Rikthehet ‘balena blu’

Ndryshe

Rikthehet ‘balena blu’

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 23:43
Ilustrim

Është shfaqur sërish në Itali loja e rrezikshme virtuale "balena blu". Policia italiane e qytetit të Barit ka ndërhyrë në ndihmë të një adoleshenteje, e cila kishte arritur në nivelin e 30 ndër 50 nivelet që "blu whale" nxit lojtarët deri në vetëvrasje.

Kanë qenë mikeshat e saj të cilat denoncuar gjendjen e rëndë psikologjike në të cilën ndodhej adoleshentja bareze që shumë shpejt po ngjitej më nivelet më të larta të kësaj loje.

Me ndihmën e një psikologu, adoleshentja italiane ka rrëfyer gjithçka. Në celularin e saj policia ka gjetur komunikime nga chate të shumta e fotografi që dëshmojnë gjendjen e rëndë psikologjike të saj.

Prindërit e adoleshentes nuk ishin aspak në dijeni të situatës që po kalonte vajza e tyre.

Ata  kanë pohuar se kanë vënë re se së fundmi ajo kalonte gjithnjë e më shumë kohë në celular si dhe disa shenja prerje në krah që vajza i ka justifikuar si gërvishtje nga macja e shtëpisë.

Duke ndjekur gjurmët e lojtarëve virtualë të kësaj loje të gjetura në celularin e adoleshentes, policia ka shtrirë hetimet në 13 rajone të tjera italiane dhe kanë marrë në pyetje mjaft minorenë të moshës 12 -15 vjeç, duke vërtetuar pjesëmarrjen aktualisht në këtë lojë të 4 prej tyre të cilët ishin nën kujdestarinë e adoleshentes nga Bari.

Policia italiane po vazhdon hetimet për zbardhjen e "kujdestarit" kryesor të kësaj loje që e ka ringjallur përsëri në Itali "balenën blu".

50 rregullat kurth që duhet të ndjek adoleshenti për t'u bërë një balenë blu përfshijnë çdo ditë lojëra psikologjike që e çojnë në një depresion të vërtetë si zgjimi në orën 4.20 minuta të mëngjesit, video e muzikë horror dërguar nga kuratorët e lojës, prerja sipërfaqësore e venave me brisk, prerja në lëkurë me brisk e fjalëve "unë jam një balenë", sfida të ndryshme misterioze e me radhë deri në ditën e 50 ku adoleshenti urdhërohet të hidhet nga kati më i lartë i ndërtesës më të lartë të qytetit ku jeton.

Policia italiane në portalin e saj zyrtar në internet ka vënë në dispozicion të qytetarëve një shërbim online për të denoncuar fenomenin e lojës tragjike "balena blu".

Me këtë shërbim me anë të një butoni të emërtuar "Stop Blue Whale", jepet informacion mbi mënyrën e zhvillimit të kësaj loje, këshilla praktike për prindërit e fëmijët si dhe denoncimin e rasteve të dyshuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat