“Temat e mëdha” të Presidentit e Qeverisë dhe grevat në Arsim

Opinione

“Temat e mëdha” të Presidentit e Qeverisë dhe grevat në Arsim

Nga: Prof. Imer Hamiti Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 23:49
Prof. Imer Hamiti

Opinioni Kosovar pothuajse për gjashtë muaj më radhë është bombarduar me sihariqet e Presidentit Thaçi me ndërrime e çnderime të kufijve e marrëveshje historike, ashtu siç din vetë për tu imponuar në çdo kohë dhe rrethanë dhe natyrisht duke vështirësuar jetën e shqiptareve të Kosovës, me pretendimin se ai është shpëtimtari i Kosovës.

Natyrisht me mjeshtëri të madhe shfrytëzoi defektet e Qeverisë Haradinaj, qeveri kjo e pakicës shqiptare e cila mbijeton në saje të makinacioneve të ndryshme dhe joshjeve të ndryshme të atyre të cilët vetëm për të mbijetuar politikisht apo për të zhvatur aq sa mundin nga paraja publike duke bërë pazare të natës, pazare këto tepër të tejdukshme, perfide dhe tejet të dëmshme për  shqiptaret e Republikës së Kosovës, duke bërë dëme  të të gjithë sektorëve publik e poashtu edhe ekonomisë së Kosovës.

Kryeministri  Haradinaj duke mos njohur parimet themelore të demokracisë parlamentare mban peng Shtetin me qeverisjen e tij pakicë, dhe në emër të “Temave të mëdha” shkaktoi izolimin e Kosovës dhe shkëputi rrugën e integrimit të Kosovës në BE, integrim ky i nevojshëm dhe tejet i domosdoshëm për prosperitetin e Shtetit të Kosovës ku pasojat e këtij izolimi të imponuar po i bartë dhe do ti bartë populli, dhe stagnimi është më së i dukshëm me papajtueshmëritë e shfaqura në shëndetësi , në arsim , në ekonomi dhe sfera të tjera të jetës. Tani gjoja për të rivalizuar Presidentin Thaçi, apo gjoja për të amortizuar veprimet e tij për të cilat ka shfaqur “papajtueshmëri publike”, ndërton ekipe negociatore duke katapultuar ne krye të ekipit negociatorë, zvarranikun  e profiterin Shpend Ahmeti i cili shfrytëzon mirë rastin për tu imponur në opinion si shpëtimtari i dytë i Kosovës e mendjen e ka te zhvatja e parasë publike si dhe nxjerrjen e partisë së tij nga llumi ku e ka katandisur.

Në prapaskenë të “Temave të mëdha” tani më qeveria Haradinaj ofron kuvendit projektligjin për paga, projektligj ky që do të rregulloj pagat jolegjitime të kabinetit qeveritar dhe shpërblen sektorin e drejtësisë, sektorë ky që është thembër e Akilit për shtetin e Kosovës, më qëllim kontrollimi të tij, në vende të reformimit rrënjësor të këtij sektori të korruptuar i cili nuk ka marr asnjëherë notë kaluese nga asnjë raport i progresit të BE-së.

Me projektligjin propozuar përmes Ministri Jakxhilar (prootoman i vërtet dhe shërbyes i të gjitha rexhimeva) i  bëhet goditje e rëndë sektorit të arsimit të të gjitha niveleve, e posaçërisht i jep goditje të rëndë sektorit para universitar duke bërë rangimin me koeficient 2 për punëtorët arsimorë të shkollave të mesme, ndërsa punonjësit e shkollave fillore janë ranguar me koeficientin 1.95(Vlera e koeficientit është239€), duke bërë zbritjen e pagave  krahasuar me pagat e tanishme për rreth 12%.

Goditja e standardit të punonjëseve të sektorit parauniversitar do të bëjë degradimin e mëtutjeshëm të arsimit në përgjithësi e me këtë do të pësojnë gjeneratat e reja të Kosovës që në një të ardhme të shkurtë do ti kthehet bumerang shtetit të Kosovës.

 Prandaj Arsimtarët qe nga dita e nesërme të shtyrë nga këto veprime denigruese, nënçmuese e ofenduese, për të mbrojtur ardhmërinë e rinisë së Kosovës hyjnë në grevë paralajmëruese për ti dhënë rastin qeverisë për reflektim pozitiv dhe krijimit të kushteve minimale për arsimimin dhe edukimin e rinisë Shqipëtare të Republikës së Kosovës .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat