Një grua lind foshnjën në aeroplan

Ndryshe

Një grua lind foshnjën në aeroplan

Më: 3 maj 2021 Në ora: 12:22
Lavinia Mounga po udhëtonte nga Salt Lake City për në Havai më 28 prill

Një mjek dhe një ekip i profesionistëve mjekësorë neonatal ishin në vendin e duhur dhe kohën e duhur, duke e ndihmuar një grua nga Utah të lind në një aeroplan që po fluturonte për në Havai, raporton agjencia AP.

Lavinia Mounga po udhëtonte nga Salt Lake City për në Havai më 28 prill, për një pushim familjar, kur ajo lindi në aeroplan të birin, Raymondin, në javën e 29-të të shtatzënisë.

Mjeku Dale Glenn, një mjek familjar nga Havai, dhe Lani Bamfield, Amanda Beedin e Mimi Ho – infermiere në njësitin intensiv neonatal nga Spitali i Kansas Cityt – ishin po ashtu në aeroplan.

“Gjatë fluturimit, pati një thirrje emergjente, dhe e kam përjetuar një gjë të tillë edhe më parë dhe qartazi po kërkonin një mjek. Kjo thirrje ishte dukshëm më urgjente”, ka thënë Glenn.

Bamfield tregon se ajo dëgjoi dikë duke kërkuar ndihmë mjekësore dhe pa foshnjën aq të vogël.

Të tri infermieret u hodhën në aksion. Pa pajisje speciale që i duhen, grupi u bë kreativ: përdorën lidhëset e këpucëve për të prerë kordonin e kërthizës dhe përdorën një orë të mençur për të matur rrahjet e zemrës së foshnjës së vogël.

“Po mundoheshim të punonim në një pjesë të izoluar të aeroplanit, që nuk është e lehtë në aeroplan. Por, puna ekipore ishte e shkëlqyer”, ka thënë Glenn.

Rasti ka bërë bujë në TikTok, që është shikuar mbi 11 milionë herë deri të dielën mbrëma. Video e shpërndarë nga Julia Hansen, tregon njoftimin për lindjen në aeroplan, ndërsa aeroplani u ul tri orë më vonë.

Stafi mjekësor po priste në aeroport në Honolulu për të ndihmuar që të dërgohet nëna dhe foshnja në Qendrën Mjekësore Kapiolani për Gra dhe Fëmijë.

Nëna Mounga është liruar që nga atëherë, por foshnja Raymondi mbetet në njësitin e kujdesit derisa të jetë i gatshëm për të shkuar në shtëpi.

“Ka qenë shumë emocionale. Jam e lumtur që në aeroplan ishin tri infermiere të neonatologjisë dhe një mjek për të më ndihmuar, që ndihmuan të stabilizonin atë dhe të siguroheshin që ai të ishte në rregull gjatë fluturimit”, ka thënë Mounga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat