Jehona e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Opinione

Jehona e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 08:20
Gani Mehmetaj

Formimi i LDK-së bëri jehonë më të madhe sesa që e priti optimisti më i thekur. Mbizotëro një eufori e jashtëzakonshme. Më kujtohet se ato ditë vinin me mijëra njerëz të regjistroheshin, ndërsa ne të gjithë i regjistronim me zell. Kur na mbaronin fletët e regjistrimit, me disa veprimtarë, një herë edhe me Bujar Bukoshin e makinën e tij shkuam në Pallatin e Shtypit në katin e parë të shërbimeve të përbashkëta, ku Nazi, një punëtor, në mënyrë të fshehtë i shtypte formularët e regjistrimit, të cilat prapë me Bujarin i dërgonim në LDK.

Më kujtohet kur vinin shumë njerëz, të cilët para se të regjistroheshin më tregonin me zë të ulët se kanë qenë të burgosur politikë. Këtë ma thoshin jo për t’u mburrur, por më thoshin se mos na bënin sherr.  

Lidhja Demokratike e Kosovës u emërtua duke pasur parasysh Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një organizatë politike çlirimtare, e cila fatkeqësisht nuk pati jetë të gjatë, por jehona e saj u shtri në të gjitha territoret etnike, ku u formuan degë. Askush nuk e thoshte publikisht, por shumë nga ne e mendonim LDK-në, Lidhjen e Tretë të Prizrenit. Por ta emërtonim në këtë mënyrë do të thoshte të ndërseje qentë e policisë. Prandaj nuk ia thoshim as njëri-tjetrit. Në të njëjtin parim u formuan degët e nëndegët e LDK-së në tërë Kosovën, madje edhe në Ulqin e Malësi, por që më vonë u inkuadrua në zgjedhjet e atjeshme.

Që në ditët e para erdhën njerëz nga qytete e katunde për të marrë këshilla sesi duhej t’ia bënin për formimin e degëve e nëndegëve. U tregonim se duhej të formonin Grupin nismëtar, ose shpesh kishin formuar grupin nismëtar, propozonin organet e degëve etj. Brenda disa muajve në Kosovë u anëtarësuan mijëra anëtarë, dy-tri herë më shumë sesa anëtarë të Lidhjes Komuniste.

Ne shpesh talleshim me ata që kishin qenë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, duke u thënë: ju për 50 vjet bëtë rreth 80 mijë komunistë me gjithë privilegjet e postet, që ofronin, por edhe presionet që ushtronin, ndërsa ne për disa muaj ua kaluam. U tha në medie se LDK-ja ishte partia më e madhe shqiptare në Gadishullin Ilirik. Dhe mbeti e tillë, sepse asnjë parti nuk iu afrua me numër as e tejkaloi

Ishte një eufori e rrallë. Në të vërtetë ato vite ishin vite të solidaritetit të madh në mes të shqiptarëve, ndihmat që shpërndaheshin e siguronin çdo banor të Kosovës se nuk do të këtë nevojë t’ia shtrijë dorën okupatorit, as të vihej në shërbim të tij për bukën e gojës. Meqë fëmijët tanë dhe studentët i nxorën nga objektet publike, LDK-ja organizoi mësimin paralel nëpër shtëpi private. Përkujdesja sociale e shëndetësore bëheshin në mënyrë shembullore në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Nënë Tereza”. Rezistenca ndaj okupatorit bëhej me mosdëgjueshmëri e mekanizma paqësorë. 

Për disa vjet u ngrit dhe funksionoi shteti paralel në raport me Serbinë, i bëmë të pavarura institucionet tona të të gjitha niveleve e fushëveprimeve me disiplinë të jashtëzakonshme të popullatës që e respektonte hierarkinë e shtetit të tyre. Popullata mori përgjegjësi e dha kontribut të jashtëzakonshëm si asnjëherë më parë gjatë historisë. Diaspora ishte burimi i rëndësishëm i financimit e i logjistikës, që u angazhua dhe u mobilizua si asnjëherë më parë me degët e nëndegët e LDK-së që u formuan në Perëndim.

 Kurrë më vonë nuk do të zbrazet një energji e tillë pozitive, mobilizim kombëtar e gatishmëri që t’u falej a të harrohej e kaluara e atyre që kishin bërë të këqija.

Jemi pak, prandaj nuk kemi shqiptarë të humbasin, apo t’ia lëshojmë në dorë armikut, ishte parimi fondamental i veprimtarisë dhjetëvjeçare. Edhe delet e zeza që ishin në torishtën e armikut, i ftonin të vinin në torishtën tonë.

Në atë kohë u ndërtua një filozofi e rezistencës paqësore jo vetëm në raport me pushtuesin, por u ndërtua filozofia e paqes në mes të bashkëkombësve, u kultivua që mosmarrëveshjet të zgjidheshin me biseda e dialog, u vu në pah toleranca ndaj të vetit, por edhe ndaj fqinjit. Debatet qytetare rrezatonin mirësi e mirëkuptim të pakufishëm në të gjitha shtresat sociale. Rugova e rugovizmi nuk u bënë vetëm sinonim i rezistencës paqësore pa përdorimin e dhunës, por edhe sinonim i kultivimit të qytetarisë tradicionale, me një përcaktim të qartë për Evropën Perëndimore e vlerat e qytetërimit të kontinentit të moçëm. Fryma e tolerancës, e mirëkuptimit e qytetarisë ishin vlera fondamentale.

Ndërkaq, mekanizmat e brendshëm të kombit për të mobilizuar rezistencën dhe për të forcuar identitetin shqiptar, të përbuzur e të nëpërkëmbur nga pushtuesi, thirrëm në ndihmë Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, simbolin e bashkimit të shqiptarëve, iu kthyem rrënjëve, nisëm të betoheshim në emrat e princërve e heronjve iliro-shqiptarë si asnjëherë më parë, por pa patetikën folklorike, i rimësuan mësimet nga historia që të mos na përsëriteshin në historinë më të re, iu kthyem Perëndimit si asnjëherë më parë. 

Si ta kishim porositur për fatin tonë e rrugën që zgjodhëm, emri i Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiut, shqiptare, u bë emri më i popullarizuar në tërë globin, ndërsa ajo njëkohësisht ishte shqiptarja më e famshme. Ajo u bë ikonë e rezistencës, por edhe e solidaritetit ndër shqiptarët. Nënë Tereza, e cila do t’u hapë rrugë takimeve të Rugovës me Klintonin e vinte në pah shqiptarësinë e vet, ajo e gjakonte shtetin shqiptar, në të cilin nuk e lanë të shkonte derisa nuk ra diktatura komuniste, ajo gjakonte me popullin e përvuajtur shqiptar, prandaj angazhohej e lutej për të. Në filmin dokumentar amerikan për Nënë Terezë që e pashë më 1984 në një festival ndërkombëtar, ajo thoshte: “Kam lindur në Shkup në një familje shqiptare, Shkupi atëherë ishte kryeqytet i Shqipërisë”, ndërsa shikuesit e huaj shihnin të habitur, sepse Shkupi më nuk ishte në Shqipëri.    

Kështu nga sistemi i terrorit e shtypjes kombëtare, nga periudha pesëdhjetëvjeçare e pushtimit më të egër kombëtar në Evropë, dolëm të shëndoshë. Gjysma e popullatës së ish-shteteve socialiste dolën të gjymtuar e të stresuar, duke e frikësuar Evropën me dhunën e frustrimet që manifestonin në çastin kur nuk u rrinte shpata e diktaturës. Botës demokratike i përshtateshin me vështirësi. Ndërkaq, ne ndryshonim nga popujt e tjerë.

Ne ende ishim në diktaturë, por marrëdhëniet tona të brendshme i rregulluam për mrekulli, hallin e kishim me pushtuesin, që përpiqej të na zhbinte. Megjithëse në marrëdhëniet e brendshme nuk ndërhynte pushtuesi, nuk i bëhej vonë, nëse ne e vrisnim e rrihnim apo e dhunonim njëri-tjetrin, vrasjet, rrahjet e dhuna në mes të shqiptareve ishin më të ulëtat në Evropë. Gjatë pajtimit të gjaqeve u pa se pjesën më të madhe të këtyre ngatërresave e kishte nxitur shërbimi i fshehtë jugosllavë: UDB-ja dhe OZNA.

 Fryma e re pati ndikim të madh në shtresat sociale e në kastën politike për një kohë të gjatë. Qytetërimi perëndimor nuk vihej në dyshim nga asnjëri, as nga ato grupe që ua kishin shpërlarë trurin me paragjykimet për kapitalizmin apo me paragjykimin fetar, edhe atyre iu hapën sytë, nisën të betoheshin në shenjtorë të rinj. Fryma e re, tolerante, e demokracisë qytetare, e kultivimit të krenarisë kombëtare, e qytetarisë evropiane, nuk e krijoi njeriun e ri, por e ndryshoi njeriun që i kishte kaluar të gjitha fazat e dhunës.

Kjo ishte fitorja më e madhe, që askush nuk mund ta mohojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat