënoi projektin më të madh në botë të shërbimit mjedisor — një miliard akte të gjelbra — si dhe një tubim për ndryshimin e klimës me 250 mijë personash në Uashington.

Tema për Ditën e Tokës 2021 është “Ta rikthejmë Tokën tonë” – një mesazh që synon të na kujtojë se nëse e mbrojmë planetin, të gjithë mundemi të kemi një Tokë të shëndetshme në emër të jetës dhe të shëndetit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat