Protestë diskredituese dhe në adresë të gabuar

Opinione

Protestë diskredituese dhe në adresë të gabuar

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 24 dhjetor 2018 Në ora: 13:55
Protesta e studentëve

Se liberalizimi i vizave është objektiv i rëndësishëm për vendin dhe popullin e Kosovës, këtë nuk mund ta mohoj askush, madje së fundmi këtë e vërtetoi edhe vet ministri belg në një prononcim të tij, por pa harruar se për të arritur deri këtu, duhet përmbush edhe kushtet dhe kriteret e përgjithshme të përcaktuara me udhërrëfyesin e politikës evropiane, si ofrimin e dëshmive konkrete për sundimin e ligjit dhe rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa në Kosovë, ku fatkeqësisht edhe bordet e politizuara, janë kthyer në strehë të bashkëfamiljarëve dhe militantëve partiak, fatkeqësisht me gjithë propagimin e përditshëm nga politika e kriminalizuar vendore,se kinse janë përmbushur të gjitha 95 kriteret, ato asnjëherë nuk bëhen publike për opinion, dhe nuk ceket në mënyrë transparente se cila dhe në çfarë mase a përqindje është plotësuar.

Ndaj të fajësohet Evropa nga një vend si ky i yni me një kryeprokuror të kapur dhe të emëruar personalisht nga Kadri Veseli siç dëshmojnë edhe telefonatat e transmetuara publikisht të klanit PRONTO, si dhe një gjyqësi tërësisht të degjeneruar e cila edhe për 20 vite në liri nga mbi 1800 vrasjet e pasluftës, nuk ka hetuar, gjykuar, as dënuar askëndë deri më tani, pa përmendur këtu peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe krimit të organizuar,po ashtu të pa-vënë asnjë para drejtësisë, vërtetë të bënë të habitesh kur dëgjon se do të protestohet jo kundër pushtetarëve vendor të kriminalizuar deri në fyt, por kundër Evropës!?. 

Të mos protestosh kundër papunësisë, korrupsionit, nepotizmit, kriminalitetit etj ,por kundër asaj Evrope që bashkë me SHBA-t, çliruan Kosovën dhe na bënë shtet, siguruan mbi 116 njohje ndërkombëtare për ne, ndihmuan dhe ndihmojnë në vijimësi shtetndërtimin tonë, duke na mbajtur në këmbë si shtet i ri edhe me para dhe gjërat më elementare, deri te formimi i Ushtrisë, që pa ndihmën e SHBA-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, as që mund të ishte paramenduar, vërtetë është diskreditues dhe adresim tërësisht i gabuar, nga kushdo qoftë ky protestim.

Kosova përfundimisht duhet të dëshmojë se meriton të bëhet pjesë e civilizimit evropian, me vendosjen e ligjit, mendësi aktuale, kulturë bashkëkohore dhe vlera evropiane, ndërsa dihet botërisht se përveç kapjes së çdo segmenti shtetërorë nga politika, partitë më të mëdha në vend, ka kohë që edhe fakultetet i kanë kthyer në strofuj militantësh partiak, prej nga nxjerrin persona fals e të pa aftë me tituj dhe diploma të pa merituara shkencore, të cilët na turpërojnë para gjithë botës.

Bashkëfamiljarët dhe bashkëpunëtorët e krerëve më të lartë, të hierarkisë së shtetit dhe krerëve institucional të vendit, si dhe kasta e kriminalizuar politike qëndrojnë me të dy këmbët mbi të gjitha institucionet dhe organet ligjore të shtetit, bijtë, të afërmit dhe kolegët e të cilëve sot herë pas here, kapen

 duke bartë dhe shpërndarë drogë në masa qindra kilogramëshe, por në vend të tyre sanksionohen policët që guxojnë ti kapin autorët e krimit, ndaj dhe nuk ka asnjë të dënuar, as të akuzuar të nivelit të lartë, as për akte të tilla.

Sot në Kosovën tonë të vogël, këta do duhej të ishin adresa e protestës, kuptohet nga studentë të papolitizuar, kurse kjo që po tentojnë tani, studentët militant të partive në pushtet, është vërtetë adresë e gabuar, tejet diskredituese dhe "luftë" e humbur me turp, që në nisje.

Kosova veçanërisht në vitin që po lëmë pas, mu për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mosfunksionimit të gjyqësorit dhe paaftësive të mëdha të politikbërësve të inkriminuar, u gjend para sfidave të mëdha, dhe pikërisht për fajin e tyre ka pësuar dështime të rënda dhe goditje të një pas njëshme.

Kurse “Shterpësia e Kokave” të cilët nuk protestuan asnjëherë kundër kundër pushtetarëve të kriminalizuar, kriminelëve ordiner, hajnisë sistematike, nepotizmit, korrupsionit galopant dhe krimit të organizuar, që po vrasin të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe fëmijëve e brezave tanë në të ardhmen, vërtetë është një lajm i turpshëm se si disa studentë partiak, do të protestojnë në emër të "Universitetit të Prishtinës" para Zyrës së BE-së në Kosovë, për shkak të mos liberalizimit të vizave".

Kjo të lë të kuptosh se edhe protesta kontroverse po bëhet me porosi të pushtetarëve të inkriminuar, me organizatorët të kapur e të paguar mirë, jo vetëm financiarisht, të cilët qëllimisht shërbehen me të pa vërteta dhe falsifikime teorike nga vet sundimtarët kriminelë vendor, për protesta kundër Evropës, gjë që nuk ndodhë në asnjë vend tjetër.

Si mund të quhet ndryshe ky akt i paprecedent përveçse turp dhe mosmirënjohje ndaj Evropës, SHBA-s dhe të gjithë miqve tanë ndërkombëtar, të cilët çliruan Kosovën, sollën qindra njohje ndërkombëtare, garantuan lirinë dhe shtetndërtimin, duke financuar edhe mbajtur gjallë të gjitha institucionet shtetërore e sociale, në Kosovën e pavarur, ku pushtetarët e kriminalizuar nuk lejuan të vendosej asnjë investitor, asnjë fabrikë apo uzinë domethënëse prodhuese që do të garantonte mbajtjen e shtetit, pa ndihmën e ndërkombëtarëve, përderisa vrasësit, mafio-oligarkët dhe kriminelët, në mënyrë të përditshme, grabitin dhe zhvatin çdo gjë që arrijnë në vendin e tyre.

Ndaj nuk ka çmenduri më të madhe se sa, disa kuazi-studentë të cilët nuk demonstruan kurrë, kundër shitjes së tokave tona, ndarjes së vendit dhe tradhtisë së lartë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, nga Hashim Thaçi & CO, të protestojnë sot kundër BE-së.

Ata që shihnin në heshtje se si presidenti kuisling Hashim Thaçi dhe sidomos kryeministri Isa Mustafa kërcënonin edhe deputetët e partive të tyre me marrjen e mandateve nëse nuk do të votonin për faljen e mbi 8300 hektarëve tokë të Kosovës Malit të Zi, për të shpëtuar kuislingun Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, dashkan të protestojnë tani kundër Evropës.

Ata të cilët nuk u ngritën asnjëherë të kërkonin zbulimin dhe dënimin e autorëve të rreth dy mijë vrasjeve të pasluftës dhe heshtin gjatë gjithë kohës, pa ndërmarrë asnjë hap, për dy dekada me radhë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga vet zyrtarët më të lart të shtetit, pikërisht ata dështak, dashkan ti kërcënohen përfundimisht Evropës, për të mbrojtur baballarët e vet politik, të kriminalizuar deri në qafë, të cilët janë shndërruar në rrezikun më serioz për popullin dhe gjithë Kosovën. 

Bijtë dhe bashkëideologët e pushtetarëve kriminel të cilët, me thellimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha institucionet dhe poret e jetës, kanë izoluar hermetikisht një popull të tërë dhe po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve të sotëm, brezave që do vijnë në të ardhmen dhe gjithë Kosovës, ata të cilët jo vetëm se kanë heshtur shumë turpshëm, por për të mbuluar bëmat kriminale të mentorëve të tyre, thirrën edhe protestën më të turpshme dhe diskredituese për Kosovën në këtë fillim shekull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat