Dialogu me Serbinë dhe pozita e Kosovës në këtë dialog!

Opinione

Dialogu me Serbinë dhe pozita e Kosovës në këtë dialog!

Nga: Prof. dr. Enver Bytyçi Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 18:48
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Thuhet se Prishtina dhe Beogradi në periudhën e parë të vitit të ardhshëm do ta përmbyllin dialogun midis tyre. Aktorët në këtë dialog shfaqen në publik me deklarime kundërthënëse. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se është herët të flitet për përmbylljen e tij. Ndërsa bashkëpunëtori i tij në Prishtinë, Hashim Thaçi, deklarohet për një akt të shpejtë dhe për një sukses historik të dialoguesve përkatës. Vuçiq po e përdor vonesën e dialogut si presion ndaj vendimit të qeverisë së Haradinajt për vendosjen e taksës për mallrat serbe. Ndërsa për Thaçin as taksa, as ushtria, asgjë nuk do ta pengojë dialogun, madje “që do të përfundojë me njohje nga Serbia”! Ky i fundit pretendon se “do t’i ndërrojë kufijtë e për këtë deklarohet për “bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”! Kurrë nuk tha se me ndryshimin e kufijve Serbisë do t’i jepet veriu i Kosovës, përfshirë Trepçën dhe Ujmanin!

Kundërthëniet midis Thaçit dhe Beogradit duken si të aranzhuara. Dhe për ta përmbyllur këtë dialog presidenti i Kosovës ka nxjerrë Asin e fundit, dakordësinë e Amerikës. “Ne duhet të bëjmë një marrëveshje me Serbinë, të cilën e pranon Amerika”, deklaroi sot presidenti në Prishtinë. Ndërkohë Ivica Daçiq kërkon që në dialog të jetë e pranishme edhe Rusia. Aktualisht jemi në këtë lloj terreni. Në atë debatues se kush dhe pse duhet të jetë interlokutor. Nëse vërtet SHBA-të do udhëheqin dialogun, atëherë do të duhet që të tërhiqet Mogherini nga ndërmjetësimi i derisotëm. Dhe që të ndodhë kjo, do të pritet deri në pranverën e vonë sa të bëhet votimi për zgjedhjen e parlamentit të ri europian. Dmth, dialogu mund të shtyhet deri nga vjeshta e vitit që vjen.

Deri atëherë bota do të pësojë ndryshme të tjera. Këto ndryshime mund të jenë në favor ose në disfavor të Kosovës. Ndoshta një përzierje e përparësive dhe e vështirësive që i krijohen asaj. Nga këndvështrimi i sotëm Kosova duhet ta ndjejë veten në avantazh në dialogun Prishtinë-Beograd. Serbia i ka vënë vetes si qëllim të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Europian, ndërkohë që Kosovës kjo datë i duket si një kohë e pamatë. Për këtë arsye Beogradi ka shumë më tepër interes ta përmbyllë në favor të saj konfliktin me Kosovën. Beogradi ngutet, edhe pse Vuçiq përpiqet të japë përshtypjen se “Nuk ia nin, nëse nuk përfundon dialogu në kohë të shkurtër”!

Ndërkaq presidenti serb ngutet edhe për faktin se kanë filluar t’ia lagin postoçinë. Në Serbi kanë shpërthyer protestat antiVuçiq. Ndërsa disa intelektualë e kanë hapur kutinë e pandorës sa i përket denoncimit të krimeve të luftës në Kosovë. Regjisori i shquar Petroviç deklaroi se në furrat e Trepçes janë djeg 1500 trupa pa jetë të shqiptarëve të masakruar gjatë vitit 1999. Eshtë lajmi që e bën Serbinë fajtore të një lloji si ai që Hitleri bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me hebrejtë. Krometariumi me emrin Trepçe bëhet kështu i pakapshëm për orekset e Serbisë së Madhe. Dmmth askush nuk do të guxonte që vendin e masakrave kundër shqiptarëve t’ia rrëmbenin këtyre të fundit e t’ia jepnin hitlerianëve të Milosheviçit!

Kurse një profesor i Beogradit zbuloi faktin se në Danub janë gjetur kufoma shqiptarësh në frigorifer. Ndërkohë që Natasha Kondiç, shefe e organizatës për të drejtat e njeriut në Serbi, flet çdo ditë për krimet serbe në Kosovë, duke shkuar deri atje sat ë shprehet se “Serbia nuk mund ta kërkojë një territory në të cilin ka bërë krime lufte”! Ky terren ia merr nga dora Vuçiqit projektin e zgjerimmit të territoreve serbe me territore të një populli të masakruar po prej Serbisë.

Të gjitha këto shkojnë në drejtimin e kundërt për atë çfarë mendojnë udhëheqësit serbë. Po të kemi parasysh deklaratën e Vuçiq në Leposaviç, ku i thuri laved Milosheviçit, mund të dallojmë më mirë kontrastin e qëndrimeve të lidershipit nga njëra anë dhe të shoqërisë civile nga ana tjëtër. Kjo do të thotë se Serbia ka filluar të lëvizë në drejtim të pendesës për ato që ajo ka bërë kundër shqiptarëve. Ndaj dhe presidenti serb kërkon një balancë kundër kësaj duke mburr krimet e ish-shefit të tij, Hitlerit të Ballkanit, Sllobodan ilosheviç.

Megjithatë ende nuk e dimë se si do të shkojnë punët e dialogut. Ekipi që ka miratuar qeveria dhe Kuvendi është konstruktuar. Por, siç njoftoi sot kryeministri I vendit, parlamenti ende nuk ka miratuar kornizën ligjore të dialogut, me të cilën përcaktohen kufijtë e vendimmarrjes nga grupi negociator. Në këtë kornizë ligjore, ashtu siç thuhet në kushtetutë, ndalohet që negociuesit të bisedojnë për kufijtë dhe territorin e Kosovës. Qeveria ka hartuar për këtë proces dialogu dhe një libër me shumë kapituj, ku kanë thënë fjalën e tyre ekspertët. Megjithatë, sa kohë që këto dy dokumente nuk kalojnë në parlament, ato mbeten drafte këshilluese e jo detyruese.

A do të përkufizohet me ligj sjellja dhe vendimmarrja e Grupit Negociator? E shoh të vështirë kurorëzimin e kësaj nisme sa kohë që Hashim Thaçi është në krye të tij. Ai ishte i interesuar të mblidhte rreth vetes disa emra, qofshin këta kundërshtarë të tij, por jo edhe të kishte një detyrim ligjor, me anën e të cilit i ndalohen bisedimet për ndarjen e Kosovës. Prandaj Thaçi do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë që t’i ketë duart të lira për të firmosur shpërbërjen territoriale e shtetërore të Kosovës.

Sot Thaçi deklaroi në parlament se “Nuk do të ketë një Serbi të vogël brenda Kosovës”, duke arësyetuar se nuk do të ketë një Zajednicë, për të cilën Kurti, Haradinaj dhe Limaj patën “djeg” parlamentin e Kosovës dhe e çuan vendin në zgjedhje të parakoshme. Në këtë rast ai thoshte të vërtetën. Pas ndarjes së Kosovës nuk ka asnjë arësye të ketë një “Zajednicë”! Ndërkaq nuk u shpreh rreth asaj që ka propaganduar prej muajsh e gati një viti, ndarjen e Kosovës. Nuk tha se “Ju garantoj se nuk do të ketë ndarje të territorit të vendit”!

Madje nga diskursi i presidentit të Kosovës shohim se ai ka marrë disa garanci prej lobit serb në Amerikë për ta mbështetur atë në idenë dhe projektin serb të ndarjes. SHBA-të janë në një proces kthese sa i përket politikës së jashtme. Në këtë proces përfitojnë lobe të ndryshme e në rastin konkret lobi serb. Historikisht kjo politikë në Uashington ka ndryshyar gjithnjë ngjyrën e saj, por jo edhe thelbin e vet. Në kushtet e sotme duket se po ndryshon përsëri ngjyrë politika e jashtme amerikane. Ky ndryshim ka të bëjë me raportet e Amerikës me aleatët e saj të Pas Luftës së Dytë Botërore dhe me aleancat e reja, gjithnjë në interes të vetë Amerikës. Dhe ky ndryshim që duket disi kozmetik mund të çojë në zbehjen e interesit për veriun e Kosovës, por jo edhe për Kosovën. Shkurt SHBA-të kanë interes për elementin shqiptar në Ballkan, por jo për territoret që e komplementojnë këtë element. Edhe shqiptarët, në një rast të tillë nuk do kishin p.sh asnjë shqetësim pse Amerikës, bie fjala i shkëputet Alaska. Mjafton që politikat e Uashingtonit të ishin pro nesh!

Kjo trajtesë pak sempliste dhe mekanike të çon në idenë se “SHBA-të janë të gatshme ta pranojnë një zgjidhje me Serbinë, të cilën e pranojnë edhe shqiptarët”! Sh(q)iptari Hashim Thaçi e pranon ndarjen e Kosovës, atëherë pse të mos e pranojë dhe presidenti amerikan, Donald Trump?! Kësisoj presidenti i Kosovës nuk e ka të vështirë të marrë pëlqimin e presidentit amerikan për realizimin e aventurës së tij antiKosovare. Por intriga e tij lidhet me atë se Amerikën e përdor e do ta përdor në të ardhmen për t’u bërë presion kundërshtarëve të idesë së tij të ndarjes brenda Kosovës. Këtë po bën këto ditë e kështu do të veprojë deri në minutën e fundit të dialogut me Beogradin. Kjo do të thotë se problemi i Hashim Thaçit nuk janë ndërkombëtarët, të cilët i përzgjedh në bashkëpunim për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë në favor të kësaj të fundit. Nuk janë problem i Thaçit që këta ndërkombëtarë t’i joshë në forma të ndryshme, sepse ka sponsor në këtë aktivitet Beogradin. Problemi i tij është (mos)unifikimi i faktorit politik në Kosovë. Dhe këtij faktori politik i përplas në turi Amerikën!

Mënjanimi i një vendimi të parlamentit për të ndaluar bisedimet për ndarje të Kosovës në dialog është hapi i parë I presidentit. Më pas ai do ta vazhdojë të bëjë megafonin e Beogradit e të Moskës, duke përdor e keqpërdor Amerikën dhe presidentin amerikan në aksionin e tij proserb. Prandaj dhe sfida më e madhe e vitit 2019 do të jetë vendimmarrja në dialogun me Serbinë. Nëse evitohet ndarja e vendit, kjo do të jetë vepra më madhore në historinë e Kosovës, pas bombardimeve të NATO-s, e patriotëve të saj në pushtet ose jo në pushtet, në politikë ose jo në politikë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat