Në vend të urimit - Bota Sot
Në vend të urimit

Opinione

Në vend të urimit

Nga: Leonora Laçi Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 16:18
Leonora Laçi

Në prag festash të fundvitit të gjithë bëhemi nostalgjikë, që dhe një vit po ikën pa u ndjerë, ngjanë sikur e përzumë.

Në fakt ne përzëm çdo vit, përzëm njeri-tjetrin, përzëm të vërtetën, përzëm fatin, përzëm të ardhmen e ftojmë të shkuaren, përzëm të aftën, përzëm të miren, të mos harrojmë që përzumë dhe Zotin…

Këto ditë në të cilat ndjehet gjallerimi mes shkelqimit të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në këtë vorbull gëzimi ndjej hidhërim. Hidhërim sepse Shqipëria kalon dhe një vit tjetër duke tërhequr këmbët zvarrë ndaj realitetit të dhimbshëm.

Ndjejmë gëzimin e ardhjes së mërgimtarëve, por ndjejmë dhe hidhërimin e ikjes së tyre se ne dëshmitarë të mbetur të këtij vendi qendrojmë e vrasim ditët. Ndërkohë që krenohemi për shqiptarët e suksesshem në mbarë botën, jemi me një sy duke parë mundësinë e parë të arratisjes nga ky realitet.

Nuk kemi shumë për të festuar, pasi problemet nuk i lëmë pas, por i bartim në vitin e ri, bashkë me ta bartim papunësinë, informalitetin, ëndrrat e ikjes, xhepat boshë, frikën, plagët e së shkuares, armiqtë. Po po, sepse edhe një shkendijë që studentët na demonstruan ata e shuan, siç kanë shuar çdo zë këto tre dekada, siç kanë zgjuar çdo endërr, siç kanë shuar çdo murmurimë, çdo melodi, çdo përpjekje drejtësie, siç kanë përbaltur çdo kauzë apo njeri të ndershëm. Me sa duket duhet të presim dhe tre dekada të tjera për zgjimin e rradhës…

Por po e bëj urimin tim, urimin që kemi nevojë secili prej nesh.

Do doja t’i uroja shqiptarëve durim, sepse ai soset.

Do të doja t’i uroja shqiptarëve shëndet mendor e fizik, pasi do na duhet… Kohë edhe më të vështira po na presin.

Kohë të zymta sillen rreth nesh, e shpesh dhe dëshira për të festuar ikjen edhe të këtij viti më duket klishe. Pasi nuk dua që të ik edhe një tjetër vit pa bërë asgjë, pa projektuar të ardhmen.

Do të doja t’i uroja shqiptarëve besim, i vetmi që na ka mbetur, besim në Zot, nuk ka rëndësi se në cilën derë do e kërkosh, mjafton që  Zoti është aty. Nuk po i uroj shpresë sepse tashmë është një fjalë e huaj për ne.

Do të doja t’i uroja rinisë shqiptare, paqi dituri. Pa dituri nuk mund të dini të kuptoni të tashmen por as të ardhmen, paqi dituri të lexoni sa më shumë, të njihni botën. Dituri për të kuptuar që materialja është e përkohshme, ne vetë jemi të përkohshëm por mund të shkruajmë përjetësinë.

Do të doja t’i uroja shqiptarëve forcë, vështirësitë e jetës kërkojnë njerëz të fortë për t’i përballuar, jo aq forcë fizike sa forcë shpirtërore, maturi, vetëdije të lartë, qetësi, guxim. Pranojeni këtë urim të sinqertë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...