Revolucioni i pandalshëm Shqiptar

Opinione

Revolucioni i pandalshëm Shqiptar

Nga Më 28 dhjetor 2018 Në ora: 08:28
Haki Abazi

Janë një seri momentesh dhe zhvillime në vend dhe në botë siç janë protesta e Studentëve në Shqipëri, sukseset e Dua Lipës, Rita Orës, Era Istrefit, Majlinda Kelemendi, Nora Gjakova, kombëtarja në futboll, sukseset e individëve në shkencë e industritë botërore, por janë dy ngjarje që definojnë dhe demonstrojnë trendin e pandalshëm të revolucionit Shqiptarë në Ballkan.

E para është ndeshja e futbollit Zvicër – Serbi në kampionatin botërorë  ku Zvicra e eliminoi Serbinë me dy gola nga Shqiptarët, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri dhe ngjarja e dytë është protesta e 29 Shtatorit ku me dhjetëra mijëra njerëz nga i gjithë Ballkani dhe diaspora u bënë bashkë në Prishtinë për të protestuar kundër Hashim Thaçit dhe gjithë nomenklaturës qe po e mbështet regresin në Kosovë për dhjetë vite.

Ngjarja e futbollit shpërfaqi energjinë, emocionin, dashurinë dhe lidhjen e tokës me çdo njërin pavarësisht se ku ishte. Serbia mbetet armiku kundërt të cilit duhet të fitohet dhe kjo nuk ka nevojë për elaborim, në fakt kombi shqiptarë ka nevojë që të fitojë për të zgjeruar ekzistencën e tij nëpërmjet mekanizmit shtet dhe në garën ndërmjet shteteve. Ekspansioni territorial, ekonomik e tregtar është pjesë e doktrinave shtetërore e që në thelb e bën karakterin e shtetit prapa së cilit qytetarët ndjehen krenar, me dinjitet dhe kanë qëllim. Ne popullin e kemi po shtetin dhe mekanizmat që duhet të ju japin mundësinë individëve dhe kolektivitetit nuk i kemi. Kjo është rëndësia dhe arsyeja pse loja e futbollit është moment definimi të prioritetit dhe në anën tjetër kjo lidhet pikërisht me protestën e 29 Shtatorit ku qytetarët kërkuan që shteti, kushtetuta dhe sistemi të funksionoje. Kjo përben momentin e dytë definues të drejtimit të vendit.

Më 29 Shtator, në 120 Vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, është përsëritur kërkesa dhe determinimi i qytetarëve për shtet funksional dhe mekanizëm shteti që mbron territorin, mbron kushtetutën dhe i jep mundësinë qytetarit të vendit të ndjehet me dinjitet.

120 Vite pas qytetarët janë të gatshëm dhe me kërkesë të njëjtë, vazalet e pushtuesve janë kundër shtetit dhe po i mundësojnë shteteve tjera të kenë influencën dhe dominimin në agjendën e Kosovës.

Argumentet se ky apo ai ka qenë në luftë apo ka bërë këtë kontribut politike janë shumë momental dhe të vegjël në trajektoren që ka kaluar shteti i Kosovës në 10 vjeçarin e parë. Pa dashur të mashtrohemi rezultatet janë negative dhe shumë brengosëse.

Ne planin e brendshëm papunësia vazhdon të jetë me larta në Evrope, varfëria më larta në Evropë, niveli i arsimit në të gjitha nivelet më i ulëti në Evropë, shërbimet shëndetësore më të dobëtat në Evropë, furnizimi me energji elektrike më i pasigurti në Evropë, mjedisi më i ndotur në Evropë dhe gjatë dimrit në botë, diskriminimi dhe dhuna ndaj femrave m i larti në Evropë, korrupsioni më i lartë në botë, funksionimi i gjykatave zero, investimet direkte ndërkombëtare janë në nivelin zero, shpenzimet e qeverisë janë enorme, madhësia e qeverisë është e paimagjinueshme, tendenca e qytetarëve për tu larguar jashtëzakonisht e lartë. 

Ne planin ndërkombëtarë dështim- fiasko në liberalizimin e vizave, disa njohje të tërhequra, dështim në anëtarësimin në Interpol, UNESCO dhe organizmat tjerë ndërkombëtare.

Nëse duhet faturë shkencat në funksion atëherë fizika do të parashtronte këtë problem si dy trupa që janë duke u përballur, në njërën anë janë qytetarët dhe diaspora që në mënyrë aktive janë duke ndërtuar një sistem brenda së cilit duan të jetojnë dhe funksionojnë dhe në anën tjetër është një trup tjetër që është duke përfituar nga gatishmëria e qytetarëve për të financuar, paguar taksat dhe dërgimi i përkrahjes financiare.

20 vite pas luftës dhe 10 vite pas pavarësisë këto dy trupa kanë arritur në përballjen finale. Kjo është arsyeja që pushteti sot është i harrnuar herë me Listën Srpska e herë me individë që kishin vjedhur mandatet nga LVV, qoftë edhe nëpërmjet shantazhimit të familjes Rugova. Këto veprimet e fundit janë kaq e pandershme si veprim që tregon fytyrën e qartë të krimit që nuk kursen as edhe vlerat që do të duhej të ishin bazë e historisë së shtetit dhe kombit për ti ndyrë e përlyer.

Nëse Thaçi dhe PDK tentoi ta përdhosë Adem Jasharin dhe figurën dhe sakrificën e tij, në anë tjetër AAK që udhëheq me qeverinë e sot bashe me sekserët e vet ka përdhosur familjen Rugova duke e vendosur në pozitën e tradhtisë së partisë dhe interesit të Kosovës.

Por sot një gjë është e qartë që në pushtet janë njerëzit që e kanë kapur shtetin në çdo cep, janë të paskrupullt para interesave për veten, nuk mendojnë të kërcënojnë prokurorë e gjykatës, njerëz që para vetes nuk shohin asnjë interes për shtetin dhe janë kaq të ndyrë që kanë paftyrësinë për të dalë para qytetarëve që të flasin dokra për aresyeshmërinë e përfshirjes në dialog me Serbinë përderisa mandatet e tyre kanë qenë pikërisht rezultat i votës kundër dialogut famëkeq dhe kundër ndarjes së Kosovës dhe edhe me fundametalisht këto vota kanë qenë kundërshtim i PDK dhe Thaçit e Veselit në zgjedhje.

Niveli i tradhtisë ndaj votuesit është ngritur në stratosferë përderisa menaxhimi me kryeqytetin ka shënuar nivelin më të ulët që nga paslufta.

Nëse duhet nxjerr një gjë pozitive nga kjo situatë atëherë në mënyrën matematikore kemi një problem të lehtë dhe më asnjë të panjohur, i kemi këta të dështuarit dhe të korruptuarit dhe në anën tjetër kemi një opozitë që në faza të ndryshme të historisë së re të Kosovës është goditur nga krimi dhe inxhinieringu elektoral, nga infiltrimet për të shkaktuar tërmete brenda tyre por megjithatë kemi të bëjmë me një nivel krejt tjetër, njerëz që lexojnë, njerëz që flasin nga disa gjuhë të huaja, njerëz që kuptojnë shtetin dhe e duan qytetarin, njerëz që e përjetojnë demokracinë si proces të ndërtimit të kontratës me qytetarin dhe që duhet të marrin përgjegjësinë nga ajo kontratë dhe jo privilegjin.

Debatet brenda dy partive opozitare LDK dhe LVV me dallime edhe në frymë edhe si diveristet i gjeneratave por megjithatë ka një nivel krejt tjetër e shumë më të përgjegjshme respektues se sa fjalori i matrapazëve të pozitës bashkë me falsifikatoret e mandateve të vjedhura.

Kjo thjeshtësi në dallim e bën të lehtë zgjidhjen përderisa ka zgjedhje dhe sado që do të mund të sabotohet ky proces dhe të vazhdohet me një qeveri jolegjitime siç është kjo e tanishmja, në histori dy vite janë shumë pak por edhe një dekadë është shumë e shkurtër e rëndësishme është që energjia e qytetarëve në vend dhe atyre në diasporë është shumë e fuqishme dhe ajo do të jetë energjia determinuese e rikthimit të agjendës së shtetit, uniteti për paqe e zhvillim, llogaridhënies e përgjegjësisë, barazisë e solodairitetit e mbi të gjitha interesit të kombit shqiptare në Ballkan.

Të tjerët do të jenë kalimtarët e rastit në histori që do të mbahen mend se sa keq kanë bërë duke u vënë në shërbim të varfërimit dhe tradhtisë së interesit të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat