6 zbulime të shkencëtarëve pse deti është i kripur

Ndryshe

6 zbulime të shkencëtarëve pse deti është i kripur

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 19:22
Foto ilustrim

Nëse e gjithë kripa që është në det do të përhapej njësoj në tërë tokën e thatë, do të formonte një shtresë më se 150 metra të trashë—sa një pallat 45-katësh. Nga vjen e gjithë kjo kripë, ndërkohë që shumë përrenj dhe lumenj me ujë të ëmbël derdhen në oqeane.

Shkencëtarët kanë zbuluar disa burime: 

1. Një burim është toka nën këmbët tona. Ndërsa uji i shiut depërton pak nga pak në tokë e shkëmbinj, ai tret sasi të vogla mineralesh, përfshirë kripërat dhe përbërësit e tyre kimikë, të cilët i merr me vete dhe i derdh në det me anë të përrenjve e lumenjve. Sigurisht, përqendrimi i kripës në ujërat e ëmbla është shumë i vogël, prandaj shija e saj as që ndihet.

2. Një burim tjetër janë mineralet kripëformuese që ndodhen në koren e tokës nën ujërat e oqeaneve. Uji depërton në shtratin e detit nëpërmjet të çarave, tejnxehet dhe rikthehet në sipërfaqe bashkë me mineralet e tretura në të. Burimet me ujëra termale—disa nga të cilat formojnë gejzerë thellë në det—e derdhin në det «supën kimike» që formohet si pasojë

3. Në një proces të kundërt me rezultat të ngjashëm, vullkanet nënujore nxjerrin sasi të mëdha gurësh të nxehtë në oqeane, dhe këta gurë çlirojnë elemente kimike në ujë

4. Një tjetër burim i mineraleve është era, e cila grimcat që merr me vete nga toka i çon në det (4). Të gjitha këto procese e bëjnë ujin e detit një tretësirë që përmban  gati çdo element të njohur. Gjithsesi, kripa kryesore është kloruri i natriumit, ose kripa e zakonshme që përdorim për të gatuar. Ajo përbën 85 për qind të kripërave të tretura dhe është arsyeja kryesore pse uji i detit është i kripur.

5. Kripërat janë të përqendruara në det, sepse uji që avullon nga oqeani është pothuajse i pastër. Mineralet mbeten aty. Në të njëjtën kohë, minerale të tjera futen në oqeane dhe prapëseprapë përqendrimi i kripës qëndron i pandryshueshëm, rreth 35 për mijë. Pra është e qartë se, sa kripëra dhe minerale shtohen, aq edhe largohen. Nga kjo lind pyetja: ku shkojnë kripërat?

Shumë prej përbërësve të kripërave thithen nga organizmat e gjallë. Për shembull, polipët koralorë, molusqet dhe krustacet gëlltitin kalciumin, një përbërës të kripës, që u shërben për të formuar guaskat dhe skeletet. Algat mikroskopike të quajtura diatome thithin silicë nga uji i detit. Baktere dhe organizma të tjerë konsumojnë lëndë organike të shpërbëra. Kur këta organizma ngordhin apo i hanë gjallesa të tjera, kripërat dhe mineralet që gjendeshin në trupat e tyre përfundojnë në shtratin e detit ose si gjë pa jetë, ose si jashtëqitje.

6. Mjaft kripëra që nuk largohen nga proceset biokimike, ikin në mënyra të tjera. Për shembull, argjila dhe materiale të tjera tokësore që përfundojnë në oqeane me anë të lumenjve, rrjedhave ujore dhe derdhjeve vullkanike, kombinohen me disa kripëra të veçanta dhe i çojnë në fund të detit. Gjithashtu disa kripëra përzihen me gurë. Kështu pra, me anë të gjithë këtyre proceseve një pjesë e mirë e kripës përfundon në fund të detit.

Megjithatë, shumë studiues mendojnë se këtë cikël e plotësojnë proceset gjeofizike në periudha shumë të gjata kohore. Korja e tokës është e përbërë nga pllaka gjigante. Disa nga këto takohen në zonat subdiksione, ku njëra pllakë shkon më poshtë se tjetra dhe zhytet në mantelin e nxehtë të tokës. Zakonisht, pllaka më e rëndë oqeanike rrëshqet më poshtë se pllaka kontinentale ngjitur me të, që është më e lehtë. Në të njëjtën kohë merr me vete edhe sedimentet me kripëra, tamam si një shkallë e lëvizshme gjigante. Në këtë mënyrë, një pjesë e madhe e kores së tokës riciklohet ngadalë . Tërmetet, vullkanet dhe krijimi i luginave tektonike, janë tri dukuri të këtij procesi. 

Qëndrueshmëri e mahnitshme

Kripësia e oqeanit ndryshon nga vendi në  vend, dhe disa herë nga stina në stinë. Ndër ujërat jo të mbyllura më të kripura janë ato të Gjirit Persik dhe të Detit të Kuq, pasi avullimi është i madh. Në zonat oqeanike ku derdhen lumenj të mëdhenj ose bien shumë reshje, niveli i kripësisë është më poshtë se mesatarja. Po kështu edhe ujërat afër akujve polarë janë më pak të kripura, sepse akujt që shkrijnë janë ujë i ëmbël. Ndërsa kur formohet akull, ujërat përreth bëhen më të kripura. Por, në përgjithësi, kripësia e oqeaneve është mjaft e qëndrueshme.

Po ashtu, uji i detit e ka relativisht të qëndrueshme vlerën e pH—vlera që tregon se sa acide ose sa bazike është një lëndë; 7-ta është neutrale. pH i ujit të detit shkon nga 7,4 deri në 8,3—pra është fare pak bazik. (Gjaku ynë e ka pH rreth 7,4.) Nëse pH do të ishte më i ulët se kjo shifër, oqeanet do të ishin në rrezik të madh. Në fakt, kësaj ia kanë frikën tani disa shkencëtarë. Një pjesë e madhe e dyoksidit të karbonit që njerëzit po shtojnë në atmosferë, përfundon në oqeane. Aty hyn në reaksion me ujin dhe formon acidin karbonik. Prandaj aktiviteti njerëzor dalëngadalë ndoshta po i bën më acide oqeanet.

Ende nuk kuptohen plotësisht shumë prej proceseve që e mbajnë ujin e detit të qëndrueshëm kimikisht. Prapëseprapë, ajo çka kemi mësuar nxjerr në pah mençurinë e paanë të Krijuesit, i cili kujdeset për veprën e duarve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat