Ekipi i egjelit

Opinione

Ekipi i egjelit

Nga: Kimete Berisha Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 20:32
Kimete Berisha

Qeveria i ka dhënë 300 mijë euro për 'ekipin e dialogut', thuajse kanë me shku me ble Kosovën në Bruksel, e jo m'u marrë vesh për 'ndarje' definitive nga Serbia. 
Se, sikur të ishim plotësisht të pavarur, qysh po thonë, s'kishim negocuar me Serbinë. 
Do ta bëjnë marrëveshjen e madhe me Serbinë, pa e plotësuar Serbia asnjë pikë të marrëveshjes së vogël.

Pasi u nxor si kimja prej tlynit prej situatës dhe pasi e përmendte Preshevën sa herë që flitej për ndarjen e Kosovës, Presidenti Thaçi po ua lë në dorë 'dialogun' grupit 'te rrapi në mashkullore', e ata meshkujt plus po kujtojnë se po ia marrin dialogun prej dore.

Kur ndërrohet kali i betejës gjatë rrugës, ndërrohet edhe muhabeti, mjafton që me Ekipin e ri të dialogut, muhabeti nis prej fillimi, e fjalët që janë thënë deri tani i merr era.

- Idea që ekipi i dialogut të jetë i madh është shumë e qëlluar. 
Me të ardh për qejf mysafirë gjithë ai njeri, të bëjnë m'u ndje jabanxhi në shtëpinë tënde, se lë më që janë plus meshkuj, për të treguar se këtu (siç ka thënë edhe Hajredin Kuçi me një rast, që s'pranon të përlahet me gra), është puna shumë serioze, kur ndahet toka e vendosen kufijtë, vendosin burrat shqiptarë, sepse tokat shqiptare gjithmonë kanë qenë të burrave.

- As shtetet diktatoriale nuk ishin kujtu kështu kaq mirë, por këta e kanë bë ekipin mashkullor për qejf të vetin, këta nuk e kanë bë kundër grave ekipin mashkullor, se për me dasht m'i nënçmu gratë, duhet me të ra në mend që ekzistojnë gratë.

1. Behgjet Pacollit duhet m'i nejt gati se e ka zanat m'u lëndu shpejt për pak send, siç e quan ai shpirtin e tij 'shpirt konstruktiv'. 
Shpirti s'ka konstrukt, por ja që dikush e ka konstruktiv shpirtin. 
Me pas kujdes të shtuar se kur Behgjetit i lëndohet shpirti konstruktiv, e ka zanat çohet nga takimi e shkon m'u qetësu në senatorium të Zvicrës, e masandej derisa të qetësohet ky, nervozohet Fatmiri.

2. Dukagjin Gorani që nga bankat shkollore e ka ëndërr m'u bë 'shef' ama jo vetë drejtpërdrejt, por duke e mposhtur shefin.
Dujagjini i pi 277 kafe në dy muaj, 300 mijë euro kah m'i çky, prandaj është mirë që Shpendi m'i lut Devollin, m'u bë sponsor i ekipit të dialogut me Kafe Princ.

3. Enver Hoxhaj, prej atëherë që 'pa vetëdije' i ka pas frymëzuar do djem me shku m'i çliru Sirinë, më nuk flet me gojë, po me vetulla. 
Vetullat e tij shërbejnë në dialog si gjuhë e trupit, shenja të komunikimit, po pse jo edhe të komunikacionit. 
Ky nuk din m'i ulë vetullat, por din m'i çu, prandaj sa herë Enveri i çon vetullat, mashkujt e dinë se ai është i befasuar. 
E nëse e çon veç njërën (gjë që ndodh rrallë) ekipi mashkullorë e dinë se Enveri po shpreh cinizmin, cinik i bjen nga greqishtja 'dog-like', 'doggy' e sende vende, mos provo Zot.

4. Dardan Gashi ka me hesht deri në fund të bisedimeve. Tek pasi të kryhet marrëveshja, Dardani hyn në skenën e madhe me allti edhe qet n'ajër në shenjë gëzimi, siç e kemi traditë.

5. Shpend Ahmeti merr shënime dhe e ka marrë për detyrë m'i dhënë shyhret bisedimeve. 
Inati. Aleksandër Vuçiçi ka çu pite në BE anipse pitja është me prejardhje shqiptare, e ne asnjë shenjë s'jemi kujtu me ja çu Mogherinit. Naj tentene, goblen, lulë sabahu, veshje kombëtare shqiptare (me kopë). 
Se, nuk e mund njeriun në negociata veç me fjalë po më shumë me gjeste e me simbolika.

Meqenëse s'jemi romatikë si italianët, së paku ushqimit ia dimë vleftën. Shpendi e ka marrë përsipër që nganjëherë (mos me ja tepru qysh e kem zanat na, se piten në Bruksel nuk e kishim çu pa një tinar turrshi), dhe me çu ushqime tradicionale, pak më të veçanta si tespishte e gatuar me fi, speca të mbushun, bakllava, flija, etj.

6. Fatmir Limaj është në ekip sepse gjithmonë e di kur diçka nuk është në rregull. E anipse e di që s'është në rregull, nuk ikë.

7. Avni Arifi shërben për dialog të brendshëm, pra, Avniu hyn në skenën e vogël, kur shkon e përzime brenda ekipit shqiptar të dialogut.

- Jemi duke e habitur botën. 
Ne lë që kemi shumë probleme me shtetin e Kosovës, por plus po krijohen 'nënshtete' e grupe të ndryshme që po i konkurrojnë shtetit të Kosovës.

Për shembull, LDK e VV janë ekip tjetër, ekip në vete dhe i shkruajnë Mogherinit, i thonë mos gabo
me kujtu që 'ata' të tjerët janë ekip serioz. Pa neve s'bën, e ne s'duam.

Pastaj, Alma Lama. E sfidon Presidentin, anipse e shkarkuar ajo i grah ambasadore, s'ja ndin.

Në Itali Kosova i ka dy ambasadore shqiptare, asnjëra e Kosovës, dhe anipse të dyjat të krishtera, sillen si ortaket për një 'burrë'. 
Përparësia e Bukurijes është fati i saj që është shoqe e presidentit, kurse rivalja e saj ambasadorja Alma nuk ka shoqe, si ajo 'mizerja' në atë filmin që e lidh me litar James Caan në bodrum, e obsesionuar dhe e frikshme, mos ta kapërceftë udhën.

P.S. Anipse në të shumtën e rasteve e kam veten n'hujë dhe disi më duket vetja sikur kam të drejtë, lutja që më pëlqen më shumë është ky rrëfim:

'Po i rrëfehemi Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe juve o vëllezër, se kam mëkatuar shumë me
mendime, me fjalë, me vepra dhe me lëshime: për fajin tim, për fajin tim, për më të madhin fajin tim.

Gëzuar Krishtlindjet ❤️

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat