Adresa e gabuar e protestës së studentëve të UP-së!

Opinione

Adresa e gabuar e protestës së studentëve të UP-së!

Nga: Dren Dushi Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 19:06
Dren Dushi

Inercia është karakteristikë e masave, dhe se veprimet e tyre në të shumtën e rasteve kanë bazë pikërisht inercinë, kjo është edhe arsyeja pse pothuajse çdo pushtet, e sidomos pushtetet me tendenca totalitare janë shumë të kujdesshme dhe propaganduese karshi protestave. Inercia e studentëve tanë vjen nga ajo ç’farë po ndodhë në Tiranë, ndër të tjerash.

Mirëpo studentët, në një shoqëri normale, pa klientelizëm eskalues, me vlera demokratike, pa kriminalitet të organizuar edhe përmes sistemit gjyqsor madje, nuk konsiderohen “masa”, por një pjesë e rëndësishme, e pavarur, idealiste dhe e ardhmja intelektuale e një vendi. Nëse i shtrojmë vetës pyetjen nëse Kosova i plotëson standardet minimale që të ketë studentë të tillë, vetëm një përfitues i të mirave të klientelizmit apsurd të Kosovës do të konstatonte pozitivisht, por eventualisht edhe persona tjerë përfitues të skemës sociale të mjerë të Kosovës.

Inercia nuk do duhej t’i vishej studentëve, ata do duhej të protestonin e ngrinin zërin për shumë apsurditete që ndodhin në Kosovë, duke u nisë nga fakti se shumica e tyre kur të kenë kryer studimet do i kenë rrugët relativisht të pakëta; të pa punë, kamarierë me magjistratura, ikje jashtë vendit. Si duket, kjo e fundit u konvenoka më së shumëti, meqë deri tani studentët e Kosovës  në përgjithësi nuk kanë protestuar as për panunësinë, për kriminalitetin, për klientelizmin, për cenimet që i janë bërë kombit shqiptar, shtetit të Kosovës etj.

Studentët e Kosovës, në përgjithësi, janë përfitues të një skeme që është hartuar që moti nga qarqet pushtetare, skemë kjo që i hapi portat e fakulteteve për të akumuluar papunësinë dhe revoltën eventuale. Përveç kësaj, partitë kryesore në vend, ka kohë që fakultetet i kanë shndëruar në diplomore militantësh partiak, të cilët ndonëse dalin me diploma, nuk dijnë të shkruajnë mirë gjuhën shqipe. Këta studentë, janë ata që kanë degraduar shkencën në vend, kanë shndëruar sallat e fakulteteve në ambiente sharlatane e idiotësh, ku profesorët e vërtetë mezi i vuajnë 30 minuta ligjërim, e pakica e studentëve të mirë as që merr pjesë në to.

Pa dashur të shfaqë më shumë karakteristika të realitetit studentor në Kosovë, si ndarja në salla të ligjeratave sipas përkatësisë politike, e aq më pak të merrem me banalitetet e organizimit të zgjedhjeve të tyre brenda UP-së, servilitetin etj, do doja të ju kumtoja atyre se adresa ku ata janë nisur për të protestuar për mos- liberalizimin e vizave është e gabuar.

Bashkimi Evropian, është adresa që ata kanë zgjedhur të protestojnë. Ata, pra studentët tanë të pa shpresë e të mjerë, menduakan që BE është fajtori për mos-liberalizim të vizave. Ata dashkan të shkojnë në BE, të bëhen pjesë e tyre, por njëherish kanë konsideratën se ata janë fajtorë, të pa drejtë dhe selektivë. Por përgjigjia e vërtetë është JO, faji nuk është te BE për mos-liberalizim vizash, faji është te Qeveria e Republikës së Kosovës.

Nëse duan të kërkojnë fajtorë, le të shohin më objektivisht situatën e Kosovës, të kujtojnë që në këtë vend siguria po bie çdo ditë e më shumë. Prokurorët po ikin nga kërcënimet e shantazhet, “muskujt” e krerëve institucional po kapen duke bartë drogë e pastaj po lirohen, nuk ka asnjë rast të dënuar të nivelit të lartë, diplomacia e vendit është shndëruar në një objekt tallje ndërkombëtare, vendi përfaqësohet nga njerëz për të cilët është krijuar një gjykatë speciale ndërkombëtare, institucionet janë krijuar pa vota të qytetarëve por me vota të sekserëve e deputetëve të Beogradit, partitë opozitare prishen duke blerë deputetë me para të majme, sistemi shëndetësor është shndëruar në vend vdekjesh e ajri në dioksid karboni. Mbase edhe për këto probleme duhet protestuar përballë zyrës së BE-së, në mënyrë që të shojmë në BE e ta bëjmë edhe atje si këtu?

BE është umbrella e milionave shqiptarëve që punojnë kryesisht punë krahu, e që shumë nga fitimet e tyre i “thithë” Kosova parazite, që të ardhmen ka vendosur t’ia lë në duar një klase politike kriminelësh të cilët kanë në pushtet aparate private të dhunës më të fuqishme se aparati shtetror i dhunës. Ky aparat dhune mbulohet nga një propagandë dy dakadore që ka pasur sukses të konsiderueshëm në shoqërinë e Kosovës me arsimin e cunguar.

Që Kosova të bëhet pjesë e civilizimit evropian, duhet të bëjë mendësinë evropiane, kulturën e vlerat evropiane. Evropa është djep qytetërimi e arritjesh, andaj edhe graviton pothuajse tërë botën, edhe Kosovën tonë me studentët përgjithësisht militantë të partive politike në pushtet. “Lufta” me BE-në është e humbur që në nisje, këtë “luftë” nuk ka arritur ta mbijetoj as Rusia, ne jemi më pak se dy milionë të mjerë, me disa qindra “cuba” në krye që shtijnë nëpër oda me pistoleta kur dehen, që prodhojnë refuzime të UNESCO-s, Interpollit, Gjykata Speciale, ndasi në popullësi duke diskriminuar me bugjet bastionet e tyre, klientelizëm, kriminalitet e arrogancë. Këta do duhej të ishin adresa e protestës, jo Zyra e Bashkimit Evropian, por është e kuptueshme pse po ndodhë kështu, kjo sepse studentët e Kosovës ka kohë që janë margjinalizuar keqaz, pikërisht nga “cubat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat